Objekt i ri për depozitimin e karburantit bërthamor në Çernobil

Evropë

Objekt i ri për depozitimin e karburantit bërthamor në Çernobil

Më: 4 shtator 2021 Në ora: 21:59
Volodimir Holosha

E ardhmja e sektorit të energjisë bërthamore të Ukrainës gjendet në një objekt në Çernobil, ku do të depozitohet karburanti i përdorur bërthamor.

Korporata ukrainase Energoatom mundësoi një vizitë në këtë kompleks, përpara se objekti të fillojë funksionimin operacional.

Zëvendës shefi i inxhinierisë së projektit Atom, Volodimir Holosha beson se kjo do të ndryshojë mënyrën se si funksionon sektori bërthamor i Ukrainës.

"Eksplorimi i kësaj teknologjie dhe ky objekt do të thotë se ne nuk jemi të ndërvarur nga vendet e tjera. Angazhuam entitete ukrainase në inxhinieri dhe në shfrytëzim. Ne gjithashtu i kemi përfshirë ata në procesin e ndërtimit," thotë ai.

Kjo do të thotë se nuk do të duhet të shpenzojnë fonde për ta dërguar karburantin e përdorur në Rusi, por do të jenë në gjendje ta depozitojnë këtu.

Deri më tani, Ukraina ka shpenzuar rreth 200 milionë dollarë për projektin, por kostoja përfundimtare ka të ngjarë të jetë 1.7 miliardë dollarë.

Teknologjia kryesore vjen nga kompania amerikane Holtec International.

Ukraina ka blerë 90 kontenierë për ruajtjen e mbeturinave bërthamore.

Petro Kotin, presidenti në detyrë i Kompanisë ukrainase Energoatom, thotë se në të ardhmen Ukraina do të prodhojë kontenierët e saj, pa përfshirjen e kompanisë Holtec.

Objekti aktualisht është në fazë testimi.

Punëtorët po shqyrtojnë protokollet për transportimin e karburantit bërthamor të përdorur nga platforma hekurudhore e ndërtuar rishtasi në objektin e magazinimit.

Për momentin, kontenierët janë bosh, por një ditë ata do ta bëjnë punën e tyre reale.

Ivan Yevenko, i cili ka një përvojë 20 vjeçare të punës në Çernobil, thotë se gjithçka bëhet qëllimisht ngadalë, për arsye sigurie.

"Shpejtësia e këtij kamioni kur është i mbushur me karburant është maksimalisht 320 metra në orë. Është një regjim special për kamionët e mbushur për të parandaluar përplasjen. Kur është bosh është 610 metra (në orë)", shpjegon ai.

Kjo është hera e parë që mediat kanë pasur mundësi ta vizitojnë objektin - dhe mund të jetë hera e fundit.

Kur të mbërrijë sasia e parë e karburantit të përdorur bërthamor, zona do të ruhet nga ushtria dhe shërbimi ukrainas i sigurisë dhe qasja do të kontrollohet rreptësisht./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat