Qindra migrantë të bllokuar mes kufirit Bjellorusi-Poloni

Evropë

Qindra migrantë të bllokuar mes kufirit Bjellorusi-Poloni

Më: 10 dhjetor 2021 Në ora: 18:09
Shumica e këtyre emigrantëve vijnë nga Kurdistani

Më shumë se një mijë refugjatë, shumë prej të cilëve fëmijë të vegjël, po jetojnë në një kamp të improvizuar mes temperaturave të akullta në Bjellorusinë lindore, një krizë humanitare që kritikët thonë se është politike. Vendet evropiane akuzojnë presidentin Alexander Lukashenko për përdorimin e emigrantëve si armë kundër Polonisë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ricardo Marquina njofton nga Bjellorusia.

Nën temperatura që arrijnë deri në minus 16 gradë, më shumë se një mijë emigrantë janë bllokuar në një qendër logjistike të ngritur nga autoritetet bjelloruse pasi Polonia përdori forcat e sigurisë për të ndaluar kalimin e tyre në Bashkimin Evropian.

Shumica e këtyre emigrantëve vijnë nga Kurdistani, të joshur nga premtimi se do të mund të kalojnë lehtësisht kufirin për në Poloni.

Mes tyre ka shumë familje me fëmijë të vegjël.

Tani, të bllokuar në Bjellorusi, ata ndjejnë se janë viktima të tensioneve gjeopolitike të panjohura më parë për ta. Ajo që ata duan është një jetë më e mirë në Evropë…

“Është e vërtetë që ka probleme mes Bjellorusisë dhe Polonisë, por kjo është një çështje politike. Këtu janë qenie njerëzore që kanë nevojë për Bashkimin Evropian”, thotë Farhad Mahamad, migrant nga Kurdistani i Irakut.

Shumica e migrantëve të intervistuar duan të shkojnë në Gjermani, të tjerët në Francë ose Spanjë. Askush nuk dëshiron të qëndrojë në Poloni.

Të gjithë thonë se duan të shpëtojnë nga varfëria dhe dhuna.

“Ne kërkojmë vetëm të na lënë të kalojmë, sepse në anën tjetër ka jetë më të mirë ku respektohen të drejtat e njeriut. Në vendet tona të drejtat e njeriut nuk respektohen”, thotë Doumbia Iacina mingrant nga Kongo.

Vendet perëndimore akuzojnë presidentin bjellorus Alexander Lukashenko për orkestrimin e kësaj krize për të dëmtuar stabilitetin dhe imazhin e BE-së, veçanërisht pasi Polonia përdori forcën policore për t'iu përgjigjur fluksit.

Emigrantët që kanë tentuar të hyjnë në Poloni dhe janë detyruar të kthehen, thonë se, pavarësisht dhunës që kanë pësuar, ata janë të gatshëm të përpiqen të kalojnë përsëri kufirin, përmes një zone pyjore që tani e quajnë "xhungël".

“Kam kujtime të këqija dhe ndihem e trishtuar, sepse na ndodhën shumë gjëra në ‘xhungël’. Ishte shumë e vështirë për ne. Të gjithë u sëmurëm nga spërkatja me gaz dhe piper. Por ne do të qëndrojmë këtu derisa Polonia të hapë kufirin” thotë Bahasht Shaxawan, migrante kurde.

Kërcënimi për t'u dëbuar nga Bjellorusia është i pranishëm. Ndërsa Bjellorusia ka premtuar mbështetje për këta emigrantë, dëbimet tashmë kanë filluar.

“Ushtarët erdhën, morën pasaportat me dhunë dhe i çuan njerëzit në aeroport, për t'i dërguar në vendet e tyre. Është katastrofike. Gjithashtu, këtu ka pak ushqim, nuk ka energji elektrike për të karikuar telefonat tanë, ka pak tualete që janë të neveritshme”, thotë Farhad Mahamad.

Emigrantët marrin tre vakte në ditë nga Kryqi i Kuq dhe ushtria, e cila siguron gjithashtu që askush të mos shpëtojë nga perimetri i kampit.

“Të gjitha nevojat bazë janë të mbuluara; njerëzit mund të jetonin këtu për një kohë të gjatë. Është tjetër pyetje nëse ata duan apo jo”, thotë Dmitry Shevtsov sekretar I përgjithshëm i Kryqit të Kuq bjellorus.

Emigrantët bien dakort se ajo që ata kanë këtu është më e mirë, në çdo rast, sesa jeta në pyll. Ata presin të kalojnë kufirin e Bashkimit Evropian me çdo mjet të mundshëm, një hap që në këto temperatura mund të nënkuptojë vdekjen./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat