Kroacia hap plazhet pas mbylljes shkaku i COVID-19

Evropë

Kroacia hap plazhet pas mbylljes shkaku i COVID-19

Më: 31 maj 2021 Në ora: 07:35
Kroaci

Këto pamje përbëjnë një kartolinë të përkryer për qytetin e rajonit të Istrisë së Kroacisë, Rovinj.

Aty, maskat mbrojtëse shihen rrallë në fytyrat e qytetarëve tek lëvizin nëpër rrugë dhe frekuentojnë restorantet.

Situata me pandeminë po konsiderohet e qetë në Istria, pjesa më veriore e bregdetit kroat, e famshme për plazhet spektakulare, malet e thepisura, brigjet e prodhimit të verës, tartufët e shijshëm, vajin e ullirit dhe përshutën.

Hotelet dhe restorantet kanë hapur dyert për vizitorët që dalëngadalë po fillojnë të arrijnë në këtë qytet, qysh para fillimit të qershorit.

Kroacia është një prej shteteve të para evropiane që ka hequr shumicën e masave kundër koronavirusit për udhëtarët që hyjnë në vend.

Numri i infektimeve ka rënë theksueshëm teksa zyrtarët shpresojnë se 50 për qind e popullsisë 4-milionëshe kroate do të vaksinohet deri nga mesi i verës.

Turistët nga Evropa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më gjerë do të mund të hyjnë në vend duke e pasur si dëshmi certifikatën e vaksinimit, testin negativ të COVID-19 apo dëshminë se e kanë kaluar virusin.

Atyre që punojnë në sektorin e turizmit do t’u jepet prioritet për t’i marrë vaksinat, si pjesë e shtysës për ringjalljen e sektorit.

Do të vendosen edhe disa vende për testet PCR ashtu që turistëve t’u lehtësohet kthimi në vendet e tyre, po qe se atyre u kërkohet dëshmia se nuk janë bartës të virusit, ka shpjeguar Goran Pavlloviq, që punon për bordin e turistëve në një resor të Opatisë.

“S’do mend se do të jetë një vit sfidues për ne, kryesisht shkaku i situatës me pandeminë. Pasi që Kroacia varet shumë nga turizmi, qeveria dhe sektori i turizmit po bëjnë çmos për t’u përgatitur. Andaj, sektori i turizmit ka filluar që të vaksinohet, të gjithë punëtorët e hoteleve, restoranteve dhe banesave private po vaksinohen, në mënyrë që të ketë siguri për turistët. Po kështu, kemi organizuar testime në disa vende për udhëtarët dhe vizitorët. Siç po shihet, jemi duke punuar shumë”, ka thënë ai.

Turizmi është sektor me rëndësi për Kroacinë, pasi që gjeneron 20- përqindëshin e të hyrave nga vizitorët e huaj gjatë verës.

Maja Segon, recepsioniste në hotelin “Savoy” në Opati, vetëm sa është vaksinuar dhe po e pret rikthimin e mysafirëve në hotel.

“Sot jam vaksinuar dhe disa prej kolegëve të mi, ngase imunizimi është i nevojshëm dhe ne duam gjithashtu që më në fund t’i shohim buzëqeshjet e mysafirëve, pa maska në fytyra”, ka thënë ajo.

Ligjvënësit e Bashkimit Evropian dhe shtetet anëtare kanë arritur kompromis më 20 maj për lëshimin e të ashtuquajturave certifikata të COVID-19, të cilat do t’ua hapin rrugën plasimit të pasaportave.

Ky sistem parashikohet që të hyjë në fuqi më 1 korrik, duke ua mundësuar qytetarëve udhëtimet përbrenda 27 vendeve anëtare të bllokut evropian pa vrarë mendjen për karantinim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat