Eskalon përleshja, raportohet për 8 ushtarë të vrarë mes Armenisë e Azerbajxhanit

Evropë

Eskalon përleshja, raportohet për 8 ushtarë të vrarë mes Armenisë e Azerbajxhanit

Më: 17 nëntor 2021 Në ora: 10:11
Ilustrim

Zyrtarët armenë thanë të mërkurën se dhjetëra ushtarë të tyre janë kapur ose janë zhdukur pas përleshjeve të fundit në kufirin me Azerbajxhanin.

Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha në mëngjesin e së mërkurës se shtatë ushtarë të saj janë vrarë dhe dhjetë të tjerë janë plagosur në luftimet e reja në kufirin e përbashkët, që shpërthyen të martën.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Mbrojtjes së Armenisë, 13 ushtarë armenë janë kapur nga forcat azere dhe 24 të tjerë janë zhdukur dhe fati i tyre nuk dihet, shkruan Free Europe.

Në deklaratë shtohet se një ushtar armen është vrarë në luftime. Armenia thotë se këto luftime janë ndërprerë pas bisedimeve me Moskën.

Të dyja palët e fajësuan njëra-tjetrën për fillimin e konfliktit të ri në kohën kur tensionet mes dy ish-republikave sovjetike janë të larta që nga lufta e vitit të kaluar për Nagorno-Karabakun, gjatë së cilës u vranë së paku 6.500 njerëz.

Të martën, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë raportoi se përleshjet në kufirin Armeni – Azerbajxhan kanë pushuar pas arritjes së armëpushimit me ndërmjetësimin e Moskës. Armenia e konfirmoi këtë raportim.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Uashingtoni është i shqetësuar nga raportimet për luftime. Ai u bëri thirrje të dyja palëve që të angazhohen në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe konstruktive për t’i zgjidhur të gjitha çështjet, përfshirë demarkacionin e kufirit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat