Në Vjenë rinisin bisedimet për ringjallje të marrëveshjes bërthamore

Evropë

Në Vjenë rinisin bisedimet për ringjallje të marrëveshjes bërthamore

Më: 27 dhjetor 2021 Në ora: 10:04
Ndërtesaku priten të mbahen bisedimet për marrëveshjen bërthamore të Iranit. Vjenë, Austri

Më 27 dhjetor pritet të rinisin bisedimet për të ringjallur marrëveshjen bërthamore që Irani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Negociatori i Bashkimit Evropian, Enrique Mora, ka bërë të ditur rinisjen e bisedimeve përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

“Bisedimet në Vjenë do të rinisin të hënën. Komisioni për marrëveshjen do të diskutojë dhe të përcaktojë rrugën tutje”, ka thënë Mora, i cili udhëheq këto bisedime.

Bisedimet janë përcjellë me përparim të vogël prej kur kanë nisur në muajin nëntor, pas pesë muajve bllokadë.

Në atë periudhë Irani ka zgjedhur presidentin e ri, Ebrahim Raisi.

Diplomatët nga palët që janë ende pjesë e marrëveshjes, Kina, Britania, Franca, Gjermania dhe Rusia – janë duke marrë pjesë në bisedime të drejtpërdrejta me Iranin.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë pjesë e këtyre bisedimeve në mënyrë indirekte, pasi janë larguar nga marrëveshja më 2018.

Në një deklaratë të BE-së është thënë se pjesëmarrësit do të “vazhdojnë diskutimet për kthimin e mundshëm të SHBA-së në marrëveshje dhe sigurimin e zbatimit të plotë të dokumentit”.

Ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amirabdollahian, ka thënë se negociatorët evropianë nuk kanë prezantuar “iniciativa të reja praktike” dhe nuk kanë qenë konstruktivë në rundin e fundit.

Marrëveshja bërthamore parasheh heqjen e sanksioneve ndaj Iranit, në këmbim të kufizimit të aktivitetit bërthamor.

Mirëpo kur Shtetet e Bashkuara janë larguar më 2018 nga marrëveshja, ato kanë rikthyer sanksionet ndaj Teheranit.

Irani, që pretendon se program bërthamor i tij ka vetëm qëllime civile, gradualisht u ka ikur pikave të marrëveshjes dhe ka pasuruar uranium përtej niveleve të lejuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat