Greqia zgjeron kufizimet për të “frenuar” rritjen e variantit Omicron

Evropë

Greqia zgjeron kufizimet për të “frenuar” rritjen e variantit Omicron

Më: 27 dhjetor 2021 Në ora: 18:31
Foto ilustrim

Greqia ka bërë të ditur se kufizime që janë në fuqi ndaj COVID-19 do të zgjaten nga 3 deri më 16 janar, si një formë për të frenuar përhapjen e variantit Omicron të COVID-19.

Rastet e reja të konfirmuara të COVID-19 u rritën në një rekord prej 9 mijë e 284 raste këtë të hënë, teksa janë regjistruar 66 viktima, shkruan Reuters.

Baret dhe restorantet do të duhet të mbyllen në mesnatë dhe qëndrimi në këmbë nëpër vende argëtuese nuk do të lejohen. Do të ketë gjithashtu një kufi maksimal prej gjashtë personash për tavolinë.

“Nëse konstatojmë se këto masa nuk respektohen, do të ndalojmë muzikën (në ambientet argëtuese),” tha në një konferencë shtypi ministri i Shëndetësisë Thanos Plevris.

Qeveria gjithashtu vendosi të kufizojë pjesëmarrjen e ngjarjeve sportive në 10% të kapacitetit ose në një kufi të sipërm prej 1,000 personash.

Vizitorët në ambientet e kujdesit për të moshuarit do të lejohen nëse ofrojnë test negativ PCR të marrë brenda 48 orëve të mëparshme.

Autoritetet tashmë kishin shtrënguar rregulloret ekzistuese javën e kaluar, duke detyruar mbajtjen e maskave në hapësira të hapura dhe duke ndaluar festimet e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Po hyjmë në (periudhën) e përhapjes së variantit Omicron në Greqi,” tha Plevris.

Në zonën metropolitane të Athinës, qeveria planifikon t’u kërkojë spitaleve të sektorit privat të ndihmojnë sistemin shëndetësor publik, nëse është e nevojshme, për të përballuar shtrimet në spital.

Plevris u kërkoi atyre që do të festojnë natën e ndërrimit të viteve që të “mbrojtën të dashurit e tyre” dhe të shmangin kontaktet nëse ekspozohen në tubime publike gjatë festave.

Ekspertët e shëndetësisë besojnë se Omicron është më ngjitës se llojet e mëparshme të koronavirusit, por dy studime në javën e kaluar sugjerojnë se të prekurit kishin më pak gjasa të kërkonin trajtim spitalor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat