Annalena Baerbock premton ligj të ri për të kufizuar eksportet e armëve

Evropë

Annalena Baerbock premton ligj të ri për të kufizuar eksportet e armëve

Më: 27 dhjetor 2021 Në ora: 12:53
Annalena Baerbock

Ministrja e Jashtme gjermane tha se legjislacioni i ri për të kontrolluar eksportet e armëve ishte në rrugë e sipër. Në ditët e fundit në pushtet, qeveria e Merkelit miratoi gati 5 miliardë euro shitje armësh.

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se qeveria e re e koalicionit do të prezantojë një ligj që shtrëngon kufizimet në eksportet e armëve.

Politikania e të Gjelbërve i bëri komentet disa ditë pasi u zbulua se qeveria e ish-kancelares Angela Merkel, kishte miratuar kontrata eksporti me vlerë rreth 5 miliardë euro me Egjiptin dhe Singaporin, kur po përgatitej të dorëzonte pushtetin.

Çfarë tha ministrja Baerbock?

"Si koalicion, ne e kemi bërë të qartë se po rishikojmë politikën e eksportit të armëve të viteve të fundit”, i tha Baerbock agjencisë gjermane të lajmeve dpa të dielën.

"Ne po punojmë për një ligj për kontrollin e eksportit të armëve që do të qartësojë kriteret për miratimin e eksporteve të armëve."

Qeveria e re e koalicionit - e përbërë nga socialdemokratët e qendrës së majtë (SPD), të Gjelbërit dhe liberalët e FDP - është zotuar në marrëveshjen e koalicionit të kufizojë eksportet e armëve në të ashtuquajturat vende të treta, në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Këtu përfshihet Egjipti, i cili ka qenë një nga destinacionet kryesore për eksportet e armëve të Gjermanisë.

Kontratat e mëdha të miratuara në momentin e fundit

Qeveria e mëparshme miratoi shitjen e tre anijeve luftarake dhe 16 sistemeve të mbrojtjes ajrore nga Thyssenkrupp Marine Systems dhe Diehl Defense në këtë vendt të Afrikës së Veriut.

Miratimi erdhi në nëntë ditët e fundit të Merkelit në pushtet dhe megjithë kritikat mbi situatën e të drejtave të njeriut të Egjiptit dhe përfshirjen e tij në konfliktet në Jemen dhe Libi.

U nënshkrua gjithashtu një marrëveshje për dërgimin e një nëndetëseje ushtarake në Singapor.

Të shtunën, shifrat e Ministrisë së Ekonomisë, të kërkuara nga një politikan i Partisë Socialiste të krahut të majtë, nxorrën në pah se marrëveshjet e minutës së fundit arritën në afro 5 miliardë euro.

Image
Eksportet gjermane

Eksportet gjermane të armëve shënuan rekord të ri

Këto marrëveshje bënë që eksportet gjermane të armëve të arrijnë një rekord të ri në vitin 2021, përkatësisht 9.04 miliardë euro.

Rekordi i mëparshëm për eksportet gjermane të armëve ishte 8.02 miliardë euro në vitin 2019, përpara pandemisë së COVID-19.

Së bashku me Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Francën, Gjermania është një nga eksportuesit më të mëdhenj të armëve në botë, sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stokholm.

Gjermania ishte përgjegjëse për 5.5% të eksporteve globale të armëve midis viteve 2016 dhe 2020.

Nëse jo Gjermania, atëherë kush tjetër?

Eksperti i politikës së jashtme të bllokut konservator, Roderich Kiesewetter i mbrojti marrëveshjet e qeverisë në largim, duke thënë se ato ishin bërë "brenda kornizës ligjore të vlefshme".

Ai tha për dpa se kritikat e partive e majta nuk ishin asgjë tjetër veçse lotë krokodili.

Kiesewetteri tha se ishte jetike të mbroheshin interesat e sigurisë së Gjermanisë në reformën e ardhshme të kontrolleve të eksportit të armëve.

"Është në interesin e Gjermanisë që vendet e Lindjes së Mesme të vazhdojnë të mbështeten në politikën e tyre të armatimit nga shtetet e BE. Nuk është në interesin tonë nëse në të ardhmen këto shtete i marrin furnizimet nga Kina ose Rusia”, paralajmëroi ai./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat