Greqia pa energji elektrike, dëbora gjunjëzon vendin, probleme në periferitë e Athinës

Evropë

Greqia pa energji elektrike, dëbora gjunjëzon vendin, probleme në periferitë e Athinës

Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 16:24
Greqi

Disa mijëra shtëpi mbetën pa energji elektrike të mërkurën në Greqi, pasi një stuhi e ashpër dëbore shkaktoi dëme të shumta në vend.

Fronti i të ftohtit, i pagëzuar me emrin “Medea” e që nisi ditën e shtunë, mbuloi lagje të tëra me disa metra dëborë, duke bllokuar njerëzit në shtëpitë dhe makinat e tyre dhe madje duke zbardhur monumentin e Akropolit në Athinë.

Enti lokal për energjinë elektrike deklaroi se po përpiqej të riparonte dëmet për rreth 40 mijë shtëpi që kishin mbetur në orët e mbrëmjes, nga 70 mijë që ishin në mëngjes.

Të prekura nga defekti janë kryesisht periferitë veriore të Athinës, si Dionysos, që përveç se pa energji ka mbetur edhe pa ujë.

Banorët u detyruan të punonin për të larguar borën nga shtëpitë dhe makinat e tyre, me nivelin e saj që arrinte deri në gju, ndërsa autoritetet vijojnë punët për zhbllokimin e rrugëve.

Zjarrfikësit morën mbi 2 mijë telefonata në rang vendi për ndihmë nga qytetarët e bllokuar në dëborë, për zhvendosjen e pemëve të rrëzuara, apo për të shkuar në spitale për të marrë ndihmë mjekësore. Për të ndihmuar në terren ka zbritur edhe ushtria.

Sidoqoftë, fronti i të ftohtit nisi të zbutet gjatë së mërkurës dhe meteorologët presin që temperaturat të rriten ditën e enjte.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat