Udhëheqësi kazak: Grupi i sigurisë i udhëhequr nga Rusia do të tërheqë trupat

Evropë

Udhëheqësi kazak: Grupi i sigurisë i udhëhequr nga Rusia do të tërheqë trupat

Më: 11 janar 2022 Në ora: 17:47
Foto ilustrim

Presidenti i Kazakistanit njoftoi të martën se trupat e një aleance sigurie të udhëhequr nga Rusia do të fillojnë tërheqjen nga vendi i Azisë Qendrore brenda dy ditësh, pas përfundimit të misionit të tyre. 

Trupat, kryesisht ruse, u dislokuan në Kazakistan javën e kaluar nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive, një aleancë ushtarake që përfshin gjashtë ish-shtete sovjetike, me kërkesë të presidentit të Kazakistanit në mes të trazirave më të rënda që ka përjetuar ky vend që kur fitoi pavarësinë 30 vjet më parë. 

Protestat mbi rritjen e çmimeve të karburantit shpërthyen në vendin e pasur me naftë dhe gaz të Azisë Qendrore, me një popullsi prej 19 milionë banorësh, më 2 janar. Ato u përhapën me shpejtësi në të gjithë vendin, me slogane politike që pasqyronin pakënaqësi më të gjerë ndaj qeverisë autoritare të vendit. Gjatë ditëve në vijim demonstratat u bënë të dhunshme e me dhjetëra civilë e punjonjës të rendit humbën jetën. 

Në Almati, ish-kryeqyteti dhe qyteti më i madh i Kazakistanit, protestuesit dogjën ndërtesat qeveritare dhe pushtuan për pak kohë aeroportin. Trazirat u shuan kryesisht në fundjavë. 

Presidenti Kassym-Jomart Tokayev ka fajësuar për trazirat ata që i quan ‘terroristë’ të mbështetur nga jashtë. Ai këmbëngul se kërkesa e tij për ndihmë nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) ishte e justifikuar. 

“Kur po merrej ky vendim, ne mund të kishim humbur plotësisht kontrollin mbi Almatin, i cili po shkatërrohej nga terroristët. Po të kishim humbur Almatin, do të kishim humbur kryeqytetin dhe të gjithë vendin”, tha Presidenti Tokayev në parlamentin e Kazakistanit të martën. 

Presidenti tha se Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive e ka përfunduar kryesisht misionin e saj dhe do të fillojë tërheqjen e trupave të saj brenda dy ditësh, një proces që nuk do të zgjasë më shumë se 10 ditë. 

I pyetur nëse një lëvizje e tillë ishte e parakohshme – pasi trupat filluan të mbërrinin në Kazakistan vetëm pesë ditë më parë – zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se ky ishte “krejtësisht dhe plotësisht” vendim i Kazakistanit. “Është analiza e tyre dhe ne nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë”, tha zoti Peskov. 

Presidenti Tokayev emëroi gjithashtu një kryeministër të ri dhe një kabinet të ri të martën, me disa zëvendëskryeministra dhe ministra nga qeveria e mëparshme që mbajtën postet që kishin. 

Qeveria e Kazakistanit dha dorëheqjen javën e kaluar si një prej disa lëshimeve të bëra me synimin për të zbutur protestat, së bashku me një kufizim prej 180 ditësh ndaj çmimit të karburantit dhe largimit të Nursultan Nazarbayevit, ish-udhëheqësit shumëvjeçar të vendit, nga posti i tij me mjaft ndikim, si kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. 

Kryeministri i ri, 49-vjeçari Alikhan Smailov, ka shërbyer më parë si ministër i financave i Kazakistanit dhe zëvendëskryeministër i parë i vendit. 

Jeta në Almati, qyteti që u godit më e ashpër nga dhuna, filloi të normalizohej këtë javë. Transporti publik rifilloi funksionimin dhe qendrat tregtare u rihapën. 

Ministria e Brendshme e Kazakistanit njoftoi të martën se 9,900 persona u arrestuan në lidhje me trazirat. Zyra e Presidentit Tokayev ka thënë gjithashtu se janë hapur 338 hetime penale për trazirat masive dhe sulmet ndaj punonjësve të zbatimit të ligjit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat