Silvio Berlusconi, rikthimi i fuqishëm i Kavalierit

Evropë

Silvio Berlusconi, rikthimi i fuqishëm i Kavalierit

Nga: Hannah Roberts Më: 14 dhjetor 2020 Në ora: 17:30
Silvio Berlusconi

E gjeni dot kush është rikthyer?Pikërisht kur dukej se karriera politike e Silvio Berlusconi kishte marrë fund, ai futet sërish në vijën e parë të frontit të politikës italiane, duke i ofruar mbështetje qeverisë së brishtë të koalicionit aktual, për të miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm.

Këtë herë duket sikur ai nuk do të rikthehej më. Ai nuk mori asnjë post publik, pas një dënimi nga gjykata për mashtrime me taksat, dhe u largua si udhëheqës i një koalicioni të djathtë nga Mateo Salvini në vitin 2018. Pastaj në shtator të këtij viti u shtrua në spital me Covid-19.

Mbështetja për partinë e tij, Forza Italia, është përgjysmuar që nga zgjedhjet e fundit në vetëm 7 për qind. Por 3 herë kryeministri i Italisë, aktualisht eurodeputet, ka sfiduar edhe një herë pritshmëritë, duke u kthyer në qendër të skenës politike, i pozicionuar si një ndërmjetës pushtetesh, teksa njëherazi mbron dhe interesat e tij të mëdha mbi bizneset që zotëron.

Qeveria aktuale italiane – e përbërë nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Pesë Yjet – nuk është në një pozitë të fortë, dhe dukej e destinuar të rrëzohej kur të hidhej për votim këtë muaj projektbuxheti i saj për vitin 2021. Shumica e saj në Senat ka humbur – 16 senatorë të Pesë Yjeve kanë ndërruar pozicion këtë legjislaturë – dhe gjasat që disa deputetë të mos jenë në gjendje të votojnë për buxhetin, për shkak se koronavirusi e bëri edhe më të brishtë pozicionin e saj.

Mbështetja e Berlusconit do të rrisë numrat në parlament. Me mbështetjen e buxheti, Berlusconi pretendon se po vepron në dobi të interesit kombëtar, pas thirrjeve të presidentit Sergio Mattarella për dialog dhe unitet. “Ne kemi vendosur gjithmonë interesin e vendit para interesave të partisë”- tha Berlusconi në një intervistë për gazetën e familjes së tij “Il Giornale”.

“Ne jemi në dialog me qeverinë. Nëse ajo pranon 2-3 propozimet tona, qënë thelb mbështesin të vetë-punësuarit dhe profesionistët e pavarur, dhe kërkojnë mosngritjen e taksave, ne do ta aprovojmë buxhetin”-tha një këshilltar i afërt i Berlusconit

Ministri i Ekonomisë Roberto Gualtieri, që vjen nga radhët e Partisë Demokratike, tha se qeveria mbështet propozimet e Forza Italia, dhe e cilësoi “pozitive” gatishmërinë e Berlusconit për të bashkëpunuar. Por Berlusconi nuk është nga ata që dhuron diçka falas. Atëherë, çfarë përfiton ai nga kjo lëvizje? Në nëntor qeveria e ndihmoi kompaninë Mediaset, që drejtohet nga Berluskoni, përmes miratimit të një ligji që e mbron atë nga përpjekjet e konglomeratit mediatik francez “Vivendi”, për të shtënë në dorë pronësinë e gjithë biznesit mediatik.

I etiketuar nga media si amendamenti “Shpëto Mediasetin”, ai ligj u interpretua gjerësisht si një ndihmë e hapur ndaj Berlusconit. “Vivendi” zotëron 29 për qind të Mediaset dhe 24 për qind të ish-monopolit të telefonisë“Telecom Italia”.

Ligji i ri kërkon që mbikëqyrësi i komunikimeve në Itali të hetojë për 6 muaj kompanitë që operojnë në sektorët e telekomit dhe medias. Këshilltari i Berluskonit, këmbëngul se ndihma ndaj Mediaset nuk ishte pjesë e një marrëveshje, por e pranoi se ligji ishte i dobishëm për kompaninë.

Ministri për Zhvillimin Ekonomik që propozoi ligjin në fjalë, Stefano Patuanelli,që vjen nga radhët e Lëvizjes Pesë Yjet, mohoi të ketë pasur presione ndaj tij nga kampi i Berlusconit, dhe tha se rezultati pozitiv për Mediaset ishte një “pasojë indirekt” e amendamentit.

Për Francesco Clementi, një profesor në departamentin e shkencave politike në Universitetin e Peruxhas, mbështetja ndaj koalicionit qeverisës, i ofron Berluskonit mundësi për të pasur përfitime politike, por edhe avantazhe në biznesin e tij.

“Ai mund të marrë meritat për grantet që qeveria do japë për të vetë-punësuarit, dhe për pasojë të fitojë mbështetjen e tyre. Ky veprim, i kujton partnerëve të tij të djathtë në aleancën opozitare, se ata ende kanë nevojë që ai të ruajë mbështetjen e të moderuarve”- shprehet ai.

Një nga këta partnerë, Mateo Salvini i LEGA-s së krahut të djathtë, e akuzoi Berluskonin se e ka braktisur opozitën vetëm për të mbrojtur interesat e tij të biznesit. LEGA u hakmor, duke u përpjekur ta bllokojë ligjin pro Mediaset, dhe votuar kundër tij në komisione, abstenuar në parlament, dhe duke u ankuar se ai ishte antikushtetues.

Giorgia Meloni, udhëheqësja e partisë së ekstremit të djathtë Fratelli d’Italia, i kërkoi Berlusconit të mos “bënte lojëra”, duke theksuar se ata qeverisin bashkë në 15 nga 20 rajonet italiane. Ndryshimi i qasjes nga Berlusconi, ka nxitur debatet nëse Forza Italia mund të jetë pjesë e një mazhorance qeverisëse më të zgjeruar.

Tre nga deputetët e Berlusconit u larguan tek LEGA javën e kaluar, duke thënë se ata nuk ishin “të kënaqur me afërsinë në rritje të Forza Italia me qeverinë, dhe flirtin e saj me Partinë Demokratike”.Por kjo lëvizje mund të jetë e vështirë për t’u gëlltitur dhe nga mazhoranca.

Bashkimi i partisë së Berlusconit me koalicionin qeverisës, do të ishte padyshim i papranueshme për Lëvizjen Pesë Yjet, që është forca më e madhe politike e koalicionit, dhe për të cilën bashkimi që Berlusconi i bën biznesit të tij me interesat politikë, ka qenë gjithmonë një problem madhor.

Deputetja e Pesë Yjeve, Barbara Lezzi, tha se ishte “e rrezikshme” ta trajtosh Berlusconin si një partner, pasi ai ka një histori të të qenit i pabesueshëm në partneritetet politike. Ajo shkroi në Facebook:“Ai nuk mund të jetë në qeveri me ne. Ne e dimë që po mashtron kur pretendon se është një politikan i përgjegjshëm”.

Votimi përfundimtar për buxhetin do të mbahet në fund të dhjetorit, por mbështetja e Berlusconit për qeverinë javën e kaluar gjatë një votimi për një rritje të buxhetit për të mbuluar humbjet e bizneseve për Krishtlindjeve për shkak të kufizimeve nga koronavirusi, ka të ngjarë që të tregojë sesi do të shkojnë gjërat.

Nëse Berlusconi do të vijojë të përkrahë qeverinë, kjo qasje do të konfirmonte mundësinë e një koalicioni alternativ në parlament, duke rivendosur linjat politike, thotë Clementi. Një koalicion i tillë mund të jetë vendimtar edhe në zgjedhjen e presidentit të ardhshëm për një mandat 7-vjeçar nga parlamenti në shkurtin e vitit 2022.

Pasja e shansit për të zgjedhur presidentin, që ka kompetenca të gjera për të emëruar ministrat dhe për të shpallur zgjedhjet e reja, mund të jetë një element kryesor në strategjinë e Berlusconit. Por futja e tij në koalicionin qeverisës, mund të luajë një rol vendimtar edhe në mbajtjen e vendit të distancuar nga krahu i djathtë dhe më pranë establishmentit të Evropës dhe NATO-s. Ironia e të pasurit me vete të një force përçarëse siç është Berlusconi, për të garantuar stabilitet, nuk do t’i shpëtojë partnerëve të Italisë në Bashkimin Evropian. /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat