Dështojnë bisedimet për Brexit-in, veniten gjasat për marrëveshje

Evropë

Dështojnë bisedimet për Brexit-in, veniten gjasat për marrëveshje

Më: 14 tetor 2019 Në ora: 08:24
Michel Barnier

Palët britanike dhe evropiane kanë dështuar të arrijnë rezultate gjatë bisedimeve intensive gjatë fundjavës. Vendet evropiane tashmë vlerësojnë se largimi i Britanisë nga BE-ja me marrëveshje më 31 tetor është pothuajse i pamundur.

Gjatë një fjalimi të shkurtër për ambasadorët e BE-së të dielën në mbrëmje, shefi i BE-së për negociata rreth Brexit-it, Michel Barnier, tha se bisedimet mund të vazhdojnë pas samitit të liderëve, që mbahet të enjten, duke lënë të kuptohet se ka pasur mungesë përparimi në negociatat e fundjavës.

Barnier tha para diplomatëve të vendeve anëtare se propozimi më i ri britanik për kufirin irlandez mbetet një rrezik i patestuar, të cilin blloku evropian nuk mund ta përkrahë. Ai tha se nevojitet një impuls i freskët politik nga kryeministri britanik në mënyrë që të arrihet marrëveshja gjatë kësaj jave.

Në bisedimet e fundjavës për herë të parë u hodh në diskutim mundësia e shtyrjes së Brexit-it për një kohë të shkurtër, në rast të arritjes së marrëveshjes në fund të tetorit, ose për një kohë më të gjatë për ta mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve për parakohshme.

Për më tepër, Barnier shtoi se Bashkimi Evropian duhet t’ia japë Britanisë edhe një mundësi të fundit për ta gjetur një zëvendësim realist për çështjen e kufirit me Irlandën, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat