Roli i Lëvizjes "Ura" në formimin e qeverisë së re të Malit të Zi

Evropë

Roli i Lëvizjes "Ura" në formimin e qeverisë së re të Malit të Zi

Më: 22 gusht 2021 Në ora: 20:25

Zyrtari i lartë i Lëvizjes qytetare “URA” dhe Drejtori i Drejtorisë së Inspektoriatit në Mal të Zi, Ilir Harasani vlerëson se kjo Lëvizje luajti një rol vendimtar në ndryshimet politike në Mal të Zi.

Në një intervistë dhënë “Zërit të Amerikës” Harasani tha se Lëvizja qytetare “URA” e Dritan Abazoviqit në qeverinë e re të Malit të Zi bëri ndryshime të dukshme që, siç shprehet ai, nuk u bënë për 30 vjet.

“Ka munguar vullneti politik, pasi gjërat që nuk u realizuan për 30 vjet u realizuan për 6 muaj. Ne kemi njëfarë satisfakcioni që këto kërkesa u realizuan ku edhe populli i ka përfitimet e veta, ndërkaq a do të kemi ne përfitime si lëvizje është relative, sepse ne kemi arritur atë për çka jemi zotuar”, tha zoti Harasani.

Harasani beson se veprimtaria politike e Lëvizjes qytetare “URA” do të shënoj një rritje të theksuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Mal të Zi dhe do të jetë përcaktuese në skenën politike malazeze.

“Ne jemi optimist, që nga 30 gushti kur ishin zgjedhjet parlamentare, Lëvizja shënoi një rritje gati të dyfishuar. Me statistikat e fundit ne kemi rritje edhe në përqindje. Prej 5.5% analizat tregojnë një rritje deri në 9 apo 10 % dhe këtë e bëri qëndrimi dhe rruga që jemi duke ndjekur”, vlerësoi zoti Harasani.

Zoti Harasani nuk e përjashton mundësinë që në pranverën e ardhshme, kur do të zhvillohen zgjedhjet vendore në Mal të Zi, të mbahen edhe ato parlamentare për shkak të mosmarrëveshjeve politike në koalicionin qeverisës.

“Unë mendoj se kjo qeverisje do të vazhdoj, por nuk jam i sigurte që do ta përfundojë mandatin 4 vjeçar, por të paktën deri në pranverën e 2022 kur janë të parapara mbajtja e zgjedhjeve lokale në Mal të Zi kjo qeveri do të mbijetojë. Nuk i konvenon as partisë proserbe Frontit Demokratik, i cili i ka fituar votat nga qytetarët për rrëzimin e pushtetit të presidentit Milo Gjukanoviq, sepse me rrëzimin e kësaj qeverie kthehet përsëri pushteti i mëparshëm", tha zoti Harasani.

Ai vlerëson se Lëvizja qytetare “URA” do të mbetet faktor në ruajtjen e qëndrueshmërisë në vend dhe garantuese në integrimet evropiane të Malit të Zi./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat