Po e ndalojmë, por do ta rifillojmë. Evropa kaotike nuk zhgënjeu as këtë herë

Evropë

Po e ndalojmë, por do ta rifillojmë. Evropa kaotike nuk zhgënjeu as këtë herë

Më: 15 mars 2021 Në ora: 18:19
Foto ilustruese

Evropa është vënë disa herë në qendër të kritikave, sa i përket fushatës së vaksinimit dhe rrëmujës që e ka shoqëruar atë.

Episodi më i fundit i një seriali të gjatë vonesash dhe hezitimesh, lidhet me vaksinën e Astra Zeneca.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi se Franca do të ndalojë administrimin e vaksinës AstraZeneca “si masë paraprake … me shpresën se mund të rifillojmë shpejt nëse EMA jep dritën jeshile”. 

Por ndërkohë, dëmi mbi besueshmërinë e njërës prej vaksinave në treg do të jetë bërë, ndoshta në mënyrë të pakthyeshme, dhe në një moment tej mase të vështirë, kur Evropa me sa duket është duke hyrë në një valë të tretë.

Dhe ndërkohë, askush nuk e përmend atë që një prej virologëve më të famshëm gjermanë postonte dje në Tuiterin e tij. Një statistikë tej mase domethënëse:

“10 milion doza Pfizer, 15 raste të mpiksjeve të gjakut. 10 milion doza të AstraZeneca, 13 raste të mpiksjeve të gjakut”. Duket se, përtej shqetësimeve të sigurisë, një luftë e egër tregtare është duke u zhvilluar në sfond.

E ndërkohë që OBSH ka qenë vazhdimisht një pikë e qëndrueshme referimi për të gjitha shtetet, të cilat kontribuojnë edhe financiarisht në këtë institucion ndërkombëtar, këtë herë, deklaratat e saj kanë rënë në vesh të shurdhër.

Në Gjermani, ndërkohë që ministri i Shëndetësisë e tha qartë se “nuk ka prova që vaksina e AstraZeneca është shkak”, dhe se “7 raste tromboze janë shumë pak në krahasim me 1.6 milion vaksinime të kryera”, eksperti i shëndetit i social demokratëve, Karl Lauterbach deklaroi se është “gabim pezullimi i AstraZeneca-s”, duke argumentuar më tej se “ky vendim do të sillte më shumë humbje jetësh se sa shpëtime jetësh”.

Dhe ndërkohë, ky pezullimi me gjasë do të sjellë kaos në planet për dozën e dytë të miliona gjermanëve të vaksinuar.

Edhe Italia e ka pezulluar për shkak të një personi në Piemonte që ka ndërruar jetë. Duke u sjellë si një shtet, ku në një vit, virusi nuk ka bërë kërdinë duke marrë mbi 100 mijë jetë.

Më i arsyeshëm është dukur Ministri i Shëndetësisë i Polonisë, i cili ka thënë se “përfitimet e përdorimit të kësaj vaksine janë shumë më të mëdha se sa risqet”.

Një verdikt e ka dhënë edhe OBSH, zëdhënësja e të cilës ka deklaruar se “deri më sot, nuk ka asnjë provë që incidentet të jenë shkaktuar nga vaksina dhe është e rëndësishme që fushatat e vaksinimit të vazhdojnë, me qëllim që të shpëtojmë jetë dhe të mos lejojmë forma të rënda të sëmundjes nga virusi”.

Ndërkohë, ka një vend ku janë kryer 11 milion vaksinime me vaksinën e prodhuar nga Universiteti i Oksfordit: Britania e Madhe. Ekspertët e lartë të shëndetit publik atje, kanë hedhur poshtë kategorikisht dëmet e mundshme. Prova e tyre? 11 milion qytetarë britanikë, që kanë marrë dozën dhe nuk kanë shfaqur as edhe një shqetësim.

Boris Johnson vetë deklaroi: “Autoriteti ynë rregullator shëndetësor është ndër më të rreptët dhe më me eksperiencë në botë. Dhe ata nuk shohin asnjë arsye për të mos e vazhduar programin e vaksinimit. Kështu që vazhdojmë të kemi shumë besim për programin dhe është shumë gjë e mirë që po e shpalosim me këtë shpejtësi në të gjithë vendin”.

Për shumëkënd, ajo që po ndodh kujton një lajm që tani është harruar, edhe pse disa muaj më parë bëri bujë. Në disa azile pleqsh në Norvegji, disa të moshuar kishin ndërruar jetë pasi kishin bërë vaksinën e Pfizer/BionTech. Atëherë, Norvegjia pezulloi vaksinimin dhe Pfizer kreu një rishqyrtim të brendshëm, si dhe doli me një deklaratë për mungesën e lidhjes shkak-pasojë.

Të njëjtën gjë ka bërë edhe Universiteti i Oksfordit sot, edhe Kryeministri i Britanisë së Madhe, edhe vetë OBSH. Po këtë herë, mendjekthjelltësia e ekspertëve që nuk shohin shkak-pasojë, duket të jetë shumë më e dobët përballë korit të pavendosmërisë, që “nuk sheh lidhje mes vaksinës dhe shenjave, por gjithësesi do e pezullojë vaksinën, për ta rifilluar përsëri vaksinimin…”.

Evropa e kaosit gjatë Covid-19 nuk zhgënjeu as këtë herë. / bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat