Gruaja që kujdeset për bletët e xhamisë në Londër

Evropë

Gruaja që kujdeset për bletët e xhamisë në Londër

Më: 24 maj 2021 Në ora: 07:33
Ajo kishte kërkuar nga xhamia që t’i vendosë zgjojet aty.

Të vendosura në kulmin e një xhamie në Londër, nëntë zgjoje me bletë punojnë vazhdimisht.

Xhamia ndodhet në pjesën lindore të qytetit historik të Londrës.

Zgjojet i takojnë Salma Attanit, themeluese e “Bushwood Bees”, që prodhojnë mjaltë dhe ku mbahen kurset për kujdesin e bletëve.

Ajo kishte kërkuar nga xhamia që t’i vendosë zgjojet aty.

“Menduan se ishte ide e mrekullueshme. Kështu që, filluam me vetëm një zgjua. Dhe kjo ndodhi në vitin 2011”, ka thënë ajo.

Mijëra bletë fluturojnë brenda dhe jashtë zgjojeve.

Attan i kontrollon një herë në javë gjatë sezonit aktiv për të parë nëse janë të shëndosha, kanë polen të mjaftueshëm dhe kanë hapësirë të mjaftueshme për t’u zgjeruar dhe për të mos shtegtuar.

Shtegtimi ndodh kur gjysma e bletëve në zgjua migrojnë për ta krijuar një zgjua të ri me më shumë hapësirë, duke e marrë mbretëreshën dhe duke lënë prapa vezë për të lindur një mbretëreshë e re në zgjua.

Nëse është vit i mirë, mblidhet mjaltë shtesë dhe një pjesë i jepet xhamisë.

“Morëm shumë mbështetje, veçanërisht në këto anë, sepse përderisa njerëzit kalojnë, është diçka shumë e pazakontë të shihet në një xhami. Nuk është diçka e zakonshme. Dhe reagimet nga komuniteti kanë qenë shumë pozitive”.

Trevor Dines, specialist i botanikës, ka vënë në pah se sa lehtë është që njerëzit të ndihmojnë me kopshte për të ndihmuar në shumimin e bletëve.

“Prilli është periudha normale që filloni të shihni shumë bletë përreth. Por ky prill ka qenë kaq i ftohtë, më i ftohti në 99 vjetët e fundit dhe mendoj se ka numër të vogël të kolonive”, ka thënë Dines.

Sipas Qendrës Kombëtare të Informacionit për Klimën, prilli i vitit 2021 kishte temperatura mesatare më të ulëta për prillin në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 1922.

Rreth 90 për qind e specieve të bimëve të egra në botë varen nga pllenimi, së bashku me më shumë se 75 për qind të të korrave në botë dhe 35 për qind të tokës bujqësore, sipas Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të OKB-së.

Dy vjet më parë, Organizata Bujqësore e Ushqimit me bazë në Romë dha një alarm që popullatat në rënie të bletëve paraqesin rrezik për sigurinë globale të ushqimit.

Dita Botërore e Bletëve në Kombet e Bashkuara shënohet çdo vit më 20 maj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat