​Franca ndalon për 48 orë udhëtimet nga Britania e Madhe

Evropë

​Franca ndalon për 48 orë udhëtimet nga Britania e Madhe

Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 06:26
Ilustrim

Franca, Gjermania, Irlanda, Holanda, Austria, Italia, Rumania, Belgjika dhe Bullgaria kanë vendosur kufizime në udhëtimin me Britaninë e Madhe në një përpjekje për të ndaluar përhapjen e një lloji të ri të koronavirusit që është deri në 70% më infektues.

Parisi zyrtar njoftoi sonte se do të ndërpresë të gjitha udhëtimet nga Britania e Madh, përfshirë transportin e mallrave, për 48 orë nga 23:00. Vendimi erdhi pasi presidenti Emmanuel Macron thirri një takim urgjent të këshillit shëndetësor.

Një numër vendesh njoftuan të gjitha kufizimet për udhëtimin me Britaninë e Madhe vetëm disa orë pasi kryeministri Boris Johnson vendosi masa të reja COVID-19 në Londër dhe pjesë të Anglisë juglindore, duke prishur planet e festave të Krishtlindjes për miliona njerëz.

Qeveria irlandeze ndërkohë tha se do të kufizonte udhëtimin me aeroplanë dhe anije nga Britania nga mesnata e së dielës. Bullgaria shpalli ndalimin më të gjatë që është njoftuar: një pezullim i të gjitha fluturimeve midis dy vendeve deri më 31 janar, ndërsa Holanda deri më 1 janar.

Belgjika do të pezullojë mbërritjet e fluturimit dhe trenave nga Britania nga mesnata të dielën. Kryeministri Alexander De Croo i tha kanalit televiziv belg VRT se ndalimi do të ishte në fuqi për të paktën 24 orë.

Ministri i Jashtëm i Italisë Luigi Di Maio tha në një postim në Facebook se Italia do të pezullojë fluturimet nga/dhe Britania e Madhe.

"Prioriteti ynë është të mbrojmë Italinë dhe bashkatdhetarët tanë," shkroi ai.

Gjermania do të ndalojë fluturimet nga Britania nga mesnata për të parandaluar përhapjen e llojit të ri, më infektiv të koronavirusit që qarkullon në të dy vendet, sipas një zëdhënësi të qeverisë.

Suedia tha se po përgatiste një vendim për të ndaluar udhëtimin nga Britania e Madhe dhe se do të shpallë vendimin e saj të hënën.

Republika Çeke vendosi masa më të rrepta karantine për njerëzit që vijnë nga Britania. Një zyrtar i BE-së, i cili foli në kushte anonimiteti sepse bisedimet ishin ende në vazhdim, tha të dielën pasdite se Komisioni Evropian ishte në kontakt me vendet anëtare për situatën në zhvillim të shpejtë.

Në Shtetet e Bashkuara, autoritetet thanë se po shikonin "me shumë kujdes" variantin e ri të virusit në Britani, megjithëse u përmbajtën nga sugjerimi se do të ndiqnin shembullin e vendeve evropiane dhe do të pezullonin fluturimet me shtetin britanik.

Kryeministri Boris Johnson tha se të dhënat e hershme sugjerojnë se virusi që qarkullon në Londër dhe Anglinë juglindore është deri në 70 për qind më i transmetueshëm. Por ai theksoi se "nuk ka asnjë provë që sugjeron se është më vdekjeprurës ose shkakton sëmundje më të rëndë", ose që vaksinat do të jenë më pak efektive kundër tij.

Lloji i ri i koronavirusit është identifikuar gjithashtu në Danimarkë, Holandë dhe Australi, transmeton France 24 duke iu referuar agjencive botërore të lajmeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat