La Palma: Vullkani lëshon blloqe të mëdha llave të shkrirë

Evropë

La Palma: Vullkani lëshon blloqe të mëdha llave të shkrirë

Më: 11 tetor 2021 Në ora: 08:29
Vullkani “La Palma”

Instituti Gjeologjik Kombëtar i Spanjës tha se vullkani nxori në sipërfaqe blloqe llave të shkrirë, “të mëdha sa ndërtesa trekatëshe".    

Autoritetet spanjolle thanë se po mbajnë nën mbikqyrje një rrjedhje të rrezikshme llave në ishullin e La Palma-s, ku prej rreth tre javësh vullkani ka kaluar në gjendje aktive. Shpërthimi u shkaktua nga një kolaps i pjesshëm i konit pranë kanalit të emetimit të vullkanit. 

Instituti Gjeologjik Kombëtar i Spanjës (ING) tha se së fundmi janë ndjerë 21 lëvizje sizmike, më e madhja 3.8 e shkallës Rihter, e cila shkaktoi dridhje toke në fshatrat e Mazo, Fuencaliente dhe El Paso.

Image

Ky Institut publikoi pamje nga rrjedhjet e llavës, blloqet gjigante të së cilës rrokulliseshin poshtë kodrave.

Në një video të postuar në Twitter, blloqet e saj shihen duke pluskuar në një lumë të tërë llave dhe duke lëvizur me një shpejtësi marramendëse.

Instituti Vullkanik i Ishujve Kanarie raportoi se rrjedhja e llavës, që arriti temperaturën deri në 1240 gradë Celsius, shkatërroi ndërtesat e pakta që kishin mbijetuar deri tani në fshatin Todoque.

Image

Rrëzimi i pjesshëm i konit

Të shtunën (09.10), ING raportoi se kishte ndodhur një kolaps i pjesshëm pranë kanalit të emetimit të vullkanit. Kjo thuhet se shkaktoi krijimin e shkëmbinjve vullkanikë.

"Rënia e pjesës veriore të vullkanit Cumbre Vieja ka shkaktuar shkëputjen e blloqeve të mëdha dhe daljen në pah të rrjedhave të reja në zona tashmë evakuuara” - shkroi në Twitter Departamenti spanjoll i Sigurisë Kombëtare.

"Llava ka arritur deri pranë zonës industriale dhe ndërtesave të reja të Camino de la Gata” - bëri të ditur Agjencia.

Image

Instituti Vullkanik i Ishujve Kanarie raporton se deri tani janë shkatërruar rreth 1.186 ndërtesa, si pasojë e shpërthimit të vullkanit Cumbre Vieja, që vijon prej 19 shtatorit.

Rreth 493 hektarë tokë janë gllabëruar nga lumenjtë e llavës, bëri të ditur Miguel Ángel Morcuende, drejtori teknik i organizatës së Planit të Emergjencës për Ishujt Kanarie, Pevolca.

Rreth 6000 banorë të La Palma-s (nga 83.000 në total) janë evakuuar nga shtëpitë e tyre si pasojë e shpërthimit vullkanik./DW

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat