Pse pula e shpëlarë me klor është në qendër të diskutimeve Britani-BE?

Evropë

Pse pula e shpëlarë me klor është në qendër të diskutimeve Britani-BE?

Më: 26 shkurt 2020 Në ora: 14:45
Një fermë pulash. Fotografi ilustruese.

Pula e shpëlarë me klor është vënë në qendër të diskutimeve në mes të Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian, lidhur me marrëdhëniet e tyre pas largimit të Britanisë nga blloku evropian, falë shtimit të një pike në tavolinën negociuese nga ana e BE-së, shkruan e përditshmja britanike, The Guardian.

Përmes saj, The Guardian shkruan se BE-ja do t’i kërkojë Britanisë të vazhdojë të zbatojë ndalimin për import të shpezëve të trajtuara me substanca kimike, nëse dëshiron të nënshkruajë marrëveshje tregtare me vendet fqinje.

Britanisë tani duket se do t’i duhet të zgjedhë në mes të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara në arritjen e pajtueshmërisë për tregtinë, pasi SHBA-ja ka tjetër praktikë sa u përket standardeve ushqimore.

Shtetet e Bashkuara u lejojnë prodhuesve të tyre të mishit që të pastrojnë pulat dhe zogjtë e tyre me klor dhe substanca tjera dezinfektuese për të zhdukur bakteret e dëmshme.

Kjo praktikë është ndaluar në Bashkimin Evropian nga viti 1997 për shkak të shqetësimeve për sigurinë e ushqimit.

Kjo pasi, BE-ja beson se varësia në klor në prodhim të mishit është mënyrë për të kompensuar standardet e ulëta të higjienës.

Prandaj, bindja e negociatorëve britanikë për të hequr ndalesën dhe të pranojnë standardet amerikane për këtë lloj mishi është prioritet për SHBA-së, nëse dëshiron të arrijë marrëveshje tregtare me Britaninë.

Shtetet e Bashkuara janë prodhueset më të mëdha të mishit të shpezëve, derisa një e pesta e sasisë së prodhuar eksportohet.

Praktikat e BE-së vs. SHBA-së për sigurinë e ushqimit

Bashkimi Evropian ka qasje krejtësisht ndryshe sa i përket sigurisë së ushqimit nëse krahasohet me Shtetet e Bashkuara. Blloku evropian zbaton parimin e parandalimit, duke ndaluar përdorimin e substancave që potencialisht janë të dëmshme për njerëzit dhe natyrën, derisa ato të vërtetohen se janë të sigurta.

Shtetet e Bashkuara në anën tjetër lejojnë përdorimin e substancave kimike derisa ato të vërtetohen se janë të dëmshme.

Madje zyrtarët amerikanë i konsiderojnë praktikat evropiane për këtë sektor si tejet proteksioniste.

Kundërshtimet e ashpra të bujqve

Liderët e bujqve britanikë kanë thënë se do të ishte “çmenduri” nënshkrimi i ndonjë marrëveshjeje që do të lejonte importimin e ushqimit që është i ndaluar të prodhohet në Britani, siç janë pulat e shpëlara me klor.

Presidentja e Unionit Kombëtar të Bujqve, Minette Batters, ka thënë se lejimi i këtyre importeve e nënkupton “falimentim moral”.

Mirëpo Qeveria britanike ka thënë në anën tjetër se standardet e ushqimit do të mbrohen me secilën marrëveshje.

Muajin e kaluar, Sekretari amerikan i Thesarit, Steve Mnuchin ka thënë se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të arrijë marrëveshje me Britaninë më 2020.

Më 2020, Britani apo ashtu do të negociojë për një marrëveshje tregtare me Brukselin, që do të hyjë në fuqi pasi të përfundojë periudha transitore më 31 dhjetor të këtij viti.

Reflektim i “sëmundjes së lopëve të çmendura”

Kriza e Bashkimit Evropian me sëmundjen e lopëve të çmendura në vitet 1990 duket se reflekton edhe tani mbi këtë bllok, andaj ka pak mundësi që të bëhen lëshime për rregullat e sigurisë së ushqimit, pavarësisht pse presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar me vënien e tarifave në industrinë e makinave, nëse shtetet e BE-së nuk nisin të importojnë më shumë produkte bujqësore amerikane.

Eksportet e ushqimit evropian në Shtetet e Bashkuara kapin shifrën e 12 miliardë dollarëve në vit më shumë sesa importet, andaj Sekretari amerikan për Bujqësi, Sonny Perdue i ka thënë BE-së muajin e kaluar se i duhet të nisë së përshtaturi rregullat për ushqim./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat