Gjermani, pezullohen në disa rajone vaksinimet me AstraZeneca për personat nën 60 vjeç

Evropë

Gjermani, pezullohen në disa rajone vaksinimet me AstraZeneca për personat nën 60 vjeç

Më: 31 mars 2021 Në ora: 00:42
AstraZeneca

Kancelarja Angela Merkel do të zhvillojë një takim urgjent të ejten me guvernatorët e 16 shteteve të Gjermanisë mbi vazhdimin e përdorimit të vaksinës së kompanisë AstraZeneca kundër koronavirusit.

Disa zyrtarë rajonalë pezulluan vaksinimet të martën për njerëzit nën 60 vjeç pas raporteve të reja të mpiksjeve të pazakonta të gjakut. Zyrtari i lartë shëndetësor i Berlinit tha se veprimi ishte thjesht si një masë shtesë kujdesi.

Agjencia gjermane e ilaçeve njoftoi se tani ka marrë njoftime për 31 raste të mpiksjes së rrallë të gjakut tek persona që kanë bërë vaksinën e prodhuar nga AstraZeneca. Ai tha se me përjashtim të dy rasteve, të gjitha të tjerat ishin gra të moshës 20 deri në 63 vjeç. Nëntë njerëz vdiqën.

Lajmi vjen më pak se dy javë pasi rregullatori i BE-së për ilaçet tha se vaksina nuk rrit shanset e mpiksjes së gjakut, por nuk mund të përjashtonte një lidhje midis vaksinës dhe disa mpiksjeve të pazakonta të gjakut. Agjencia Evropiane e Ilaçeve tha në atë kohë se përfitimet nga vaksina e AstraZenekës janë më të mëdha se sa rreziku që ajo mund të paraqesë.

Lajmi është një goditje e mëtejshme ndaj vaksinës, e cila është kritike për fushatën e imunizimit të Evropës dhe strategjinë globale për të vaksinuar popullatën e vendeve të varfëra.

Autoritetet në Berlin, Mynih, shtetin e Brandenburgut dhe shtetin më të madh të vendit, Vestfalen e Veriut, morën vendimin për të ndaluar përkohësisht vaksinimet për të rinjtë pasi agjencia gjermane e ilaçeve tha se kishte marrë raporte shtesë të një forme të pazakontë të mpiksjes së gjakut në kokë , e njohur si tromboza e venave të hundës, tek personat që së fundmi kanë bërë vaksinën e AstraZenekës. Në këto zona jeton gati një e treta e banorëve të Gjermanisë.

Instituti Paul Ehrlich tha se një total prej 31 mpiksjesh të gjakut u raportuan deri më 29 mars nga rreth 2.7 milionë doza të AstraZeneca që janë bërë në të gjithë Gjermaninë deri më tani.

Në një deklaratë, kompania AstraZeneca tha se dhjetëra miliona njerëz në të gjithë botën kanë marrë vaksinën e saj dhe vuri në dukje vlerësimin e Agjencisë Evropiane të Ilaçeve se përfitimet nga vaksina e saj janë më të mëdha se sa rreziku që ajo mund të paraqesë.

Kompania tha se do të vazhdojë të punojë me autoritetet gjermane për trajtuar çdo pyetje që ata mund të kenë, ndërsa gjithashtu po analizon të dhënat e saj për të kuptuar nëse mpiksjet e rralla të gjakut të raportuara ndodhin më shpesh "sesa që mund të pritej natyrshëm në një popullsi prej miliona njerëzish."

Pezullimet vijnë ndërsa Gjermania, së bashku me vendet e tjera evropiane, po përpiqet të zgjerojë programin e saj të vaksinimit, i cili mbetet shumë prapa fushatave të imunizimit në Britani dhe Shtetet e Bashkuara. Deri të hënën, rreth 13.2 milionë njerëz në vend kishin marrë të paktën një dozë vaksine, ndërsa gati 4 milionë kishin marrë të dyja dozat. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat