Gjermania kërkon reduktimin e armëve bërthamore

Evropë

Gjermania kërkon reduktimin e armëve bërthamore

Më: 14 dhjetor 2021 Në ora: 16:58
Annalena Baerbock

Ministrja e re e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock kërkoi sot arritjen e shpejtë të një marrëveshjeje konkrete ndërkombëtare për reduktimin e armëve bërthamore.

“Çarmatimi bërthamor ka nevojë urgjente për një shtysë të re”, deklaroi ajo, përpara se të nisej për një konferencë për çarmatimin në kryeqytetin suedez, Stokholm.

Në qendër të përpjekjeve të saj është Konferenca e Rishikimit të Traktatit të Mospërhapjes (së armëve bërthamore – ATSH), e cila do të zhvillohet në Nju Jork në janar, raporton atsh. 

“Që armët bërthamore nuk do të përdoren më kurrë është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë komunitetit ndërkombëtar”, theksoi Baerbock.

Udhëtimi i Baerbock në Stokholm është një shans për t’u konsultuar me partnerë të tjerë të përkushtuar sesi të bëhet një hap thelbësor më afër qëllimit të përbashkët për një botë pa armë bërthamore.

“Ne nuk mund të përballojmë një tjetër konferencë rishikimi pa rezultate të prekshme”, tha ajo.

SHBA është tërhequr nga disa marrëveshje çarmatimi, duke akuzuar Rusinë se nuk i respekton rregullat. Midis tyre është Traktati INF për ndalimin e armëve bërthamore me rreze të mesme me bazë tokësore.

Moska i ka hedhur poshtë akuzat dhe ka paralajmëruar se një tërheqje nga marrëveshjet mund të çonte në një garë armësh.

E vetmja marrëveshje e madhe e mbetur për kontrollin e armëve ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë është Traktati i Çarmatimit Bërthamor Strategjik të Fillimit të Ri.

Kjo kufizon arsenalet bërthamore të të dy vendeve në 800 sisteme shpërndarjeje dhe 1 mijë e 550 koka bërthamore të dislokueshme secila.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat