Nga 16 nëntori punonjësit në Kroaci duhet të kenë me vete certifikatën COVID për të punuar

Evropë

Nga 16 nëntori punonjësit në Kroaci duhet të kenë me vete certifikatën COVID për të punuar

Më: 12 nëntor 2021 Në ora: 17:53
Foto ilustrim

Shtabi Kombëtar i Mbrojtjes Civile Kroate mori sot vendim për certifikatat e detyrueshme të COVID në shërbimet publike dhe shtetërore, si dhe ato në nivel lokal, me mesazhin se qëllimi kryesor është mbrojtja e sistemit shëndetësor në mënyrë që ai të jetë i aksesueshëm për të gjithë pacientët.

Nga e marta, 16 nëntor, me ardhjen në punë, të gjithë punonjësit publikë dhe shtetërorë, si dhe ata në organet vendore, do të duhet të paraqesin certifikatën dixhitale të BE-së. Për ata që nuk janë vaksinuar apo janë infektuar me Covid, po vendoset masa e sigurisë e testimit të detyrueshëm për koronavirus, u tha në konferencën për shtyp të Shtabit Kombëtar të Kroacisë, transmeton Hina.

Zyrtarët dhe punonjësit janë të detyruar t'ia tregojnë certifikatat një personi të autorizuar nga punëdhënësi dhe kjo vlen edhe për palët që vijnë në ambientet e tyre, shpjegoi zëvendëskryeministri Davor Bozhinoviq. Kontrolli do të kryhet duke përdorur aplikacionin Covid Go dhe do të marrë një kohë shumë të shkurtër, shtoi ai.

Ata që refuzojnë testimin ose nuk tregojnë konfirmim nuk mund të hyjnë në hapësirën e punës, vuri në dukje ai.

Vendimi nuk vlen për studentët, nxënësit nën 16-vjeç, personat që sjellin fëmijë në institucione ose shoqërojnë një person që nuk mund të kujdeset për veten, ata që shkojnë për të marrë certifikatat digjitale të BE-së si dhe ata që kanë kundërindikacione për vaksinimi. Nuk vlen as për ata që shkojnë në postë për të marrë një dërgesë që mund të ketë pasoja ligjore.

Ky vendim nuk ka afat të kufizuar zbatimi. Në të njëjtën kohë, është lëshuar një rekomandim për punëdhënësit e tjerë (privat) që të bëjnë të njëjtën gjë.

Pasagjerët në transportin publik nuk duhet të kenë certifikata dhe të testohen, por duhet t'u përmbahen masave epidemiologjike.

Punonjësit që nuk janë shëruar nga COVID ose nuk janë vaksinuar do të duhet të testohen dy herë në javë dhe për këtë qëllim janë hapur më shumë se 6500 vende testimi, përfshirë në zyrat e kujdesit parësor dhe farmacitë. Vendi i testimit do të mund të përcaktohet edhe nga punëdhënësi, por atëherë certifikata e testimit do të jetë e vlefshme vetëm për të ardhur në punë.

Gjithashtu u theksua se falsifikimi i certifikatave të Covid është i pamundur për shkak se kodi QR është i nënshkruar në mënyrë digjitale dhe gjatë kontrollit të certifikatave është e rëndësishme të kontrollohet dokumenti i identifikimit. Manipulimi i certifikatave është vepër penale.

Deri më tani janë lëshuar 2.799.799 certifikata digjitale të BE-së dhe i kanë kërkuar 2.297.445 qytetarë.

Aplikacioni Covid Go përdoret për të ruajtur certifikatën në formë digjitale dhe sa herë që ndryshoni statusin në lidhje me vaksinimin, ju merrni një certifikatë të re të vlefshme për 12 muaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat