Shkaku i coronavirusit, Turqia do të zbatojë orë policore të pjesshme 4-ditore

Evropë

Shkaku i coronavirusit, Turqia do të zbatojë orë policore të pjesshme 4-ditore

Më: 11 maj 2020 Në ora: 23:21
Turqia

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, njoftoi se vendi i tij do të zbatojë orë policore të pjesshme 4-ditore që fillon të premten në mesnatë, në përpjekje për të frenuar përhapjen e coronavirusit të ri (COVID-19).

Në një fjalim pas mbledhjes së kabinetit të mbajtur në Stamboll, presidenti Erdogan tha se karantina është hequr në 300 vendbanime, ndërsa vazhdon në 112 të tjera, transmeton Anadolu Agency.

Erdogan gjithashtu tha se ora policore e pjesshme 4-ditore do të jetë në fuqi nga 15 maji në mesnatë.

Ora e parë policore u shpall më 11-12 prill dhe u pasua nga orë policore në javët e kaluara.

Erdogan tha se personat mbi 65 vjeç më 17 maj midis orës 11:00 dhe 17:00 do të mund të dalin nga shtëpitë, duke qëndruar në afërsi të tyre dhe duke mbajtur maska.

Ai gjithashtu tha se fëmijët nën 14 vjeç do të mund të dalin më 20 dhe 22 maj gjatë të orëve të njëjta, por edhe ata duhet të jenë në afërsi të vendbanimeve dhe të mbajnë maska.

Ndërkohë, Erdogan tha se Turqia hoqi kufizimet e udhëtimit për qytetet Adana, Diyarbakır, Mardin, Trabzon, Ordu, Denizli, Kahramanmaraş, Şanlıurfa, Tekirdağ, si pjesë e procesit të normalizimit.

Ai shtoi se në kuadër të Fushatës Kombëtare të Solidaritetit, janë grumbulluar donacione në vlerë prej rreth 2 miliardë lira turke (rreth 282 milionë dollarë) për të luftuar virusin.

Ndërkohë, numri i rasteve aktive në Turqi ka rënë në 40.150. Numri i vdekjeve nga COVID-19 është rritur në 3.841, ndërsa numri i të infektuarve në 139.771.

Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, coronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi globale.

Sipas shifrave nga Universiteti John Hopkins me bazë në SHBA, numri i të infektuarve me COVID-19 ka tejkaluar shifrën 4,14 milionë, me pothuajse 284 mijë të vdekur dhe mbi 1.42 milionë të shëruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat