Dhjetëra arrestime gjatë protestave kundër Erdoganit

Evropë

Dhjetëra arrestime gjatë protestave kundër Erdoganit

Nga: Sherif Ramabaja Më: 12 dhjetor 2021 Në ora: 18:37
Demonstrata e sindikatës të dielën në Stamboll: "Populli është i varfëruar" Foto: ERDEM SAHIN / EPA

Për shkak të krizës së monedhës në Turqi , shumë njerëz demonstruan në Stamboll dhe Ankara . Sipas organizatorëve, mijëra njerëz dolën të dielën nëpër rrugët e metropolit në Stamboll. Demonstruesit u mblodhën në pjesën aziatike të qytetit dhe mbanin tabela që shkruanin: “Mjaft!” Sindikata e majtë Disk kishte bërë thirrje për protestë.

Ndërkohë, të paktën 90 studentë janë arrestuar në Ankara, sipas nismës “Nuk gjejmë strehë”. Pavarësisht ndalimit nga ana e guvernatorit për demonstrata, ata u përpoqën të mblidheshin në kryeqytet. Prej kësaj vere studentët protestojnë kundër qirave të larta me fushata të ndryshme dhe kërkojnë strehim të përballueshëm. Në Twitter janë shpërndarë edhe regjistrime që tregojnë se si protestuesit janë arrestuar nga policia edhe jashtë qytetit të Ankarasë .

Protestat u shkaktuan nga rënia e vazhdueshme e monedhës vendase, lira (TL) dhe inflacioni i lartë, i cili, sipas informacioneve zyrtare, është mbi 20 për qind. Në Stamboll për shembull, sipas administratës së qytetit, jeta është bërë më shumë se 50 për qind më e shtrenjtë brenda një viti. Rritjen më të lartë të çmimit e ka shënuar vaji i lulediellit me një rritje prej rreth 138 për qind.

Sekretari i përgjithshëm i sindikatës Disk, Adnan Serdaroğlu, paralajmëroi në Halk TV: "Njerëzit po varfërohen". Në mitingun e së dielës para mbështetësve të shumtë, Arzu Çerkezoglu, kryetar i sindikatës Disk, tha : "Ne jemi të ngopur me rritjen e çmimeve dhe padrejtësitë!"

Sipas kritikëve, sfondi i krizës së lirës është ndër të tjera ndërhyrja e presidentit Recep Tayyip Erdoğan në politikën monetare të bankës qendrore. Erdogan vazhdimisht kërkon norma të ulëta interesi dhe në kundërshtim me teorinë aktuale ekonomike, mendon se normat e larta të interesit nxisin inflacionin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat