Britania e Madhe dhe BE bien dakord të vazhdojnë bisedimet pas Brexitit

Evropë

Britania e Madhe dhe BE bien dakord të vazhdojnë bisedimet pas Brexitit

Më: 13 dhjetor 2020 Në ora: 16:37
Boris Johnson dhe Ursula von der Leyen

Kryeministri i Britanisë Madhe, Boris Johnson, së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u dakorduan për të vazhduar me bisedimet tregtare pas Brexitit, pavarësisht një afati kohor të vendosur më parë.

“Ne patëm një telefonatë të dobishme këtë mëngjes. Ne diskutuam temat kryesore të pazgjidhura”, thuhet në një deklaratë të përbashkët.

“Me gjithë rraskapitjen pas pothuajse një viti negociatash, pavarësisht nga fakti se afatet kanë kaluar pa pushim, ne mendojmë se është përgjegjësi të vazhdojmë më tej”, th kryeministri Johnson dhe shefja e BE-së, Ursula von der Leyen.

Por, ata ranë dakord t’u thonë negociatorëve të vazhdojnë bisedimet në Bruksel “për të parë nëse mund të arrihet një marrëveshje edhe në këtë fazë të vonë”.

Negociatori i BE-së, Michel Barnier dhe ai britanik, David Frost i zhvilluan bisedime të shtunën vonë dhe herët të dielën dhe do të vazhdojnë të negociojnë në Bruksel.

Kurse, në fillim të kësaj jave, Johnson dhe Von der Leyen caktuan një afat për të dielën që të vendosin nëse do të braktisnin negociatat ose t’i vazhdonin ato.

Më 31 dhjetor, Britania e Madhe përfundon daljen e saj nga blloku, dhe nuk do të jetë më e detyruar të ndjekë rregullat e tregtisë së BE-së.

Nëse nuk pajtohen, të dyja palët do të bëjnë biznes sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, që i bie se do të aplikojnë tarifa në importet e njëra-tjetrës.

Vendimi për largim të Britanisë nga BE-ja ka ardhur pasi 52% e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48% që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.​

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat