​Europol: 1.5 ton heroinë e kapur në Konstancë, 10 të arrestuar

Evropë

​Europol: 1.5 ton heroinë e kapur në Konstancë, 10 të arrestuar

Më: 27 maj 2021 Në ora: 12:46
Foto ilustrim

Europol njoftoi sot se mbështeti policinë rumune në shkatërrimin e një grupi të organizuar kriminal të përfshirë në një tregti të madhe droge.

Agjencitë e zbatimit të ligjit nga Austria, Belgjika, Republika Çeke, Franca, Gjermania, Hungaria, Holanda, Sllovakia dhe Sllovenia morën pjesë në operacionin, në të cilin 1.5 ton heroinë u kap në portin rumun të Konstancës.

Në operacionin e kryer më 19, 20 dhe 25 maj, u kontrolluan 12 vendndodhje në Belgjikë, Hungari, Holandë dhe Rumani, u arrestuan 10 të dyshuar - shtatë në Belgjikë, dy në Holandë dhe një në Rumani dhe 1.452 kilogramë heroinë u sekuestruan në vlerë 45 milionë euro.

Autoritetet rumune gjetën dhe sekuestruan heroinë të fshehur në dy kontejnerë të ngarkuar me pllaka mermeri.

Dërgesa arriti në portin rumun të Konstancës nga Lindja e Mesme. Autoritetet belge arrestuan një të dyshuar tjetër më 25 maj.

Operacioni është rezultat i një hetimi një vjeçar kundër një rrjeti kriminal të profilit të lartë të përfshirë në kontrabandën e drogës.

Aksioni i përbashkët operativ në të gjithë BE-në, në të cilin 90 oficerë policie morën pjesë vetëm në Rumani, u bë i mundur nga koordinimi i shpejtë i gjyqësorit dhe koordinimi i oficerëve të zbatimit të ligjit, me mbështetjen e Europol dhe Eurojust, thuhet në deklaratë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat