Tusk: Po kthehem për t’iu kundërvënë agjendës së Vladimir Putinit në Evropë

Evropë

Tusk: Po kthehem për t’iu kundërvënë agjendës së Vladimir Putinit në Evropë

Më: 5 korrik 2021 Në ora: 16:44
Donald Tusk

Ish-kryeministri i Polonisë dhe ish-presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk është kthyer në mënyrë të befasishme si kreu i partisë opozitare Platforma Qytetare (PO), pas dorëheqjes së nënkryetarit Borys Budka.

Sipas Tuskut, kthimi i tij është për të ndihmuar në luftën kundër “së keqes” së lëvizjes aktuale të ekstremit të djathtë.

“Arsyeja politike për kthimin tim është besimi se PO është thelbësore, është e nevojshme si forcë, jo si kujtesë – për të fituar luftën për të ardhmen kundër Partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS) [e cila është parti e ekstremit të djathtë]”, tha Tusk, raporton Euractiv.

Pasi u largua nga politika polake si kryeministër i vendit nga viti 2007-2014, ai u bë president i Këshillit Evropian përpara se të bëhej kreu i Partisë Popullore Evropiane (EPP).

Jarosław Kaczyński, udhëheqësi i PiS, ishte midis pjesëmarrësve të udhëheqësve të partive të ekstremit të djathtë nga 16 vendet e Bashkimit Evropian, të cilët javën e kaluar nënshkruan një dokument që bën thirrje për reformim të thellë të BE-së, ku sipas, “në vend që të mbrojë Evropën dhe trashëgiminë e saj, ajo vetë po bëhet burim i problemeve”.

Bashkënënshkruesit e dokumentit përfshijnë udhëheqësit e Frontit Kombëtar të Francës, PiS-it polak, Fidesz të Hungarisë dhe Lega Nord të Italisë.

“Presidenti Kaczyński dhe shokët e PiS-it sot duhet të kërkojnë falje. PiS zbaton 100 për qind agjendën e Rusisë. Unë tërbohem kur dëgjoj për atë që bëjnë ata sepse e keqja që bën PiS është kaq e dukshme dhe e turpshme”, shtoi ai.

Tusk tha se “miqtë e rinj” të Kaczyńskit kanë një gjë të përbashkët: “Rusia e Vladimir Putinit është më afër zemrave të tyre sesa Bashkimi Evropian”.

Sipas tij, nënshkrimi i Kaczyńskit ishte një hap tjetër drejt “izolimit të plotë” të Polonisë.

“Në të vërtetë personi i vetëm që hap shampanjë pas vendimeve të PiS-it është Putini në Kremlin”, tha Tusk.

E Djathta e Bashkuar në pushtet e Polonisë (Zjednoczona Prawica), nga e cila PiS është grupi më i madh, është akoma kryesuese në sondazhe, por javëve të fundit janë shfaqur mosmarrëveshje midis partnerëve të koalicionit, ku tre ligjbërës u larguan nga grupi parlamentar i PiS-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat