Sanksionet e para ndaj Rusisë

Evropë

Sanksionet e para ndaj Rusisë

Nga: BOTA SOT Më: 22 shkurt 2022 Në ora: 08:52
Ukrainë

(E plotësuar 14:59) - Gjermania dhe Britania kanë ndërmarrë veprime ndaj Rusisë në përgjigje të vendimit të presidentit rus, Vladimir Putin për të njohur dy rajone në lindje të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, që kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Moska.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se shteti i tij do të pezullojë procesin e certifikimit të gazsjellësit kontrovers, Rrjedha Veriore 2, pas veprimeve të fundit të Moskës në Ukrainë.

Ky projekt synon dërgimin e gazit rus në Gjermani.

Ndërkaq, kryeministri i Britanisë, Boris Johnson tha më 22 shkurt se do të sanksionojë pesë banka ruse dhe tre individë të pasur, përfshirë edhe Gennady Timchenko, pas vendimit të Putinit për rajonet lindore të Ukrainës.

"Sot, Mbretëria e Bashkuar po sanksionon pesë bankat ruse: Rossiya, IS Bank, General Bank, Promsvyazbank dhe Black Sea Bank. Ne po ashtu po sanksionojmë tre individë me të ardhura të larta", tha Johnson para Parlamentit britanik.

Në anën tjetër, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian po e shqyrtojnë një paketë të sanksioneve kundër Rusisë dhe ajo pritet të finalizohet pa vonesa, thanë të martën krerët e Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian.

Ata thanë se sanksionet, që pritet të miratohen në përgjigje të vendimit të Rusisë për të njohur dy rajonet lindore të Ukrainës, janë:

Shënjestrimi i të përfshirëve në këtë vendim joligjor

Shënjestrimi i bankave që financojnë ushtrinë ruse dhe operacionet e tjera në këto territore

Shënjestrimi i aftësisë së shtetit rus dhe Qeverisë në qasjen në kapitalin e BE-së, tregjet financiare dhe shërbimet, për të kufizuar financimin e politikave shkallëzuese dhe agresive.

Shënjestrimi i tregtisë nga dy rajonet lindore me BE-në, që të sigurohet që personat përgjegjës të kenë pasoja ekonomike për veprimet e tyre joligjore dhe agresive.

Kombet e Perëndimit dhe vende tjera kanë dënuar vendimin e presidentit rus, Vladimir Putin për të njohur pavarësinë e separatistëve të mbështetur nga Rusia në rajonet lindore ukrainase, Donjeck dhe Luhansk.

Dy dhomat e Parlamentit rus më 22 shkurt ratifikuan traktatet e miqësisë që Putin nënshkroi me këto dy territore në lindje të Ukrainsë, që kontrollohen nga separatistët.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë zotuar se do të vendosin sanksione të reja kundër Moskës.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë më 21 shkurt se Uashingtoni është duke u koordinuar me aleatët dhe më 22 shkurt do të bëjë të ditura sanksionet e reja kundër Moskës.

Tregjet globale të aksioneve kanë rënë ndërsa çmimi i naftës është rritur pas vendimit të Putinit për të njohur pavarësinë e këtyre rajoneve dhe vendimit për të dërguar trupat ruse në to, çka ka rritur shqetësimet për luftë të plotë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka mbajtur një takim me pjesëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe ka zhvilluar biseda telefonike me disa liderë botërorë në përpjekje për të rritur mbështetjen për shtetin e tij.

“Ne presim hapa të qartë dhe mbështetje efektive nga partnerët tanë”, ka thënë ai më 21 shkurt në një fjalim televiziv.

“Është shumë e rëndësishme të shohim kush është miku dhe partneri ynë i vërtetë, dhe kush do të vazhdojë të frikësojë Federatën ruse me fjalë”, ka thënë ai.

“Ne jemi në tokën tonë”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë më 21 shkurt se vendimi i Putinit kërkon “përgjigje të shpejtë dhe të ashpër, dhe ne do të marrim hapat e duhur në koordinim me partnerët”.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, u ka thënë të hënën gazetarëve në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se “nesër SHBA-ja do të vendosë sanksione ndaj Rusisë për këtë shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe sovranitetit e integritetit të Ukrainës”.

Gjermania i jep një goditje të dhimbshme Putinit pas pushtimit të Ukrainës

Pavarësisht pakënaqësive që ka sjellë deri më tani në Ukrainë dhe qarqet Perëndimore hezitimi i Gjermanisë për të furnizuar me armë ushtrinë ukrainase, duket se do të jetë gjermanët ata që do t’i japin goditjen më të fortë Rusisë pas nisjes së pushtimit.

Gazeta gjermane “Spiegel” raporton duke iu referuar burimeve qeveritare se Ministria e Ekonomisë ka ndaluar procesin e miratimit për gazjellësin e famshëm “Nord Stream2”, i cili sjell gazin nga Rusia për në Europë nëpërmjet Gjermanisë.

Sipas gazetës gjermane, ministri Robert Habeck udhëzoi institucionet e varësisë që të tërheqin certifikatën e dhënë fillimisht pozitive për miratimin e këtij gazsjellësi.

“Pa këtë certifikim Nord Stream 2 nuk mund të hyjë në punë”, tha Scholz në një konferencë shtypi në Berlin në mesditë.

Ky është dokumenti final që miraton futjen në punë të një gazjellësi.

Certifikata, e cila u lëshua nga qeveria e mëparshme në fund të tetorit, ka të bëjë me sigurinë e furnizimit të Gjermanisë me gaz natyror, e cila, sipas pikëpamjes së asaj kohe, nuk rrezikohej nga vënia në punë e Nord Stream 2.

Sipas letrës së Robert Habeck, me rishikimin e situatës gjeostrategjike, situata nuk është më e tillë dhe Rusia përbën rrezik për Europën dhe Gjermaninë.

Vjen edhe reagimi i Turqisë pas njohjes nga Rusia të dy rajoneve në Ukrainë

Vendimi i Rusisë për të njohur dy rajone në Ukrainën lindore si të pavarura është i papranueshëm, ka thënë Ministria e Jashtme e Turqisë.

“Vendimi i Rusisë për të njohur të ashtuquajturat Republika Donetsk dhe Luhansk përbën një shkelje të qartë jo vetëm të marrëveshjeve të Minskut, por edhe të unitetit politik, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Ne e konsiderojmë të ashtuquajturin vendim të Rusisë si të papranueshëm dhe e kundërshtojmë atë”, thuhet në një deklaratë me shkrim nga ministria.

Sipas Daily Sabah, ministria nënvizoi më tej angazhimin e Turqisë për të ruajtur unitetin politik dhe integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa u bëri thirrje të gjitha palëve të respektojnë ligjin ndërkombëtar.

Turqia, anëtare e NATO-s, e cila ndan një kufi detar me Ukrainën dhe Rusinë në Detin e Zi, ka lidhje të mira me të dy fqinjët e saj dhe ka ofruar të ndërmjetësojë për krizën, ndërsa paralajmëron Moskën kundër pushtimit të Ukrainës.

Ndërsa forcon bashkëpunimin për mbrojtjen dhe energjinë, Turqia ka kundërshtuar politikat e Moskës në Siri dhe Libi, si dhe aneksimin e saj të Gadishullit të Krimesë në vitin 2014.

Ajo ka shitur gjithashtu drone të sofistikuar në Ukrainë, duke zemëruar Rusinë.

Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi të hënën dekrete për njohjen e sovranitetit të Luhanskut dhe Donetskut, në një ngjarje televizive në të cilën ai mbajti një fjalim duke vënë në dyshim të drejtën e Ukrainës për shtetësi.

Situata në Ukrainë/ Borell vjen me një njoftim të rëndësishëm

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Joseph Borrell tha të martën në mëngjes se ai kishte thirrur një takim urgjent jozyrtar të ministrave të jashtëm të BE-së për të diskutuar Ukrainën pas një samiti të planifikuar.

Bashkimi Evropian do të vendosë se çfarë sanksionesh do të vendosë ndaj Rusisë, sot pasdite, u tha gazetarëve të martën Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Joseph Borrell.

Image
Joseph Borrell

Borrell tha se ai ka bërë thirrje për një takim urgjent jozyrtar të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian këtë pasdite për të diskutuar përgjigjen evropiane ndaj urdhërimit të presidentit rus Vladimir Putin për trupat ruse në dy rajone separatiste pro-Moskë në Ukrainën lindore, pasi njohu pavarësinë e tyre të hënën.

"Natyrisht që kjo përgjigje do të marrë formën e sanksioneve," tha Borrell, "ne duhet të veprojmë shpejt, dhe kjo do të thotë sot pasdite."

Bashkimi Evropian do të vendosë sanksione ndaj Moskës pas hyrjes “të papranueshme” të trupave ruse në rajonin Donbas të Ukrainës, tha të martën ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian.

Image
Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian flet në një ngjarje në Paris, të martën

"Natyrisht që ne do të fillojmë sanksionet," tha Le Drian përpara një takimi të ministrave të jashtëm evropianë në Paris.

"Është një shkelje e ligjit ndërkombëtar, është një sulm ndaj sovranitetit dhe integritetit të Ukrainës, është që Rusia heq dorë nga angazhimet e saj ndërkombëtare dhe marrëveshjet e Minskut që kishte nënshkruar," tha Le Drian, shkruan CNN, përcjell “Bota sot”.

Ai shtoi se liderët evropianë kishin tre mesazhe për të përcjellë – duke mbajtur një qëndrim të vendosur kundër veprimeve të Rusisë, duke treguar solidaritet me Ukrainën dhe duke treguar unitet në Evropë./BS

***

Johnson: Sanksionet e Britanisë së Madhe do ta godasin shumë Rusinë

Boris Johnson thotë se sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar do të godasin "interesat ekonomike që kanë mbështetur makinën luftarake të Rusisë", shkruan BBC.

"Ata do ta godasin Rusinë shumë fort dhe ka shumë më tepër që ne do të bëjmë në rast të një pushtimi," thotë ai, përcjell Bota sot.

"Mos kini dyshim se nëse kompanitë ruse pengohen të rrisin kapitalin në tregjet financiare të Mbretërisë së Bashkuar, nëse heqim fasadën e pronësisë ruse të kompanive, të pronës, do të fillojë të dëmtohet."

Dërgimi i trupave ruse në Ukrainë, Johnson tregon veprimet ndaj Putinit

Kryeministri i Britani Boris Johnson ka folur pas takimit urgjent të Cobra - komiteti i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar që merret me emergjencat.

Ai ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin tani ka shkelur sovranitetin ukrainas duke dërguar trupa dhe "shkatërruar plotësisht" ligjin ndërkombëtar, shkruan BBC, përcjell Bota sot.

Image
Ukrainë

"Ne do të vendosim menjëherë një paketë sanksionesh ndërkombëtare," tha ai.

"Ky është vetëm i pari i një breshëri sanksionesh, sepse ne besojmë se do të ketë më shumë sjellje irracionale ruse në të ardhmen," thotë ai.

“Jam i sigurt se do të ketë një vendim”, Josep Borrell paralajmëron Rusinë

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për çështjet e jashtme, Josep Borrell, ka thënë se do të thërrasë një takim të jashtëzakonshëm sot.

Sipas tij ministrat e jashtëm të BE-së do të miratojnë sanksione kundër Rusisë për njohjen e rajoneve separatiste ukrainase dhe vendosjen e mëtejshme të trupave në territorin e Ukrainës, raporton The Guardian.

“Jam i sigurt se do të ketë një vendim unanim”, tha ai.

Ka dallime në opinione brenda BE-së për sa i përket fuqisë së paketës që do t’i imponohet Rusisë në këtë fazë, me Borrell që sugjeroi këtë mëngjes se Ukraina nuk kishte nisur ende një pushtim “të plotë” edhe pse trupat e saj ishin në toka ukrainase.

***

Rusia ka dërguar tashmë tanke dhe trupa në Ukrainë duke sinjalizuar një pushtim.

Kështu ka deklaruar sekretari i shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar, Sajid Javid, përcjell Bota sot.

"Ne po zgjohemi për një ditë shumë të errët në Evropë. Është e qartë nga ajo që kemi parë dhe zbuluar sot se presidenti rus Putin ka vendosur të sulmojë sovranitetin e Ukrainës dhe integritetin e saj territorial”, tha ai për Sky News.

“Mbretëria e Bashkuar ka thënë gjithmonë se kjo ishte "e papranueshme"”, thotë ai.

"Ne kemi parë se ai i ka njohur këto rajone lindore të shkëputura në Ukrainë dhe tashmë mund të themi se ai ka dërguar tanke dhe trupa, kështu që unë mendoj se nga kjo mund të konkludoni se pushtimi i Ukrainës ka filluar", shton ai./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat