Autoritetet ruse bllokuan edhe një ueb-faqe të një organizate për të drejtat e njeriut

Evropë

Autoritetet ruse bllokuan edhe një ueb-faqe të një organizate për të drejtat e njeriut

Më: 25 dhjetor 2021 Në ora: 14:36
Autoritetet ruse mbyllen ueb-faqen e organizatës, OVD-Info

Autoritetet ruse bllokuan ueb-faqen e organizatës, OVD-Info, ndryshe vëzhgues i njohur në vend i të drejtave të njeriut që përcjell përndjekjet politike.

Sipas kësaj organizate, autoritetet ruse në këtë mënyrë vazhdojnë të shtypin disidentët.

Në anën tjetër, Gjykata Supreme ruse është duke shqyrtuar mundësinë e mbylljes së organizatës tjetër për të drejtat e njeriut, Memorial, e cila po ashtu bashkëpunon me OVD-Info.

OVD-Info, e cila përcjellë protestat e opozitës dhe ofron mbështetje ligjore për viktimat e përndjekjes politike njoftoi se Rregullatori rus për Media bllokoi ueb-faqen e saj në fillim të javës.

“Aktualisht nuk kemi marrë kurrfarë njoftimi dhe nuk e dimë arsyen përse është bllokuar ueb-faqja”, shkroi organizata në një postim në Twitter.

Në regjistrin e ueb-faqeve të bllokuara shkruan se Gjykata e Qarkut në Moskë më 20 dhjetor mori vendimin që “të limitohet” qasja në ueb-faqe. Por, më 25 dhjetor ueb-faqja nuk ishte e qasshme.

Përndryshe viti 2021, shënoi shtypjen historike të opozitës dhe mediave të pavarura në Rusi duke filluar nga burgosja e kritikut më të madh të Kremlinit, Alexei Navalny.

Në muajin shtator, Ministria ruse e Drejtësisë shtoi organizatën OVD-Info në listën e “agjentëve të huaj”, term ky nga epoka sovjetike, derisa organizata e përshkroi këtë vendim si “presion politik”.

Prokurorët rusë, akuzojnë organizatat për të drejtat e njeriut për shkelje të ligjeve dhe arsyetim të terrorizmit duke publikuar lista me të burgosur politikë që përfshijnë edhe figura të kundërshtuara nga autoritetet ruse sikurse, Navalny.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat