Certifikata e gjelbër e udhëtimit, pritet të miratohet në PE, në fuqi për 12 muaj

Evropë

Certifikata e gjelbër e udhëtimit, pritet të miratohet në PE, në fuqi për 12 muaj

Më: 21 maj 2021 Në ora: 15:51
Certifikata e gjelbër e udhëtimit

Komisioni dhe Këshilli Evropian kanë arritur marrëveshjen përfundimtare për të pasur sa më shpejt certifikatat digjitale çka do të lehtësonte udhëtimin në sezonin e verës.

Vendimi tashmë do të duhet të miratohet në Parlamentin Evropian në mënyrë që nga data 1 korrik të hyjë në fuqi përdorimi i certifikatave te gjelbra të cilat do të dëshmojnë nëse një person është vaksinuar, është shëruar apo rezulton negativ me COVID-19.

Kalimi i Gjelbër me këto pasaporta  do të jete në fuqi për 12 muaj. Zyrtarisht, certifikata nuk do të jetë një parakusht për ushtrimin e të drejtës së lëvizjes së lirë dhe nuk do të konsiderohet si një dokument udhëtimi.  Bashkimi Europian  tha se certifikata COVID-19 do të njihet nga të gjithë vendet anëtare të BE-së dhe se skema përfshin gjithashtu Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën.

Pas miratimit të certifikatës, vendet e Bashkimit Europian nuk do të jenë më në gjendje të vendosin kufizime të mëtejshme të udhëtimit, të tilla si karantina, vetë-izolimi ose tamponët.

E ndonëse OBSH-ja bën thirrje që sërish të shmangen udhëtimet ndërkombëtare, Spanja ka vendosur të mirëpresë jo vetëm qytetarët e unionit por të gjithë ata shtetas që vijnë nga vendet jo anëtare të BE-së mjafton që ata të jenë vaksinuar. 

Kryeministri Pedro Sanchez bëri me dije se ky vendim hyn në fuqi nga data 7 qershor. Paralelisht, nga 24 maji, Spanja do të lejojë që turistët nga vendet jo-anëtare të BE-së që vlerësohet se kanë një rrezik të ulët të infeksionit të koronavirusit të hyjnë pa një test negativ PCR.

Britania, tregu më i madh i Spanjës për turistët e huaj, do të përfshihet në listë, si dhe Australia, Zelanda e Re dhe Izraeli. Me rezervimet e hoteleve tashmë të rikuperuara që kur në Spanjë përfundoi  gjendja e jashtëzakonshme regjimi i ri i udhëtimit  shpresohet se do të lejojë ardhjet e turistëve ndërkombëtarë duke i dhënë frymëmarrje sektorit të turizmit dhe ekonomisë po ashtu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat