Kriza e emigrantëve, zbulohet thashethemi që dyndi marokenët drejt Spanjës

Evropë

Kriza e emigrantëve, zbulohet thashethemi që dyndi marokenët drejt Spanjës

Më: 19 maj 2021 Në ora: 13:07
Foto

Të mërkurën u ul numri i emigrantëve nga Maroku drejt Spanjës, pas mbërritjes së një rekordi prej 8 mijë vetash në fillim të javës.

Në qytetet spanjolle të Theutas dhe Melijas në Afrikën Veriore, trupat ushtarake zmbrapsën një fluks të ri refugjatësh, edhe me ndihmën e autoriteteve marokene.

Për shkak të lodhjes fizike nga ecja dhe noti 200 metra për të kaluar kufirin, shumë persona nuk i bënë rezistencë kthimit mbrapsht.

Problemi i emigrantëve këto ditë është bërë aq shqetësues sa kryeministri i Spanjës, Pedro Sançez, anuloi një vizitë të planifikuar në Paris për ta parë vetë nga afër situatën.

Sançez tha se vendi do të bëjë gjithçka për të mbrojtur integritetin e vet territorial.

Mijëra të rritur janë depërtuar kolektivisht në orët e fundit, ndërsa me fëmijët e emigrantëve po veprohet ndryshe pasi i mbron ligji spanjoll.

Mësohet se të dielën nisën të përhapen thashetheme se autoritetet marokene kishin ulur vigjilencën në pikën kufitare, duke bërë që shumë veta të vërshojnë drejt qytetit të vetëm të BE-së që ka lidhje tokësore me Afrikën.

Pasiviteti i rojave marokene dyshohet se erdhi si hakmarrje ndaj Spanjës, e cila po lejon liderin e një lëvizjeje nacionaliste ilegale në Marok, që të kurohet në spitalet spanjolle kundër covid-19.

"Veprimet kanë pasoja dhe kjo duhet pranuar," tha të martën ambasadorja marokene në Spanjë, teksa u thirr për sqarime në vendin e saj.

Tensionet diplomatike mes dy vendeve përshkallëzuan të mërkurën, pasi zëvendës presidenti i Komisionit Europian, Margaritis Sinas, tha se Europa nuk do kërcënohet prej askujt dhe as nuk do bjerë viktimë e taktikave me emigrantët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat