Weber: Me dëbimin e ambasadorit serb qeveria malazeze në largim po e minon qeverinë e re

Evropë

Weber: Me dëbimin e ambasadorit serb qeveria malazeze në largim po e minon qeverinë e re

Nga: B.S. Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 09:44
Bodo Weber

Qeveria malazeze në largim kishte argumente për dëbimin e ambasadorit serb në Podgoricë, Vladimir Bozhoviq, por një veprim i tillë në kohën e ndryshimit të qeverisë padyshim ka për qëllim minimin e punës së qeverisë së re, tha Bodo Weber nga Këshilli i Berlinit për politikë të demokratizimit.

Weber, ekspert për Ballkanin, i ka thënë Zërit të Amerikës se është e qartë se procedura e qeverisë në ikje e udhëhequr nga Partia demokratike e socialistëve e Milo Gjukanoviqit ka një parahistori.

"Është konflikt dypalësh i pikëpamjeve konfliktuale mbi historinë e Malit të Zi dhe çështjen e pavarësisë, i cili është në të njëjtën kohë konflikt i brendshëm në Mali të Zi. Së dyti, bëhet fjalë për ndërhyrje të caktuar të Serbisë zyrtare në politikën e brendshme të Malit të Zi, në zgjedhjet e fundit, si dhe një përpjekje për të parandaluar formimin e një qeverie të ekspertëve për hir të asaj partiake, të udhëhequr nga Fronti Demokratik, gjatë vizitës së fundit të kryetarit (të Serbisë) Aleksandar Vuçiq në Malin e Zi", ka thënëWeber.

Ai deklaroi se kjo të "kujton pak" veprimet e presidentit të SHBA-ve Donald Trump, "i cili duket se po përpiqet ta bëjë procesin e tranzicionit sa më të vështirë për pasardhësin e tij."

Weber tha se nuk e priste që mosmarrëveshja midis Serbisë dhe Malit të Zi të kishte pasoja të rëndësishme në marrëdhëniet midis dy vendeve, sepse qeveria e re malazeze do të anulojë shpejt vendimin për të shpallur ambasadorin Bozhoviq person të padëshirueshëm.

Ministria e Punëve të Jashtme malazeze njoftoi dje se e shpalli Bozhoviqin person non grata, duke deklaruar se për një kohë të gjatë dhe vazhdimisht ndërhynte në punët e brendshme të Malit të Zi dhe se dha deklarata të papajtueshme me standardet e zakonshme dhe të pranueshme të kryerjes së një funksioni diplomatik.

Dje, Ministria e punëve të jashtme e Serbisë, duke vepruar reciprokisht, vendosi të shpallë ambasadorin malazes në Beograd Tarzan Millosheviq person të padëshirueshëm. Mbrëmë, udhëheqja shtetërore e Serbisë vendosi të anulojë atë vendim me shpresën se, sipas kryeministres Ana Bërnabiq, ky do të "interpretohet si një akt i vullnetit të mirë".

Weber gjithashtu tha se marrëdhëniet midis autoriteteve serbe dhe malazeze të reja do të duken më harmonike, por që "nën sipërfaqe do të jenë në të vërtetë ambivalente dhe të komplikuara".

"Marrëdhëniet midis Vuçiqit dhe regjimit të Milo Gjukanoviç ishin shumë më të mira sesa që u treguan në publik. Ata ishin vëllezër në sundimin autokratik, të cilin ata e përdorën të dy, duke nxitur rregullisht mosmarrëveshje serbo-nalazeze, si në mënyrë bilaterale ashtu edhe në Mal të Zi, për përdorim politik të brendshëm," shprehet Weber.

Ai shton se me fitoren e koalicionit opozitar të larmishëm ideologjikisht në Malin e Zi, marrëdhëniet me Serbinë po ndërlikohen.

"Kësaj duhet t'i shtohet vendimi për formimin e qeverisë së ekspertëve, e jo të një koalicioni partiak, i cili është zotuar të mbështesë kursin euro-atlantik. Ndryshimi i sundimit autokratik me dekada Vuçiqit i fut frikë dhe nervozizëm, të cilat mund të intensifikohen më tej nëse Mali i Zi, të paktën pjesërisht, arrin të realizojë programin e reformave strukturore dhe demokratike",thotë Weber.

Ai gjithashtu deklaroi se qeveria e re malazeze nuk do të ketë një qëndrim të ndryshëm ndaj stabilitetit në Ballkan dhe proceseve të vazhdueshme.

"Besoj se nuk do të shohim ndryshime të rëndësishme. Koalicioni është i përkushtuar për vazhdimësinë, përfshirë qëndrimin e tij ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës. Përveç kësaj, ata do të kenë duart plot punë për shkak të mungesës së kohezionit brenda-koalicionit, nevojës për përpjekje të rëndësishme për  reforma, sfidave ekonomike dhe përpjekjeve të Frontit Demokratik për mbizotërim operacional dhe ideologjik në Qeveri. Nuk do të mbetet shumë kohë për t'u marrë me marrëdhëniet regjonale", thotë Weber.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat