Spanjë, iniciativë për të mbrojtur zaptuesit e banesave të boshatisura

Evropë

Spanjë, iniciativë për të mbrojtur zaptuesit e banesave të boshatisura

Më: 29 shtator 2021 Në ora: 19:08
Spanjë

Pandemia e ka përkeqësuar krizën e strehimit të përballueshëm në Spanjë dhe organizatat bamirëse tani po i bëjnë presion qeverisë të miratojë një ligj strehimi që do t’i bënte të disponueshme shtëpitë e boshatisura. Kjo nismë po shkakton fërkime të reja midis fraksioneve politike spanjolle dhe shqetësim në mesin e investitorëve të pasurive të patundshme.

Bibiana Murillo, një emigrante kolumbiane, nënë e pamartuar, ka marrë urdhër për t’u larguar nga banesa. Pa dokumente dhe mundësi për të marrë me qera një banesë tjetër, ajo u vendos në një banesë të boshatisur në pronësi të një banke.

“Jetoj me stres dhe ankth. Në çdo moment mund të më dëbojnë nga banesa", thotë ajo.

Zonja Murillo kishte nevojë të gjente strehim për dy fëmijët e saj. Ajo gjeti mbështetje nga organizata Platforma për Personat e Ndikuar nga Kreditë e Shtëpive, ose “PAH”. Kjo organizatë po i bën presion qeverisë që të miratojë një projektligj për të garantuar të drejtën e strehimit të denjë dhe të përshtatshëm, i cili mbështetet nga shumë organizata të tjera.

"Në Spanjë, nëse keni një proces të sekuestrimit të pronës, banka e merr shtëpinë. Ata i mbajnë të gjitha paratë që keni paguar deri në momentin e sekuestrimit. Pra, ju gjithashtu jeni përgjegjës për borxhin e bankës sepse nuk ishit në gjendje ta paguani atë. Kjo është krejtësisht e ndryshme nga pjesa tjetër e botës", thotë Santi Mas nga organizata “PAH”.

Organizata lufton kundër dëbimeve të njerëzve nga banesat dhe u jep këshilla ligjore atyre që sistemohen në banesat e boshatisura, në pronësi të bankave.

Organizata “PAH” e konsideron këtë si "ripërvetësim" dhe ka kërkuar që qeveria të detyrojë pronarët që t'i vënë në shitje banesat e boshatisura ose t'i japin me qera për njerëzit me të ardhura të ulëta.

Konservatorët e quajnë atë një shkelje të të drejtave të pronësisë private.

"Ne jemi plotësisht kundër masës së propozuar. Respekti për pronën private është themelor. Por, në të njëjtën kohë, ne duhet t'i kushtojmë vëmendje faktit se kemi njerëz që nuk kanë strehim", tha zëdhënësi i partisë konservatore VOX, Joan Garriga

Publikimi i informacioneve të rreme në rrjetet sociale dhe mediat kryesore në lidhje me banesat e boshatisura ka bërë që njerëzit të besojnë se shtëpitë e tyre mund të zaptohen me lehtësi.

Kjo ka alarmuar pronarët e tyre dhe ka shkaktuar një rritje të biznesit për kompanitë që ofrojnë produkte dhe shërbime sigurie për shtëpitë. Aktualisht, reklamuesi më i madh në Spanjë është një kompani sigurie.

"Kjo më bëri të instaloj kamera sigurie."

Eduard Soler është pronar i rreth 14 apartamenteve. Ai nuk ka patur nevoj të merret me zaptuesit, por njoftimet se ata mund të shfaqen në çdo moment në pronat e tij e kanë shtyrë atë të marrë masa për këtë.

Kompanitë e sigurisë fizike kanë parë gjithashtu një rritje në muajt e fundit. Pronarët punësojnë këto kompanive për të hequr qafe zaptuesit, ndonjëherë duke përdorur metoda të dyshimta.

"Që kur filloi pandemia, biznesi është dyfishuar ose trefishuar", thotë Javier Garcia nga kompania Fueraokupas.

Aktivistët duan që qeveria të detyrojë pronarët e pasurive të patundshme të korporatave të vënë shtëpitë e tyre në treg dhe të ofrojnë qera të përballueshme për të grupet e pambrojtura.

Alternativa për këtë është ripërvetësimi nga qytetarët i këtyre shtëpive të boshatisura në pronësi të institucioneve financiare.

Aktivistët thonë se tetëdhjetë për qind e shtëpive të zëna nga zaptuesit janë në pronësi të korporatave ose firmave të investimeve. Ata vlerësojnë se mijëra shtëpi të tilla në Spanjë janë të boshatisur, si këto apartamente, nga i cili banka dëboi pronarin e mëparshëm dhe instaloi një derë sigurie për të shmangur zaptuesit.

"Këto apartamente janë bosh, pa njerëz, ndërkohë që njerëz të tjerë po përpiqen që gjejnë një vend për të jetuar", thotë zonja Murillo.

Spanja ka numrin më të vogël të banesave me qera për personat me të ardhura të ulëta në Evropë.

Banka qendrore e vendit thotë se ndihma financiare për kreditë e shtëpive e vitit 2012 u kushtoi taksapaguesve spanjollë 76 milionë dollarë. Dhe 65 përqind e kësaj ndihme nuk është rikuperuar./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat