SHBA, BE akuzojnë Bjellorusinë për përfshirje në akt terrorizmi shtetëror

Evropë

SHBA, BE akuzojnë Bjellorusinë për përfshirje në akt terrorizmi shtetëror

Më: 25 maj 2021 Në ora: 06:18
Raman Pratasevich

Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë evropiane akuzuan Bjellorusinë për përfshirje në një akt terrorizmi shtetëror, lidhur me ngjarjen e së dielës, kur autoritetet e saj detyruan një avion të bënte një ulje emergjente në Minsk pas një kërcënimi me bombë dhe më pas arrestuan një bloger, i cili kritikon Presidentin autoritar Alexander Lukashenko.

Udhëheqësit evropianë kërcënuan të hënën se do të kufizojnë trafikun ajror ndërkombëtar mbi Bjellorusi dhe mundësisht edhe transportin e saj tokësor.

"Kjo ishte në fakt pirateri ajrore, e sponsorizuar nga shteti," tha Ministri i Jashtëm i Irlandës Simon Coveney. Fjalëve të tij i bënë jehonë edhe vende të tjera.

Disa kompani ajrore thanë të hënën se do të shmangnin hapësirën ajrore bjelloruse, pa pritur udhëzimet e Bashkimit Evropian. Eurocontrol, Agjencia Evropiane e Kontrollit të Trafikut Ajror tha të hënën se po punonte për të ndihmuar linjat ajrore të anashkalonin hapësirën ajrore bjelloruse nëse dëshironin.

Ndërkohë, Lituania njoftoi se po dëbonte ambasadorin dhe të gjithë diplomatët e Bjellorusisë në përgjigje të incidentit.

Qeveria lituaneze po i këshillon qytetarët e saj të mos udhëtojnë në Bjellorusi dhe po u kërkon atyre që ndodhen atje të largohen menjëherë.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian po shqyrtojnë një përgjigje të përbashkët ndaj veprimit të Bjellorusisë, që detyroi uljen në Minsk të një avioni që fluturonte brenda vendeve të BE-së, në mënyrë që të arrestonte një gazetar të shquar të opozitës.

Raman Pratasevich, i cili drejtonte një aplikacion të njohur mesazhesh që luajti rol kryesor në mbështetjen e organizimit të protestave masive kundër presidentit autoritar të Bjellorusisë, ishte në avionin e kompanisë Ryanair që po fluturonte nga Athina e Greqisë për në Vilnius të Lituani, para se të bënte një ulje të detyruar në kryeqytetin bjellorus, Minsk, ndërsa fluturonte mbi Bjellorusi.

Kontrolli bjellorus i fluturimeve paralajmëroi ekuipazhin e avionit për një kërcënim të pretenduar me bombë dhe urdhëroi uljen në Minsk, ndërsa një avion luftarak bjellorus shoqëroi avionin e kompanisë Ryanair.

Menjëherë pas uljes, 26-vjeçari Pratasevich dhe e dashura e tij ruse, u morën nga policia. Avioni më në fund u lejua të vazhdojë fluturimin dhe u ul në Vilnius disa orë pas orarit.

Presidenti lituanez, Gitanas Nauseda, e quajti incidentin një "akt terrorist të sponsorizuar nga shteti" dhe propozoi ndalimin e uljes së avionëve bjellorusë në aeroportet e Bashkimit Evropian si dhe "sanksione serioze" kundër qeverisë bjelloruse.

Udhëheqës të 27 vendeve anëtare të BE-së që hapin një takim dyditësh të hënën, e vunë në krye të rendit të ditës këtë çështje mes dënimit të përbashkët të presidentit bjellorus, Aleksandër Lukashenko.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, e cilësoi veprimin bjellorus " një përpjekje tjetër të hapur nga autoritetet bjelloruse për të heshtur të gjithë zërat e opozitës". Ai e quajti uljen e detyruar të avionit një "hap të papranueshëm" duke vënë theksin te një përkeqësim i mëtejshëm i marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

Ministria e Jashtme bjelloruse të hënën kundërshtoi ashpër ato që i cilësoi si deklarata "agresive" të BE-së, duke këmbëngulur që autoritetet e vendit vepruan "në përputhje të plotë me rregullat ndërkombëtare".

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e quajti incidentin "tronditës" dhe akuzoi qeverinë bjelloruse për rrezikimin e jetës së udhëtarëve, në mesin e të cilëve kishte edhe disa amerikanë. Ai bëri thirrje për lirimin e gazetarit Pratasevich dhe që Këshilli i Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil të shqyrtojë incidentin.

Bjellorusia thotë se ajo veproi në përgjigje të një kërcënimi për bombë gjatë fluturimit, i cili doli të ishte një alarm i rremë. Ajo tha të hënën se kontrollorët e saj tokësorë kishin dhënë udhëzime për avionin por nuk e kishin urdhëruar të ulej. Media shtetërore tha se ndërhyrja u urdhërua personalisht nga Presidenti Alexander Lukashenko.

Rusia, e cila i ka dhënë mbështetje të gjithanshme Lukashenkos, akuzoi Perëndimin për hipokrizi. Ajo vuri në dukje se në vitin 2013 një fluturim nga Moska ku ndodhej presidenti i Bolivisë, ishte devijuar për në Austri pas njoftimeve se në bord mund të ishte fshehur Edward Snowden, ish-kontraktori i inteligjencës amerikane, i cili përpiqej t'i shpëtonte arrestimit nga autoritetet e SHBA.

Faqet që ndjekin fluturimet treguan se avioni Ryanair ishte rreth 10 kilometra nga kufiri lituanez, kur u detyrua të ndërrojë itinerar.

“Unë e pashë këtë djalosh bjellorus me të dashurën të ulur pas nesh. Ai u tmerrua kur piloti tha që fluturimi është devijuar për në Minsk. Ai tha se atje e pret dënimi me vdekje”, tha udhëtari Marius Rutkauskas pasi avioni arriti më në fund në Vilnius. Ata u morën (nga autoritetet) dhe “ne nuk i pamë më”, tha ai.

Gazetari Protasevich ishte bashkëthemelues i kanalit Telegram NEXTA Live, i cili ka mbuluar protestat që shpërthyen në Bjellorusi pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale gushtin e kaluar. Autoritetet bjelloruse e kanë cilësuar atë si ekstremist dhe kanë ngritur akuza kundër tij për nxitje të trazirave. Gazetari Pratasevich, mund të përballet me 15 vjet heqje lirie nëse dënohet.

Protestat disamujore në Bjellorusi morën shkas nga zgjedhja e Lukashenkos për një mandat të gjashtë presidencial, në zgjedhjet e muajit gusht që opozita i denoncoi si të manipuluara. Më shumë se 34 mijë njerëz janë arrestuar në Bjellorusi që nga gushti dhe mijëra janë rrahur brutalisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat