Tensione mes Presidentit dhe qeverisë në Mal të Zi

Evropë

Tensione mes Presidentit dhe qeverisë në Mal të Zi

Më: 5 janar 2021 Në ora: 15:20
Tensione mes Presidentit dhe qeverisë në Mal të Zi

Në Malin e Zi po rezulton e vështirë bashkëjetesa institucionale mes presidentit Milo Gjukanoviç dhe qeverisë së krahut kundërshtar që mori pushtetin më 4 dhjetor.

Kabineti i ri kaloi fundvitin e shkuar një numër amendamentesh për ligjet e miratuara nga qeveria e vjetër e Gjukanoviçit, më i debatuari ai mbi liritë fetare dhe Kishën Ortodokse Serbe.

Mes kërkesave ishte edhe tërheqja e shtatë ambasadorëve të emëruar nga ekzekutivi i shkuar me pretendimet se kishin punuar kundër interesave të shtetit.

Por presidenti i ka refuzuar dekretet për arsye procedurale, duke kërkuar arsyetimin e tyre.

“Zoti Gjukanoviç refuzon të pranojë transferimin paqësor të pushtetit dhe vazhdon ta trajtojë Malin e Zi si pronën e vet,” reagoi kryeministri, Zdravko Krivokapiç.

Zëvendëskryeministri shqiptaro-malazez, Dritan Abazoviç, paralajmëroi se kthimi i papërligjur i dekreteve dhe shkeljet kushtetuese rrezikojnë edhe shkarkimin e kreut të shtetit.

“Dhe meqë flasim për respekt ndaj Kushtetutës dhe ligjit, presidenti Milo Gjukanoviç i ka borxh shtetit 12,4 milionë euro në taksa. Nuk ka më të paprekshëm,” shkroi të martën në Twitter Abazoviç, duke postuar një foto të një kompanie turistike të bashkëthemeluar nga presidenti.

Në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit, Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Gjukanoviç humbi pushtetin për herë të parë pas gati 30 viteve, duke ia kaluar radhën koalicionit të tri partive opozitare që të qeverisë me shumicë absolute.

Mazhoranca thotë se nga 20 janari do i rivotojë ligjet e kthyera deri tani nga kreu i shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat