​Papa: Dhuna ndaj grave është “pothuajse satanike”

Evropë

​Papa: Dhuna ndaj grave është “pothuajse satanike”

Më: 19 dhjetor 2021 Në ora: 22:09
Papa Françesku

Papa Françesku dënoi sot dhunën ndaj grave dhe vlerësoi se burrat që kryejnë një dhunë të tillë janë të përfshirë në diçka që është “pothuajse satanike”.

Gjatë bisedimeve me tri gra dhe një burrë për rrjetin italian TG5, Papa tha se numri i grave që janë rrahur dhe dhunuar në shtëpitë e tyre ishte "shumë i lartë".

“Problemi është se për mua është thuajse satanike, sepse përdoret një person që nuk mbrohet dot, i cili mundet vetëm të ndalojë goditjen. Është poshtëruese. Është shumë poshtëruese”, tha Papa, duke iu përgjigjur një pyetjeje të një gruaje, viktimë e dhunës në familje, transmeton Reuters.

Papa tha se gratë që ishin rrahur dhe dhunuar nuk e kishin humbur dinjitetin e tyre.

“Unë shoh dinjitet te ju, sepse nëse nuk do të kishit dinjitet, nuk do të ishit këtu”, tha Papa, duke iu drejtuar një gruaje që ishte viktimë e dhunës në familje.

Gjatë bisedës, Papa dëgjoi gjithashtu një grua të pastrehë që fliste për jetën në rrugë dhe një burrë që po përpiqet të ngrihet në këmbë pas 25 vjetësh burg.

Që nga fillimi i epidemisë me koronavirus gati dy vjet më parë, Papa Françesku është shprehur disa herë kundër dhunës në familje, e cila është rritur në shumë vende që kur u futën masat kufizuese të bllokimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat