Rusia si luftënxitëse po bëhet kërcënuese, fuqia e Putinit po gërryhet nga brenda

Evropë

Rusia si luftënxitëse po bëhet kërcënuese, fuqia e Putinit po gërryhet nga brenda

Nga: Sherif Ramabaja Më: 19 shkurt 2022 Në ora: 15:20
Vladimir Putin.

Bubullima ushtarake e Vladimir Putinit e bën Rusinë të shfaqet sërish si një fuqi kërcënuese botërore. Ky është ndoshta edhe një synim politik, i strategjisë së tij provokuese. Sepse e vërteta është se Rusia është e goditur dhe shumë më e dobët nga sa mendon publiku botëror. Produkti kombëtar bruto i Rusisë nuk është as sa gjysma e prodhimit kombëtar të Gjermanisë.

Fuqia ekonomike e fuqisë botërore të supozuar të Putinit është afërsisht e barabartë me atë të Koresë së Jugut. Italia gjithashtu lë nën hije ekonominë ruse. Një diplomat i NATO-s e tha me pak fjalë: "Rusia është me të vërtetë një person i varfër në një ngastër (territor) të madhe toke, që mund të përballojë armë të cilat janë shumë të shtrenjta."

Rusia si një fuqi e dobësuar

Vetëm për arsye financiare, Moska nuk mund të bëjë ndonjë hap të madh strategjik (buxheti ushtarak është më i vogël se buxheti i  Bavarisë gjermane); përkundrazi, stabiliteti i brendshëm është në rrezik, duke pasur parasysh të dhëna të tilla të dobëta ekonomike të bazës. Të ardhurat reale të disponueshme të rusëve po bien dhe aktualisht janë rreth dhjetë për qind më të ulëta se në vitin 2013. Inflacioni dhe rritja e papunësisë po ushtrojnë presion mbi ndjenjën e konsumatorit.

Të ardhurat nga taksat janë duke stagnuar për shkak të pandemisë dhe zbulojnë se sa e dobët është në të vërtetë fuqia financiare e Rusisë. Richard Moore, kreu i agjencisë britanike të inteligjencës së jashtme MI6, e përshkroi Rusinë në Sunday Times si "një fuqi objektivisht duke u dobësuar ekonomikisht dhe demografikisht". Ky përçmim publik me sa duket, goditi një akord me Presidentin rus.

Në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me deklaratën e Moore, Putin ishte jashtëzakonisht i drejtpërdrejtë: “Ju përmendët se kreu i ri i MI6 bëri vlerësime të tilla, por ai është ende i ri dhe në këtë kuptim një udhëheqës i ri. Mendoj se do të fitojë përvojë dhe do të ndryshojë vlerësimin e tij. Kjo është e para. Së dyti, nëse Rusia është një fuqi flamuruese, pse të shqetësoheni? Nëse pra është kështu, qëndroni të qetë”.

Tri arsye që e dobësojnë perandorinë e Putinit

Putini është kaq sarkastik për analizën e Moore, sepse është e saktë për tre arsye. Sepse problem nuk është vetëm mungesa e performancës ekonomike, por edhe tendencat dhe strukturat themelore të zhvillimit.

Së pari, Rusia është shumë e varur nga nafta dhe gazi. Ato përbëjnë dy të tretat e eksporteve të Rusisë. Ka edhe lëndë të tjera të para si metale, dru dhe minerale. Në përgjithësi, lëndët e para përbëjnë madje tre të katërtat e të gjitha eksporteve. Prandaj, ekonomia kombëtare dhe financat publike, varen nga luhatshmëria e çmimit të naftës .

Në të njëjtën kohë, të gjitha burimet e brendshme, duke përfshirë stafin më të ri e më të mirë, përdoren në sektorin e lëndëve të para. Për shkak të dominimit të tij, zhvillimi i industrive të tjera të orientuara drejt së ardhmes pengohen rëndë. Ekspertët e quajnë këtë "sëmundja holandeze", e cila në ekonomi përshkruan efektet negative të një bumi në sektorin e lëndëve të para në sektorin e prodhimit. Dhe në planin afatgjatë do të ketë një problem tjetër të madh: në rrjedhën e tranzicionit global të energjisë, ekonomia botërore po mbështetet gjithnjë e më shumë në energjitë e rinovueshme dhe energjinë bërthamore. Prandaj me çfarë do të jetojë Rusia, nëse biznesi i naftës dhe gazit shembet?

Së dyti, një bombë demografike po e godet  Rusinë. Fuqia punëtore e Rusisë po tkurret në mënyrë alarmante. Gjatë 30 viteve të fundit, Rusia ka pasur një nga nivelet më të ulëta, të lindjeve në botë. Përveç kësaj, shumë të rinj po emigrojnë në Perëndim. Në varësi të skenarit, popullsia do të ulet deri në 24 milionë deri në vitin 2050, sipas "Perspektivat e Popullsisë Botërore" të OKB-së. Rritja ekonomike po vërehet gjithashtu se do të bjerë, për shkak të trendeve negative të demografisë.

Së treti, Rusia vuan nga institucionet e saj të rënda dhe të errëta. Shteti me burokracinë e tij gjigante është ende shumë i madh dhe sektori publik, mbetet jotransparent dhe joefikas. Pesha e lartë e sektorit shtetëror, e ul produktivitetin e të gjithë vendit. Një kompani e mesme kreative dhe teknikisht nxitëse, nuk ka asnjë shans për t'u zhvilluar. Rreth gjysma e punësimit ligjor, është drejtpërdrejt nën kontrollin e qeverisë. Ka edhe oligopolë dhe oligarkë, ndonjëherë në lidhje korruptive me pushtetin politik. Shteti nuk privatizohet për të promovuar më në fund, një konkurrencë më të madhe.

Klima e investimeve nuk është gjë tjetër veçse tërheqëse, veçanërisht pasi të drejtat dhe liritë nuk janë vërtet të garantuara. Sundimi i ligjit dhe demokracia, liria e shtypit dhe liria e shprehjes janë gjithmonë subjekt i pushtetit të Putinit. Rusia është një "ekonomi kryesisht statike", gjykon shërbimi sekret amerikan CIA.

Ballafaqimi me opozitën tregon dobësinë e Putinit

Se sa i tensionuar dhe i shqetësuar është në të vërtetë regjimi i Putinit mund të shihet edhe në mënyrën se si i trajton anëtarët e opozitës. Ngjarjet që rrethojnë kritikun e regjimit Alexei Navalny janë tregues se struktura e pushtetit është duke u krisur. Navalny është një avokat dhe bloger i zënë. Në fakt nuk është një rrezik serioz për një qeveri të fuqishme që është vendosur fort në shalë.

Një qeveri me vetëbesim, do të kishte injoruar Navalny dhe do ta kishte lënë të asgjësohej. Por Kremlini mbështetet në represionin dhe një politikë demonstruese të dorës së rëndë si një pengesë - nga dënimi në një kamp burgu deri te rreziku i helmit të tij. Natyrisht, Putini ka frikë nga kryengritjet popullore të ngjashme me ato në Balarusi ose Kazakistan. 

Edhe këtu është arsyeja themelore për gërryerjen e fuqisë së Putinit, e cila qëndron në zhvillimin e dobët ekonomik të Rusisë. Prandaj, vlera e rublës vepron si një tregues i fuqisë së Putinit - dhe ajo po bie me shpejtësi. Kur Putini u bë president për herë të parë në vitin 2000, një euro kushtonte rreth 13 rubla, sot është rreth 90 rubla.

Avantazhi strategjik i Perëndimit në luftën për pushtet të Putinit

George Friedmann, një nga analistët më të shquar gjeopolitikë në SHBA, e sheh situatën si më poshtë: “Fokusi i ekonomisë ruse është prodhimi dhe shitja e energjisë. Në të njëjtën kohë, vendi nuk ka asnjë kontroll mbi çmimin e energjisë dhe telashet e lidhura me këtë treg, të cilat mund të bëjnë një kërdi në ekonomi. Bashkimi Sovjetik ishte thyer tashmë nga kjo kontradiktë, sepse nga njëra anë duhej të financonte një arsenal të madh ushtarak. Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e ekonomisë sovjetike rrjedh nga eksporti i një malli të vetëm. Kjo, nga ana tjetër, kufizoi mundësinë e zhvillimit ekonomik përtej mbrojtjes dhe energjisë dhe në këtë mënyrë kufizoi edhe përparimin social të vendit.

Për Perëndimin, fakti që gjigandi ushtarak qëndron në këmbë prej balte, i jep atij një avantazh strategjik në luftën për pushtet mbi Ukrainën. Është si vitet 1980, kur Bashkimi Sovjetik humbi përfundimisht garën ekonomike dhe jo atë ushtarake. Prandaj, gazsjellësi Nord Stream 2, është një armë e vërtetë në Luftën e re të Ftohtë me Rusinë. Putini ka nevojë për shitjen e gazit shumë më tepër sesa Perëndimi".

 

*Autori  Wolfram Weimer, Nga Gjermanishtja Sherif Ramabaja

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat