Papa kremton pa bujë meshën e Krishtlindjes

Evropë

Papa kremton pa bujë meshën e Krishtlindjes

Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 22:13
Papa Françesku

Papa Françesku kremtoi të enjten pa bujë meshën tradicionale në prag të Krishtlindjes, ku tha se njerëzit duhet të ndihen të detyruar të ndihmojnë nevojtarët, sepse vetë Jezusi lindi i varfër dhe i braktisur.

Mesha u mbajt në pjesën e pasme të Bazilikës së Shën Pjetrit me më pak se 100 pjesëmarrës dhe me vetëm një numër të vogël kardinalësh dhe peshkopësh. Zakonisht ajo mbahet në pjesën kryesore të bazilikës dhe aty marrin pjesë deri në 10,000 njerëz, përfshirë trupin diplomatike të gati 200 vendeve.

Të gjithë përveç Papës dhe korit të vogël mbanin maskë gjatë meshës, e cila filloi dy orë më herët se zakonisht në mënyrë që edhe numri i kufizuar i njerëzve që morën pjesë të mund të ktheheshin në shtëpi para orës 10:00, kur fillojnë kufizimet e lëvizjeve.

"Biri i Zotit lindi si një i braktisur, në mënyrë që të na tregonte se çdo i braktisur është një fëmijë i Zotit", tha Papa në fjalën e tij.

Papa Françesku 84-vjeçar tha se Krishtlindja duhet të bëjë që të gjithë të reflektojnë mbi "padrejtësinë tonë ndaj kaq shumë vëllezërve dhe motrave tona" në vend që të ndjekim "dëshirën tonë të pafund për posedime" dhe kënaqësitë e çastit.

Të Premten, Papa do të lexojë mesazhin e tij "Urbi et Orbi" (për qytetin dhe botën) nga një sallë brenda Vatikanit në vend të ballkonit qendror në Sheshin e Shën Pjetrit, një ngjarje që tërheq zakonisht dhjetëra mijëra njerëz .

Italianët janë nën një bllokim mbarëkombëtar për pjesën më të madhe të festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Dyqanet jo thelbësore do të mbyllen midis 24 dhe 27 dhjetorit, 31 dhjetorit dhe 3 janarit dhe 5 e 6 janarit. Në këto ditë, njerëzit lejohen të udhëtojnë vetëm për arsye pune, shëndetësore ose emergjence.

Kufizimet nënkuptojnë se njerëzit nuk do të mund të shkojnë në Sheshin e Shën Pjetrit ose në bazilikë. Të gjitha aktivitetet papale midis 24 dhjetorit dhe 6 janarit do të mbahen në mjedise të mbyllura me pak ose aspak pjesëmarrje publike dhe duke u transmetuar drejtpërdrejt në internet dhe televizion./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat