Debat i ashpër mes ministrit grek e ambasadorit turk për kufijtë në Egje

Evropë

Debat i ashpër mes ministrit grek e ambasadorit turk për kufijtë në Egje

Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 18:44
Nikos Dendias dhe Fazli Çorman

Apetitet e Erdoganit për disa ishuj grek në Detin Egje kanë nxitur një debat mjaft të nxehtë në mes të kryediplomatit grek, Nikos Dendias dhe ambasadorit të Turqisë në Norvegji Fazli Çorman.

Të dy kanë diskutuar me tone të larta në një diskutim të organizuar nga NUPI ( Norsk Utenrikspolitisk Institutt).

Dendias ka thënë se dallimet në mes të Athinës dhe Ankarasë janë të zgjidhshme, megjithatë ka specifikuar se për të ndodhur një gjë e tillë, Turqia duhet të kthehet në shekullin XXI.

“E vërteta është se dallimet midis Greqisë dhe Turqisë janë të zgjidhshme. Me një parakusht: që Turqia të vijë në shekullin e 21.”, ka thënë Dendias.

Tutje kryediplomati grek ka thënë se nëse Turqia vepron sikur në shekullin XIX dhe tenton të implementojë politikën e Sulejmanit të Madhërishëm me ushtri rreth Mesdheut, atëherë një gjë e tillë s’do të lejohet.

“Nëse Turqia qëndron në shekullin e 19-të, nëse Turqia qëndron në mënyrën se si Sulejmani i Madhërishëm po i drejtonte punët duke pasur armata rreth Mesdheut, atëherë kjo është e ndaluar.”, ka thënë tutje Dendias.

Çorman i është kundërpërgjigjur Dendiasit, duke i thënë se Deti Egje i ka dy anë dhe e ka ftuar Dendiasin që t’i referohet historisë.

“Deti Egje ka dy anë, ka një tokë në anën tjetër që po e harroni, që quhet Azia e Vogël, mund ta mbani mend nga historia”, ka thënë Çorman.

Turqia dhe Greqia vazhdojnë të kenë tensione të herëpashershme lidhur me mosmarrëveshjen rreth Egjeut. Në dy raste, në vitin 1987 dhe më pas edhe më 1996, dy shtetet ishin në prag të një konflikti të armatosur.

Ndryshe ditë më parë Dendiasi kishte reaguar edhe presidentit turk, Reccep Tayip Erdogan, pas deklaratave që ky i fundit kishte bërë lidhur me disa ishuj grek në Egje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat