Haradinaj fton opozitën të garojnë për zhvillim ekonomik - Bota Sot
Haradinaj fton opozitën të garojnë për zhvillim ekonomik

Ekonomi

Haradinaj fton opozitën të garojnë për zhvillim ekonomik

Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 14:12
Ramush Haradinaj

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë sot se vëmendja e subjekteve politike duhet të jetë te zhvillimi ekonomik, shëndetësia dhe arsimi, e jo në temat e mëdha, të cilat sipas tij nuk janë të lidhura direkt me jetën e qytetarëve.

Ai këto komente i ka bërë me rastin e konventës së dytë vjetore të Industrisë së Veshmbathjeve të Kosovës, ku ka folur edhe për rëndësinë e orientimit të prodhuesve vendorë në zgjerimin e tregjeve të jashtme.

I pyetur nëse do të deklarojë a e ka shumicën apo jo, kërkesë kjo e presidentit Hashim Thaçi, Haradinaj tha se nuk ekziston një praktikë për deklarime të tilla.

I pari i AAK-së megjithatë shprehi besimin se do kjo qeveri do ta përfundojë mandatin.

Haradinaj: Partitë opozitare të garojnë në parametra të tjerë, që lidhen direkt me jetën e qytetarëve

“Shumë po folët për këtë temë gjithkush nga perspektiva e vet. Ma mirë me e shfrytëzu me i heq do tema, me i kry do punë. Pra, nëse e kryejmë ushtrinë, Interpolin, dialogun, liberalizimin. Kush humb? Atëherë gara jonë në mes partive është se çka bëhet me prodhimet vendore, sa vende të punës i hapim, cili është arsimi, cila është mundësia, a e kemi shëndetësinë në rregull. Pra, të kalojmë në këtë garë. Unë mendoj që për opozitën sidomos, është më mirë me u kthy gara në këto parametra sesa me mbet tek gara në tema që janë të mëdha diku nëpër kryeqytete, por jeta jonë nuk po varet bash direkt prej atyre”, tha ai.

Ai ka folur edhe për takimin e presidentit Thaçi me presidentin rus Vladimir Putin, me ç’rast është shprehur se nuk duhet të ketë kundërveprime të asaj se çka bënë presidenti.

Haradinaj: Nuk duhet të kundërveprojmë gjithherë ndaj asaj që bënë presidenti

“Nuk është mirë me e lidhë gjithë se çka bënë presidenti edhe të gjitha veprimet tona me qenë vetëm kundërveprime të asaj se çka bënë ai. Por, është mirë që Kosova, Parlamenti dhe institucionet e Kosovës me e pas një platformë të veten,  një rezolutë, një delegacion, edhe me pas më shumë qartësi si vend”, u shpreh ai.

Sa i përket seancës së jashtëzakonshme  e cila dje është ndërprerë, kreu i ekzekutivit tha se ka qenë kërkesë e deputetëve për t’u shtyrë seanca, ndërsa mohoi që një gjë e tillë të ketë pasur prapavija tjera politike.

Haradinaj u shpreh optimist se si rezultat i punës së Qeverisë, Kosova do të arrijë të hyjë në agjendën e Këshillit të Ministrave për liberalizimin e vizave.

Haradinaj: Ne s’po ndalemi, kemi mundësi reale që liberalizimi të ndodhë sivjet

“S’ka lojë bre. Nuk jam keq unë. Unë jam shumë mirë. Se Qeveria po mundohet në mënyra të ndryshme me kriju argumente për të hyrë në agjendë të liberalizimit. Unë nuk muj me bë punë në Kuvend. Unë s’muj me kry edhe punë tjera në Qeveri të huaja. Por ne s’po ndalemi. Dhe, unë hala besoj se kemi me hy në agjendë, se do ta marrim vendimin këtë vit. Nuk bënë me u ndal. Është herët me u dorëzu. Shumë keq është edhe këtë dimri njerëzit tonë me prit para ambasadave. Është reale me ndodhë sivjet”, tha Haradinaj.

Përderisa politikanët kosovarë kanë premtuar liberalizimin e vizave deri në fund të këtij viti, zotime të tilla nuk kanë ardhur asnjëherë nga përfaqësuesit e BE-së në Kosovë, madje ata kanë bërë thirrje për përmbajtje nga dhënia e datave.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera