Italia lehtëson masat, ulet niveli i rrezikut nga COVID-19 në pesë rajone të vendit

Evropë

Italia lehtëson masat, ulet niveli i rrezikut nga COVID-19 në pesë rajone të vendit

Më: 13 dhjetor 2020 Në ora: 18:00
Itali

Autoritetet në Itali vendosën të ulin nivelet e rrezikut nga coronavirus-i në pesë rajone, vendim ky që hyri në fuqi këtë të diel.

Qeveria italiane kishte aplikuar më herët një sistem me tre nivele dhe e kishte ndarë vendin në tre zona, të kuqe për rrezikun e lartë, portokalli për atë të mesëm dhe të verdhë për atë të ulët, nisur nga niveli i infektimit nga virusi dhe situata në sistemin shëndetësor në secilin rajon.

Katër rajonet Bazilikata, Kalabria, Lombardia dhe Piemonte do të zbresin nga niveli portokalli në atë të verdhë, ndërsa rajoni i Abrucos, që ishte në zonën e kuqe, do të ulet në atë portokalli.

Në 24 orët e fundit, Italia raportoi mbi 19 mijë e 900 raste të reja infektimi me COVID, që e çojnë totalin në 1 milion e 825 mijë e 775, si dhe rreth 650 vdekje, që në tërësi llogariten mbi 64 mijë.

Shifrat në fjalë e rendisin vendin fqinj të dytin në Europë, pas Britanisë së Madhe.

Gjithashtu, Italia ka regjistruar thuajse 24 mijë e 730 persona të shëruar, që në total janë mbi 1 milion e 76 mijë.

Sidoqoftë, ekspertët kanë paralajmëruar qytetarët që të ruajnë distancimin social dhe të shmangin grumbullimet për festën e ardhshme të Krishtlindjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat