Padia për shpifje kundër gazetares në Londër, reagojnë aktivistët

Evropë

Padia për shpifje kundër gazetares në Londër, reagojnë aktivistët

Më: 6 gusht 2021 Në ora: 17:56
Londër

Pronari i klubit të futbollit “Chelsea”, oligarku rus Roman Abramovich dhe gjigandi shtetëror i naftës rus “Rosneft” kanë ngritur padi për shpifje kundër autores së një libri që tregon ardhjen në pushtet të presidentit rus,Vladimir Putin. Aktivistët thonë se ky rast kërcënon lirinë e shtypit.

Në librin e saj “Njerëzit e Putinit”, i botuar në vitin 2020, autorja Catherine Belton shkruan se oligarku rus Roman Abramovich bleu klubin e futbollit “Chelsea” në vitin 2003 me urdhër të presidentit Vladimir Putin, për të zgjeruar ndikimin rus jashtë vendit.

Avokati i zotit Abramovich i tha Gjykatës së Lartë të Londrës se libri kishte pasaktësi të pajustifikueshme dhe se krijonte idenë se pronari i klubin e futbollit “Chelsea” ishte “arkëtari i Putinit”.

Abramovich mohon se ka blerë klubin anglez të futbollit me urdhër të presidentit rus. Autorja e librit Catherine Belton thotë se ka cituar dy burime. Njëri ishte një ish-agjent i qeverisë ruse, Sergei Pugachev dhe tjetri një burim anonim. Mbrojtësit e lirisë së shtypit thonë se gjyqet po përdoren për t’i bërë gazetarët të heshtin.

“Shqetësimi këtu është se kjo mund të çojë në krijimin e një ‘klimë frike’, që do të pengonte gazetarinë hulumtuese. Do të sillte një pengesë për t’iu bërë pyetje nerëzve që ushtrojnë fuqi, kanë pasuri dhe ndikim të madh. Bëhet fjalë për Rusinë, ka të bëjë me paratë ruse, por gjithashtu ka të bëjë me ndikimin rus në Britani,” thotë Seamus Dooley nga Unioni Kombëtar i Gazetarëve.

Gjigandi shtetëror energjetik rus “Rosneft” po ashtu ngriti padi pas botimit të librit ndaj gazetares Catherine Belton si edhe botuesit të librit.

Avokatët e “Rosneft” deklaruan se disa pasazhe në libër, që tregonin se kompania kishte blerë aksione të kompanisë ruse të naftës “Yukos”, në një ankand të manipuluar, ishin të pasakta.

Por avokatët e autores Catherine Belton i thanë gjykatës se ky ishte një rast investigimi, bazuar në burime të shumta, kërkime dhe intervista për disa vjet. Ndërsa zonja Belton tani është e pandehur, pasuritë e saj personale janë në rrezik.

“Ne duhet të jemi shumë të qartë se ekziston një e drejtë për të mbrojtur reputacionin personal. Por kur ligji kundër shpifjes përdoret për të parandaluar, siç po ndodh më duket në këtë rast, për të penguar zbulimin e çështjeve me interes publik, atëherë duhet të pyesim nëse ligji është i dubishëm,” thotë Seamus Dooley nga Unioni Kombëtar i Gazetarëve.

Aktivisti i të drejtave të njeriut, Bill Browder i trembet një efekti tronditës në media.

“Do të ketë më pak raportime serioze dhe libra më të butë në akuzat që ngrenë për korrupsionin në Rusi, për Putin dhe për oligarkët sepse të gjithë do të kenë frikë se mund ta gjejnë veten në të njëjtën situatë”, thotë ai.

Faktet nga libri i zonjës Belton përmenden edhe në një video që kreu i burgosur i opozitës ruse Alexei Navalny ka postuar në internet, ku mes të tjerash ai pretendon se presidenti Putin zotëronte një rezidencë sekrete prej një miliard dollarësh në Detin e Zi. Zoti Putin e mohon këtë akuzë.

“Jam i sigurt se Kremlini do të përdorë çdo aspekt të këtij rasti si propagandë”, thotë Bill Browder, aktivisti i të drejtave të njeriut.

Seanca e parë e gjyqit nisi muajin e kaluar me leximin e pazasheve të librit që janë të kontestuara, ndërsa një vendim pritet muajin e ardhshëm./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat