Dita e tretë e pushtimit të Ukrainës, vriten 3,500 ushtarë rusë, 198 civilë ukrainas të vrarë

Evropë

Dita e tretë e pushtimit të Ukrainës, vriten 3,500 ushtarë rusë, 198 civilë ukrainas të vrarë

Nga: Bota sot Më: 25 shkurt 2022 Në ora: 16:40
Tymi dhe flakët ngrihen gjatë bombardimeve pranë Kievit, ndërsa Rusia vazhdon pushtimin e saj të Ukrainës, 26 shkurt 2022. REUTERS/Gleb Garanich

(E plotësuar 11:18) - Ushtarët ukrainas zmbrapsin forcat ruse pranë Lvivit

Forcat ukrainase kanë zmbrapsur një sulm të 60 parashutistëve rusë pranë Lvivit, raporton Reuters.

Kryetari i bashkisë së Lviv, Andriy Sadovyi, tha se ushtarët rusë u tërhoqën pas përleshjes me ushtrinë në Brody, Ukrainën perëndimore, rreth 65 milje larg qytetit.

Njësia e mbrojtjes ajrore ukrainase është shkatërruar gjatë rrugës për në Kiev

Disa detaje të tjera kanë dalur mbi kolonën e shkatërruar ushtarake ukrainase.

Njësia e raketave tokë-ajër, e cila u shkatërrua mbrëmë në një sulm raketor rus, duket të jetë një sistem i ngjashëm me atë të vendosur nga Kievi në Donbas muajin e kaluar, raporton BBC.

Kolona ka të ngjarë të jetë goditur derisa ishte nisur për në Kiev për të ndihmuar në forcimin e mbrojtjes ajrore të kryeqytetit.

Ura që lidh zonat e kontrolluara nga Rusia me Ukrainën përfshihet në tym

Nga ora 11, ura e cila lidh zonat e kontrolluara nga Rusia me Ukrainën, ishte e mbuluar me tym e flakë.

Sic bën të ditur CNN, granatimet vazhduan nga të dy anët, teksa u panë edhe automjete të blinduara që lëviznin drejt anës ukrainase, por ekipi i CNN nuk ishte në gjendje që të konfirmonte se kujt i përkasin ato.

Raportohet se mëngjesin e sotëm Rusia ka goditur me raktë një banesë ku në të kishte popullatë civile ukrainase.

Italia pro heqjes së Rusisë nga SWIFT-i

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se këtë të shtunë ka biseduar me kryeministrin e Italisë, Mario Draghi, ku ky i fundit e ka mbështetur heqjen e Rusisë nga SWIFT.

Gjithashtu, Zelensky tha se Draghi i ka ofruar Ukrainës mbështetje për ndihmë mbrojtëse.

“Ukraina duhet të bëhet pjesë e BE-së”, ka shkruar Zelensky në llogarinë e tij në Twitter.

Kujtojmë se sot është dita e tretë e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës, ku deri më tani raportohet për mbi 3 mijë e 500 ushtarë rusë të vrarë.

Ministria ruse e mbrojtjes thotë se lëshoi raketa gjatë natës, por pretendon se nuk synonte banorët

Ministria ruse e mbrojtjes tha të shtunën se nisi sulme me raketa gjatë natës kundër objektivave në Ukrainë, por pretendoi se kishte në shënjestër ekskluzivisht infrastrukturën ushtarake, pasi u shfaqën video të një ndërtese të lartë rezidenciale pranë Kievit që u godit nga një raketë.

“Gjatë natës, Forcat e Armatosura të Federatës Ruse filluan një sulm me armë precize me rreze të gjatë duke përdorur raketa lundrimi të lëshuara nga ajri dhe deti kundër objekteve të infrastrukturës ushtarake ukrainase,” tha gjeneralmajor Igor Konashenkov në një video-deklaratë.

“Theksoj edhe një herë se zjarri është drejtuar vetëm në objektet e infrastrukturës ushtarake të Forcave të Armatosura të Ukrainës, duke përjashtuar dëmtimet në infrastrukturën rezidenciale dhe sociale”.

Imazhet e mëngjesit të së shtunës treguan dëmtime të rënda në pjesën e jashtme të një ndërtese apartamentesh në Kievin perëndimor, me muret e jashtme të shpërthyera tërësisht për disa njësi apartamentesh.

Punonjësit e urgjencës ndodhen në vendngjarje, duke ndihmuar në evakuimin e banorëve. Shkalla e viktimave nuk është ende e qartë.

Ukrainë: 198 civilë janë vrarë nga pushtimi rus, 3 prej tyre fëmijë

Ministri i Shëndetësisë i Ukrainës ka dhënë shifra për të vrarët nga pushtimit rus.

Ai ka thënë se 198 civilë, përfshirë tre fëmijë, janë vrarë deri më tani nga forcat ruse, përcjell Bota sot.

“Fatkeqësisht, sipas të dhënave operative, në duart e pushtuesve kemi 198 të vdekur. Mes tyre 3 fëmijë, 1115 të plagosur, mes tyre 33 fëmijë”, shkruan në Facebook ministri i Shëndetësisë Viktor Liashko.

Presidenca e Ukrainës: Po fitojmë

Kreu i Zyrës së Presidencës së Ukrainës, Mykhailo Podoliak, ka thënë se ata janë duke e fituar luftën kundër Rusisë, pasi këta të fundit nuk kanë bërë asnjë përparim në 24 orët e fundit.

“Forcat e Armatosura të Federatës Ruse nuk kanë bërë asnjë avantazh operacional dhe taktik gjatë 24 orëve të fundit, gjë që tregon se Ukraina po fiton”, është shprehur Podoliak.

Kujtojmë se sot është dita e tretë e luftimeve në mes Ukrainës dhe Rusisë.

Ndërsa gjatë natës së mbrëmshme u raportua se rreth 3 mijë e 500 ushtarë rusë kanë mbetur të vdekur nga luftimet.

SHBA i jep 350 milionë dollarë ndihmë ushtarake Ukrainës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, së fundmi ka udhëzuar se Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, që të japë deri në 350 milionë dollarë mbështetje të menjëhershme për sigurinë dhe mbrojtjen e Ukrainës.

Mediat e huaja bëjnë me dije se një vendim i tillë është marrë në orët e vona të mbrëmjes së të premtes dhe është publikuar nga Shtëpia e Bardhë.

Ndërkohë në lidhje me këtë vendim pritet që Departamenti i Shtetit pritet të dalë me një tjetër deklaratë.

Ky njoftim vjen pas një telefonate 40-minutëshe midis Biden dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë së cilës ata diskutuan “ndihmë konkrete për mbrojtjen”.

Holanda do t’i japë Ukrainës qindra raketa kundërajrore “Stinger”

Qeveria holandeze, në një letër dërguar Kuvendit, tha se Holanda do t’i japë Ukrainës 200 raketa kundërajrore sa më shpejt që është e mundshme.

Në letër gjithashtu thuhet se stafi i ambasadës holandeze do të zhvendoset nga qyteti Lviv në Jaroslaw, matanë kufirit, në Poloni, për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë, shkruan Reuters.

“Duke u bazuar në kërkesën nga Ukraina, “Holanda do të ofrojë 200 raketa “Stinger” për mbrojtje ajrore”, thuhet më tej në letrën e qeverisë holandeze.

“Bashkë me aleatët tanë, Ministria e Mbrojtjes synon që këto materiale të dërgohen sa më shpejt që është e mundshme”, shtohet në letrën zyrtare.

Më herët këtë muaj, Holanda i ka premtuar Ukrainës edhe pajisje të tjera si ndihmë, përfshirë pushkët, municionin, sistemet e radarëve dhe robotët për zbulimin e minave.

Çekia ndihmon Ukrainën me armatim

Qeveria çeke miratoi të shtunën dërgimin e armëve dhe municioneve në Ukrainë, për ta ndihmuar atë që të mbrohet kundër sulmeve të Rusisë.

Ministria çeke e Mbrojtjes tha se ndihma kap vlerën e mbi 8.5 milionë dollarëve.

Ngarkesa, e cila përfshin mitralozë, pushkë sulmi dhe armë të tjera të lehta, do të dorëzohet nga pala çeke në një vend të zgjedhur nga Ukraina, tha ministria.

"Ndihma jonë nuk ka mbaruar", shkroi ajo në Twitter.

Lavrov dhe Blinken flasin në telefon, zbulohet çka diskutuan

Tani kemi disa detaje të bisedës telefonike të mbajtur mes Sekretarit të Shtetit të SHBA Antony Blinken dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë Sergei Lavrov, shkruan BBC, përcjell Bota sot.

Një deklaratë nga ministria e jashtme në Moskë thotë se Lavrov theksoi nevojën për "dialog pragmatik mbi të gjithë gamën e çështjeve të ngritura nga Rusia".

Ai gjithashtu i tha Blinken se "retorika agresive" e fryrë nga Uashingtoni ishte e papranueshme.

Por tha se ishte e nevojshme të vazhdohej "puna e përbashkët".

Macron: Lufta në Ukrainë do të zgjasë

Bota duhet të përgatitet për një luftë të gjatë midis Rusisë dhe Ukrainës, paralajmëroi presidenti i Francës, Emmanuel Macron, duke komentuar sulmet e shtetit rus në fqinjin e tij jugor.

“Mund t’ju them një gjë këtë mëngjes: kjo luftë do të zgjasë”, tha Macron në panairin vjetor të bujqësisë në Paris.

“Kjo krizë do të zgjasë, kjo luftë do të zgjasë dhe të gjitha krizat që vijnë me të do të kenë pasoja. Duhet të jemi të përgatitur”, tha Macron.

Sipas tij, presidenti rus, Vladimir Putin, ka vendosur “në mënyrë të njëanshme” të rikthejë luftën në Evropë.

Pamje nga Kievi: Raportohet se ushtria ruse sulmoi me raketa kryeqytetin ukrainas

Dhjetëra të plagosur në Kiev

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se 35 persona u plagosën në sulme gjatë natës.

Të plagosurit përfshijnë dy fëmijë, tha ai.

Nuk është ende e qartë nëse Klitschko iu referua vetëm civilëve.

Ai shtoi se aktualisht nuk ka prani të madhe ushtarake ruse në Kiev.

Media të ndryshme raportuan më herët për luftime të ashpra atje.

Sipas tyre, forcat ukrainase po bëjnë përpjekje të zmbrapsin ushtrinë ruse, e cila synon të marrë kontrollin e kryeqytetit ukrainas.

35 persona duke përfshirë dy fëmijë janë plagosur në luftimet e ashpra gjatë natës në Kiev, sipas kryebashkiakut të qytetit.

Nuk kishte detaje të mëtejshme, por në një raport të veçantë nga Reuters, duke cituar një këshilltar të ministrisë së brendshme, thuhet se nuk kishte të vdekur në bllokun e apartamenteve që thuhet se u godit nga një raketë ruse.

Shërbimi i emergjencës shtetërore të Ukrainës thotë se një predhë ruse ka goditur një ndërtesë banimi në Lobanovsky Avenue 6, në qendër të Kievit, raporton Luke Harding nga Lviv.

Videoja e shpërndarë nga shërbimi për shtyp i Volodymyr Zelensky tregon raketën duke shpërthyer në një banesë private, duke dërguar tym dhe mbeturina në dhomën e ndenjes. Ai nxori gjithashtu imazhe të pasojave, me ndërtesën që digjet ende të shtunën në mëngjes dhe dëme të mëdha. Një pjesë e madhe ishte shqyer nga këndi i djathtë i pronës, me shumë shtëpi të shkatërruara. Numri i viktimave nuk dihej. Zjarrfikësit ndihmuan të mbijetuarit e plagosur, duke nxjerrë një grua në rrugë mbi një det me mbeturina.

“Rusia po vret civilë”

Ministria e Brendshme e Ukrainës ka publikuar fotografi të një ndërtese në Kiev që u dëmtua në orët e para të së shtunës dhe të cilat tregojnë punonjësit e urgjencës që ndihmojnë në evakuimin e banorëve.

Ndërtesa duket e dëmtuar në një shumë në një anë të saj për shkak të sulmit rus.

Trotuari poshtë ndërtesës është i mbushur me mbeturina. Disa dritare në disa katet e poshtme duken të thyera.

Një foto tregon dy punonjës të urgjencës duke mbajtur një grua larg vendit të ngjarjes, me punëtorë të tjerë që vrapojnë në sfond.

Po ashtu, ministria publikoi edhe një video ku shihet sulmi duke thënë se Rusia është duke vrarë civilë ndërsa bota duhet të ndërhyjë.

“Rusia sulmon dhe vret civilët në Ukrainë. Ushtria jonë vazhdon të mbrojë territorin tonë dhe çdo civil. Ukraina reziston dhe përpiqet për paqe. Bota duhet të ndalojë kriminelët rusë të luftës”, thotë Ministria e Brendshme.

Ministri i Jashtëm ukrainas: Izolojeni plotësisht Rusinë

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, postoi një fotografi në Twitter që, sipas tij, tregon dëmtimin e një blloku apartamentesh në Kiev nga sulmi raketor rus.

Agjencia e lajmeve Reuters raportoi më herët për dy sulme me raketa në kryeqytetin ukrainas.

“Kievi, qyteti ynë i mrekullueshëm, paqësor, mbijetoi një natë tjetër nën sulmet e forcave tokësore ruse, raketave...”, shkroi Kuleba në Twitter.

“Njëri prej tyre ka goditur një apartament banimi në Kiev. I kërkoj botës: izolojeni plotësisht Rusinë, dëbojini ambasadorët, vendosni embargo në naftë, shkatërroni ekonominë e saj. Ndalojini kriminelët rusë të luftës!”, tha ai.

Kievi goditet nga dy raketa

Agjencia e lajmeve Reuters raporton se zona në jugperëndim të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, është goditur mëngjesin e së shtunës nga dy raketa.

Tani për tani, është e paqartë se cilat ishin objektivat.

Sipas autoriteteve në Kiev, një nga raketat goditi një ndërtesë banimi.

Reuters raporton se një raketë ra në zonën afër aeroportit Zhuliany të kryeqytetit.

Mediat amerikane: Zelensky refuzoi ofertën për evakuim

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, hodhi poshtë një ofertë të Uashingtonit për të ndihmuar në evakuimin e tij nga Ukraina, raportojnë mediat amerikane.

Zelensky tha se “lufta është këtu - unë kam nevojë për municion, jo për udhëtim”, raporton Associated Press, duke cituar një zyrtar të lartë të inteligjencës.

Washington Post citon gjithashtu zyrtarë amerikanë dhe ukrainas të kenë thënë se Qeveria amerikane është e përgatitur për të ndihmuar Zelenskyn.

“Kur të na sulmoni, do t’i shihni fytyrat tona, jo shpinën”, tha Zelensky të enjten, duke iu drejtuar ushtrisë ruse.

“Ne jemi të gjithë këtu dhe do të qëndrojmë kështu”, tha ai në një video të postuar në Twitter, ku dukej i shoqëruar nga ndihmësit e tij kryesorë.

Ministria ruse e mbrojtjes pretendon kapjen e qytetit Melitopol

Trupat ruse kanë pushtuar qytetin Melitopol në rajonin jugor të Ukrainës, Zaporizhzhya.

Kështu thonë agjencitë ruse të lajmeve Interfax dhe Sputnik duke cituar ministrinë e mbrojtjes të vendit.

Melitopol është një qytet me madhësi mesatare pranë portit kryesor ukrainas të Mariupolit.

Po ashtu syrtarët ukrainas thanë se forcat ruse hodhën raketa lundrimi nga Deti i Zi në qytetet Sumy, Poltava dhe Mariupol dhe pati luftime të ashpra pranë qytetit jugor të Mariupol.

Zelensky poston video, flet për lajmet se ai ka bërë thirrje për dorëzim

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka postuar një video të vetë-xhiruar në Twitter duke ecur nëpër rrugët e Kievit në një përpjekje të dukshme për të luftuar thashethemet se ai i ka bërë thirrje ushtrisë që t'i dorëzohet trupave ruse.

"Ka shumë informacione të rreme në internet që i bëj thirrje ushtrisë sonë të lërë armët dhe se ka evakuim," tha ai kundër një sfondi të Shtëpisë Gorodetsky të Kievit.

"Unë jam këtu. Ne nuk do të dorëzojmë armët. Ne do të mbrojmë shtetin tonë."

“Heshtje e frikshme”, si është gjendja në Kiev pas natës me shpërthime

Mëngjes 'tmerrshëm i qetë' në Kiev pas natës me sirena dhe të shtëna me armë zjarri

Pas një nate të furishme të mbushur me sirena sulmi ajror dhe të shtëna armësh, njerëzit në Kiev po flasin për një mëngjes të frikshëm të qetë - aq i heshtur sa zhurma e zogjve që cicërima mund të dëgjohet në distancë, shkruan BBC, përcjell Bota sot.

Olexander Scherba, ambasadori i Ukrainës në Austri tha se lindja e diellit këtë mëngjes shënoi fundin e një nate me të shtëna.

"Dielli ka lindur në Kiev. Të shtënat në lagjen time ndaluan. Ndjehet si fundi i një filmi me vampir," tha ai.

Paul Adams dhe James Waterhouse i BBC-së, të cilët janë gjithashtu në Kiev, raportuan një heshtje të ngjashme "të frikshme".

"I heshtur [por] të gjithë e dinë se mund të ndryshojë në një çast," tha Adams.

Ukraina thotë se 3,500 ushtarë rusë janë vrarë deri më tani

Ushtria ukrainase ka publikuar atë që ata pretendojnë se është një shpërthim i humbjeve të Rusisë.

Në një postim në faqen e saj në Facebook, më shumë se 3,500 ushtarë rusë janë vrarë, dhe gati 200 janë zënë robër

Në deklatarë thuhet se Rusia deri me tani ka humbur 14 avionë, 8 helikopterë dhe 102 tanke.

Rusia deri me tani nuk ka raportuar për asnjë viktimë nga forcat e saj

Luftimet kanë shpërthyer në rrugët e Kievit

Sipas një postimi në faqen e Forcave të Armatosura të Ukrainës në Facebook, “betejat e rënda po vazhdojnë” në zonën e Vasylkiv të qytetit.

Aty është thënë se “lufta aktive” po zhvillohet tashmë në rrugët e kryeqytetit, shkruan BBC.

Qeveria e Kievit gjithashtu konfirmoi luftimet në një deklaratë më herët dhe paralajmëroi banorët të qëndrojnë në strehimore dhe të mos iu afrohen dritareve apo ballkoneve.

Raportet e gazetarëve me bazë në Kiev në mediat sociale sugjerojnë gjithashtu se luftimet kanë shpërthyer me të vërtetë në rrugë.

Shumë po përshkruajnë shpërthime të forta dhe të shtëna me armë zjarri shumë më afër qendrës së qytetit.

Ndërkohë, forcat e armatosura të Ukrainës shtuan se trupat e saj kishin rrëzuar një numër “objektivash armike” ruse gjatë ditës dhe gjithashtu kishin ndaluar trupat ruse të merrnin ndonjë nga qytetet e Ukrainës.

Ushtarja vritet në ballafaqim me forcat ruse në Kiev

Mediat nga Ukraina raportojnë se të premten gjatë luftimeve është vrarë ukrainasja Iryna Tsvila.

Ushtarja ka ndërruar jetë pas luftimeve të ashpra të cilat u zhvilluan në afërsi të Kievit.

Trupat ruse të mbështetur edhe nga makineria e blinduar kanë goditur pozicionet mbrojtëse të ushtrisë ukrainase e cila vazhdon të luftojë përreth dhe brenda qytetit të Kievit.

Përleshjet janë duke u zhvilluar edhe natën sepse fokusi i ushtrisë ruse është pushtimi i kryeqytetit të Ukrainës.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, ka deklaruar se ata do të qëndrojnë në Kiev pavarësisht çmimit që duhet të paguajnë ngase ata nuk do e pranojnë pushtimin rus. 

Ai ka deklaruar se është e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje me qëllim që të parandalohet gjakderdhja e mëtutjeshme.

Ndryshe Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka urdhëruar trupat ruse që të pushtojnë pjesët e territorit të Ukrainës dhe qëllimi final është hyrja në kryeqytetin e Ukrainës dhe marrja nën kontroll e institucioneve shtetërore të Ukrainës.

Putin e konsideron se regjimi politik në Ukrainë është kriminal dhe se ata nuk do të lejojnë që vendi i tyre fqinj t’i bashkohet aleancës ushtarake të NATO-së. 

Raportohet se për shkak të luftimeve banorët janë të detyruar që t’i braktisin shtëpitë e tyre duke u strehuar në stacionet e hekurudhave dhe në bunkerë të cilit ishin ndërtuar gjatë kohës së ish-Bashkimit Sovjetik.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në bashkërendim me partnerët e tjerë i kanë vendosur sanksione Rusisë të cilat kanë për qëllim dëmtimin e rëndë të ekonomisë ruse.  Presidenti i Ukrainës ka konfirmuar se në gjatë dy ditëve të luftimit janë vrarë mbi 100 ukrainas.

Ukraina thotë se ka rrëzuar një aeroplan me ushtarë rusë

Ukraina ka rrëzuar para pak çastesh një aeroplan që po barte ushtarë rusë në Vasylkiv, që është në jug të Kievit.

Aeroplani Ilyushin II-76 përdoret për të transportuar ushtarët parashutistë në fushëbetejë.

“Kjo është hakmarrje për atë që ka ndodhur në Lugansk në vitin 2014”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Nuk dihet numri i viktimave e as sa persona kanë qenë në bord. 

***

Presidenti ukrainas i gatshëm për bisedime të paqes me Rusinë

Një zëdhënës i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyi, tha se Ukraina është e gatshme të mbajë menjëherë bisedime të paqes me Rusinë dhe për mundësinë e një armëpushimi.

Rusia ka thënë se do të bisedonte me delegacionin ukrainas, vetëm nëse ushtria ukrainase dorëzohej.

Zëdhënësi i presidentit Zelenskyi, Serhiy Nykyforov, shkroi në Facebook se mohonte deklaratat se “ne kemi refuzuar që të mbajmë bisedime".

“Ukraina ishte dhe vazhdon të jetë e gatshme për bisedime për t’i dhënë fund luftimeve dhe për paqe. Ky është pozicioni ynë i pandryshueshëm”, tha ai.

“Ne jemi pajtuar me ofertën e presidentit rus. Në këtë moment, palët janë duke u konsultuar për vendin dhe kohën e mbajtjes së procesit negociues. Sa më shpejt që bisedimet të nisin, shanset janë të mëdha që t’i kthehemi jetës normale”, tha Nykyforov.

Përleshje e ashpër, ukrainasit ia rrëzojnë edhe një avion ushtarak Rusisë

Ushtria ukrainase përgjatë një beteje të ashpër në Vinnytsya të Ukrainës me atë ruse, ka rrëzuar një aeroplan ushtarak rus të tipit Sukhoi Su-25.

Lajmi është bërë i ditur nga reporteri ukrainas i The Kyiv Independent, Illia Ponomarenko, nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Twitter’.

“Sukhoi Su-25 rus u rrëzua në një përleshje të ashpër pranë Vinnytsya-s.

Armiku ndoshta po përpiqej të sulmonte depot e municioneve në Kalynivka”, thuhet në postimin e tij.

Trupat ruse pësojnë “debakël” në këtë rajon të Ukrainës, detyrohen të tërhiqen

Trupat ruse ndalen së sulmuari pranë qytetit verilindor të Konotop, pasi pësuan humbje të mëdha gjatë një lufte, thanë forcat tokësore të Ukrainës.

“Ata kanë problem me karburantin dhe furnizimin”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se ka pasur raste të grabitjeve nga ushtarët rusë në dyqanet lokale, raporton Al Jazeera.

Në periferi të qytetit rreth 40 njësi pajisje ruse ishin djegur.

Biden: SHBA do të mbrojë çdo centimetër të territorit të NATO-s

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në një reagim të fundit në facebook, ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin po kërcënon themelet e paqes në botë.

“Sot u takova me udhëheqësit e tjerë nga aleatët tanë të NATO-s për të diskutuar përkushtimin tonë të përbashkët për mbrojtjen kolektive dhe sigurinë transatlantike. Ndërsa Presidenti Putin kërcënon vetë themelet e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, NATO po demonstron edhe një herë se qëndron për lirinë dhe demokracinë”, ka shkruar Biden.

Ai ka përsëritur se SHBA do të mbrojë çdo centimetër të territorit të NATO-s.

“Siç thashë dje, Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s. Angazhimi ynë ndaj nenit 5 është i hekurt. Unë kam urdhëruar vendosjen e forcave shtesë për të rritur aftësitë tona në Evropë për të mbështetur aleatët tanë të NATO-s. Dhe unë mirëpres fuqishëm vendimin për të aktivizuar planet mbrojtëse të NATO-s dhe elementët e Forcës së Reagimit të NATO-s për të forcuar qëndrimin tonë kolektiv, si dhe angazhimet e aleatëve tanë për të vendosur forca shtesë tokësore dhe ajrore në krahun lindor dhe forcat detare nga Veriu i Lartë deri në Mesdhe”, thuhet më tej në reagimin e Biden, përcjellë “Bota sot”.

Sipas tij, Putin ka dështuar në qëllimin e tij për të ndarë Perëndimin.

“Sot na u bashkuan partnerët tanë të ngushtë Suedia, Finlanda dhe Bashkimi Evropian. Presidenti Putin ka dështuar në qëllimin e tij për të ndarë Perëndimin. NATO është aq e bashkuar dhe e vendosur sa ka qenë ndonjëherë, dhe NATO do të mbajë dyert e saj të hapura për ato shtete evropiane që ndajnë vlerat tona dhe që një ditë mund të kërkojnë të bashkohen me Aleancën tonë. Ndërsa lundrojmë në këtë krizë, ne u zotuam të punojmë edhe më ngushtë së bashku në mbrojtjen tonë të lirisë dhe vlerave demokratike që mbushin Aleancën tonë me qëllim dhe fuqi”, ka deklaruar Biden.

Ai ka bërë të ditur se ka biseduar menjëherë me presidentin Zelenskyy të Ukrainës.

“Menjëherë pas Samitit të NATO-s, fola me Presidentin Zelenskyy të Ukrainës. Unë përgëzova veprimet e guximshme të popullit ukrainas që po luftonte për të mbrojtur vendin e tyre. Përcjella gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme ekonomike, humanitare dhe të sigurisë që jepet nga Shtetet e Bashkuara, si dhe përpjekjet tona të vazhdueshme për të mbledhur vendet e tjera për të ofruar ndihmë të ngjashme”, ka thënë presidenti i SHBA-së, Joe Biden përcjellë “Bota sot”.

E papritur/ Rusia dhe Ukraina po bëjnë bisedime për t’i nisur negociatat

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe presidenti rus Vladimir Putin po diskutojnë kohën dhe vendin për të zhvilluar bisedime.

Sipas një zëdhënësi të Zelensky, Ukraina është e gatshme të negociojë për paqe dhe një armëpushimi të mundshëm, raporton Reuters.

Ndërkohë po sot, Departamenti amerikan i Shtetit tha se oferta e presidentit rus, Vladimir Putin, për bisedime në Ukrainë, nuk “është diplomaci e vërtetë”.

Zëdhënësi i DASH’it, Ned Price tha se diplomacia nuk mund të zhvillohet “nën tytën e armës”.

Ukraina gati për të diskutuar armëpushimin

Një zëdhënës i presidentit ukrainasVolodymyr Zelensky sapo ka thënë se vendi është i përgatitur të mbajë armëpushim dhe bisedime paqeje me Rusinë menjëherë.

Ai tha se zyrtarët rusë dhe ukrainas po diskutojnë aktualisht një kohë dhe vend për bisedimet që do të zhvillohen, shkruan BBC.

BBC: Shpërthime të forta në Kiev, ndërpriten raportimet televizive

Shpërthime të shumta sapo janë dëgjuar në Kiev, ku sirenat e sulmit ajror po dëgjohen aktualisht në të gjithë kryeqytetin, transmeton 'Bota sot'.

Raporte të pakonfirmuara tregojnë nga tre deri në pesë shpërthime të mëdha në afërsi të kryeqytetit ukrainas.

Ndërsa sirenat dhe shpërthimet u binin në Kiev, TV lokal Pryamyy ndërpreu programin me mesazhin: "Do të kthehemi pasi të ketë mbaruar paralajmërimi për sulmin ajror".

Shpërthime raportohet se janë dëgjuar edhe në Donetsk, rajoni i shkëputur në Ukrainën lindore.

Kryetari i Kievit thotë se janë dëgjuar pesë shpërthime

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se pesë shpërthime janë raportuar në mbarë kryeqytetin ukrainas. Ai tha se disa shpërthime janë dëgjuar në afërsi të një termocentrali, në veri të qytetit.

“Shërbimet e emergjencës janë duke u përgjigjur”, tha ai.

“Situata tani – pa ekzagjerim – është kërcënuese për Kievin”, shtoi ai.

Klitschko tha se nata do të jetë “shumë e vështirë”.

Më herët, autoritetet thanë se forcat ruse janë në periferi të Kievit, teksa shumë banorë janë strehuar në stacionet e metrove.

Ndihma e parë ushtarake e pranuar publikisht arrin në Ukrainë që nga pushtimi

Polonia ka dërguar një autokolonë me municion në Ukrainë, sipas ministrit të Mbrojtjes të vendit Mariusz Błaszczak, duke e bërë atë dërgesën e parë të pranuar publikisht të ndihmës ushtarake në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus, raporton CNN transmeton "Bota sot:.

Një kolonë municionesh që po i dhurojmë Ukrainës ka mbërritur tashmë tek fqinjët tanë. Ne qëndrojmë pranë ukrainasve dhe tregojmë solidaritet kundër agresionit rus”, tha ai në një postim në Twitter. Tweet-i nuk përshkruante as llojin e municionit që Polonia u dërgoi ukrainasve dhe as sasinë.

 BE-ja shton presidentin rus Putin dhe ministrin e Jashtëm Lavrov në listën e sanksioneve

Bashkimi Evropian ka shtuar presidentin rus Vladimir Putin dhe ministrin e Jashtëm Sergej Lavrov në listën e tij të sanksioneve, tha Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borrell në një konferencë për shtyp të premten pas Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel.

“Ky është rezultati përfundimtar i diskutimit që nuk përfundoi dje në Këshillin Evropian dhe është vendosur sot nga ambasadorët dhe ministrat,” tha Borrell. “Pra, presidenti Putin dhe ministri i Jashtëm Lavrov janë në listën e personave të sanksionuar së bashku me anëtarët e mbetur të Dumës që po mbështesin këtë agresion”, shtoi ai.

Borrell tha se të vetmit liderë botërorë që u sanksionuan nga Bashkimi Evropian janë presidenti sirian Assad dhe ai bjellorus Lukashenko. “Dhe tani Putini”, shtoi ai.

Rusia tentoi të propagandojë kinse është larguar nga kryeqyteti ukrainas, lajmërohet Zelensky nga Kievi: Jemi të gjithë këtu

Mediat ruse që kontrollohen nga presidenti Vladimir Putin, gjatë tërë ditës kanë përhapur dezinformata kinse presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy është larguar nga kryeqyteti i Ukrainës, Kievi.

E për të përgënjeshtruar këto raportime, Zelensky ka publikuar një video nga rrugët e Kievit, ku shihet duke qëndruar pranë disa këshilltarëve.

“Ne jemi të gjithë këtu në Kiev, po e mbrojnë Ukrainën dhe to të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, dëgjohet Zelensky duke thënë në video.

Në anën tjetër edhe sot kanë vazhduar luftimet mes forcave ruse dhe atyre ukrainase.

E zyrtarë të lartë të Kremlinit po vazhdojnë të propagandojnë kinse nuk e kanë për qëllim të kryejnë luftime në zonat me civil, e pamjet e publikuara nëpër media ndërkombëtare e thonë të kundërtën.

NATO do të dërgojë më shumë trupa në Evropën Lindore

Vendet anëtare të NATO-s do të dërgojnë më shumë trupa në Evropën Lindore, thanë liderët botërorë, ndërsa akuzuan Rusinë se gënjen për qëllimet e saj, raporton Reuters.

Në një deklaratë të përbashkët pas një samiti virtual të kryesuar nga sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg, 30 udhëheqësit e NATO-s thanë:

“Askush nuk duhet të mashtrohet nga breshëria e gënjeshtrave të qeverisë ruse. Tani po bëjmë dislokime shtesë të rëndësishme mbrojtëse të forcave në pjesën lindore të aleancës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i bëri thirrje Rusisë që të ndalojë luftën “e pakuptimtë”.

Ukrainasit bëhen gati për sulmin rus në Kiev

Kievi po përgatitet për një sulm rus më 25 shkurt, teksa forcat pushtuese kanë arritur në periferi të kryeqytetit ukrainas. Ministria ukrainase e Mbrojtjes u tha banorëve që të bëjnë koktej molotovi me benzinë dhe të ndihmojnë ushtrinë që të “normalizojë” sulmuesit rusë.

Të shtëna janë raportuar pranë qarkut ku gjendet Qeveria në Kiev, teksa trupat ruse po godasin kryeqytetin ukrainas. Serenatat janë lëshuar në Kiev, qytet me tre milionë banorë, shumica prej të cilëve po strehohen në stacionet e metrosë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy tha se trupat ruse po shënjestrojnë zona të banuara me civilë, teksa ata po avancojnë me trupa dhe tanke nga tri drejtime.

Po ashtu ka raportime për luftime të vazhdueshme midis forcave ukrainase dhe ruse në qarkun verior Obolon të kryeqytetit.

Forcat ukrainase, ndërkaq, janë dislokuar në Kiev me pajisje të rënda ushtarake për ta mbrojtur kryeqytetin.

“Qyteti është në gjendje mbrojtjeje”, tha kryetari i Kievit, Vitali Klitchko, sipas agjencisë së lajmeve UNIAN. Ai tha se të shtënat me armë dhe shpërthime në disa zona të qytetit, nënkuptojnë se “sabotuesit” rusë po eliminohen.

OKB: Për 48 orë, mbi 50,000 ukrainas janë larguar nga vendi

Më shumë se 50,000 persona janë larguar nga Ukraina që prej nisjes së pushtimit rus, tha shefi i agjencisë për refugjatë të Kombeve të Bashkuara.

“Më shumë se 50,000 ukrainas janë larguar nga vendi në 48 orët e fundit, shumica prej të cilëve kanë ikur në Poloni dhe Moldavi”, tha Filippo Grandi.

Ai shtoi se “shumë të tjerë janë duke lëvizur drejt kufijve”.

OKB-ja tha të enjten se afro 100,000 persona janë zhvendosur brenda vendit, që prej se Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

***

Shpërthime u dëgjuan mbi kryeqytetin ukrainas herët të premten, në ditën e dytë të sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë në Ukrainë.

New York Times raportoi se kishte "vërtetuar" video të shpërthimeve që "duket se tregonte të paktën dy raketa tokë-ajër që u hodhën pranë Kievit përpara shpërthimit".

Sirenat e alarmit u dëgjuan edhe në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, jo shumë larg kufirit polak, ku janë zhvendosur përkohësisht shumë ambasada të huaja.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha të enjten në mbrëmje se trupat ruse, duke hyrë nga Bjellorusia, kishin përparuar deri në 32 kilometra larg Kievit.

Në Ukrainën veriore, trupat ruse morën kontrollin e centralit të Çernobilit të enjten. “Kjo është një deklaratë lufte kundër të gjithë Evropës”, tha presidenti ukrainas Volodymr Zelenskyy.

Çernobili është vendi i shpërthimit më të keq të centralit bërthamor në botë. Çernobili dhe zona përreth tij kanë mbetur të pabanueshme që nga fatkeqësia e vitit 1986.

Protestuesit kundër luftës u hodhën në demonstrata në të gjithë Rusinë, duke përfshirë Moskën dhe Shën Peterburgun, të enjten. Zyrtarët thonë se të paktën 1,700 njerëz u arrestuan.

Presidenti amerikan Joe Biden, njoftoi të enjten një raund të ri sanksionesh ndaj Rusisë pas sulmit ndaj Ukrainës, duke akuzuar udhëheqësin rus Vladimir Putin se "e zgjodhi këtë luftë" dhe se vendi i tij do të bartë pasojat e veprimeve të tij.

Aleatët e NATO-s, përfshirë Britaninë dhe Bashkimin Evropian vendosën sanksione të reja të enjten po ashtu.

Sulmi rus mbi Ukrainën është sprova më e madhe e sigurisë së Evropës që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Në një fjalim televiziv nga Kremlini para agimit të së enjtes, presidenti e quajti atë një "operacion ushtarak të posaëm” që synon "çmilitarizimin dhe denacifikimin" e Ukrainës, dikur një republikë sovjetike, por një vend i pavarur që nga viti 1991.

Ndërsa nata po binte në Evropë, ministri i Shëndetësisë i Ukrainës, Viktor Lyashko tha se 57 ukrainas janë vrarë dhe 169 janë plagosur.

Sipas zyrtarëve amerikanë, gjatë sulmit rus, ende në fazën fillestare, u shënjestruan pozicionet e mbrojtjes ukrainase me më shumë se 160 raketa balistike me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi dhe sulme ajrore nga avionët.

Nga Kievi, gazetari i Zërit të Amerikës, Jamie Dettmer, raportoi se një aeroport ushtarak në perëndim të kryeqytetit u godit herët të enjten nga helikopterët sulmues. Ai citoi një zyrtar të lartë të ketë thënë se "forcat ushtarake ruse depërtuan në Ukrainë në rajonin e Kievit në pikën e kontrollit Vilcha", e cila është në kufi me Bjellorusinë, një aleat rus, ku Putini ka grumbulluar trupa në javët e fundit, duke thënë se ata po kryenin stërvitje ushtarake.

Zyrtari amerikan i mbrojtjes: Rusia ka humbur momentumin

Një zyrtar amerikan i mbrojtjes ka thënë se forcat ruse kanë humbur momentumin në pushtimin e tyre në Ukrainë.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, zyrtari tha se asnjë qendër me popullsi ukrainase nuk është marrë deri më tani.

Por disa raketa ruse kanë prekur zonat e banuara, shkruan BBC.

Ata shtuan se ka gjithashtu indikacione për sulme kibernetike kundër hidrocentralit Kakhovka në jug të Ukrainës.

Britania: Forcat ruse janë më shumë se 50 km larg nga qendra e Kievit

Pjesa më e madhe e forcave ruse që janë duke përparuar drejt kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, janë më shumë se 50 kilometra larg qendrës së qytetit.

Kështu ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, në një postim në Twitter.

Aty po ashtu thuhet se automjetet e blinduara ruse kanë hapur një rrugë tjetër për të shkuar drejt kryeqytetit ukrainas pasi nuk kanë qenë të suksesshme në marrjen e Chernihiv që është një qytet në veri të Ukrainës.

Në këtë njoftim thuhet edhe se zyrtarët do të vazhdojnë të monitorojnë raportet e “përplasjeve sporadike” mes trupave ruse dhe atyre ukrainase në veri të kryeqytetit.

Image
Forcat ruse

***

Forcat e armatosura ukrainase thanë se Rusia ka pësuar humbje të mëdha. Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës tha se 2,800 trupa ruse janë “shuar”.

Është ende e paqartë nëse ky numër ushtarësh janë vrarë, plagosur apo kapur.

Ministria ukrainase po ashtu vlerësoi se ka shkatërruar rreth 80 tanke, mbi 500 makina të tjera ushtarake, dhjetë avionë dhe shtatë helikopterë.

Rusia më herët ka pretenduar se nuk ka pësuar ndonjë humbje të madhe, ndërkaq, Ukraina po ashtu më herët gjatë ditës tha se mbi 1,000 sulmues rusë janë vrarë.

“Ne jemi të fortë. Fitorja do të jetë e jona”, tha Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës.

Putini thirrje ushtrisë ukrainase: Merreni pushtetin në duart tuaja

Vladimir Putin i është drejtuar direkt Këshillit të Sigurimit Rus dhe indirekt, ushtrisë ukrainase.

Ai thotë se Banderites - një referencë për luftëtarin anti-sovjetik të Luftës së Dytë Botërore, Stepan Bandera - dhe të ashtuquajturit neo-nazistë "kanë vendosur armatim të rëndë duke përfshirë sisteme të shumta lëshimi raketash" në qytete, duke përfshirë Kievin dhe Kharkivin, shkruan BBC, përcjell Bota sot.

"Neo-nazistët" përdoret rregullisht nga Presidenti Putin për të tallur qeverinë ukrainase. Presidenti i Ukrainës Zelensky, i cili është hebre, e ka hedhur poshtë këtë term.

“Ata po veprojnë si terroristë në mbarë botën, duke u mbrojtur pas njerëzve në mënyrë që të akuzojnë Rusinë se ka shkaktuar viktima në popullatën paqësore”, thotë Putin.

“Dihet me siguri se e gjithë kjo po ndodh me rekomandime të konsulentëve të huaj, mbi të gjitha këshilltarëve amerikanë”.

Më pas ai u drejtohet forcave ukrainase.

“Po ju drejtohem edhe një herë ushtarakëve të forcave të armatosura ukrainase: mos lejoni neo-nazistët dhe banderitët të përdorin fëmijët tuaj, gratë tuaja dhe të moshuarit si mburojë njerëzore”.

"Merrni pushtetin në duart tuaja. Duket se ju dhe ne do ta kemi më të lehtë të arrijmë një marrëveshje sesa me atë bandë të narkomanëve dhe neo-nazistëve në Kiev."

Zelensky në videokonferencë me liderët e BE-së: Ndoshta është hera e fundit që më shihni të gjallë

Presidenti ukrainas, Zelensky ka prekur me fjalët e tij drejtuar liderëve të BE. Mediat e huaja shkruajnë se në një video-konferencë me liderët, ai i ka komunikuar atyre se kjo mund të jetë hera e fundit që mund ta shohin të gjallë.

“Kjo është hera e fundit që mund të më shihni gjallë”, mësohet të ketë thënë Presidenti.

Kujtojmë se aktualisht janë duke u kryer luftime në Kiev. Forcat ruse ndodhen shumë pranë kryeqytetit, e nga ana tjetër, ushtria ukrainase ndodhet në gatishmëri për mbrojtje.

Sakaq, vlen të përmendet se Rusia ka propozuar të ketë diskutime me Ukrainën në Minsk të Bjellorusisë, por pikë së pari shteti ukrainas duhet të shpallë neutralitetin. Ukraina nga ana tjetër ka thënë se po konsiderojnë këtë propozim dhe kritikat e tyre janë drejtuar nga vendet e BE, që sipas presidentit Zelensky i kanë lënë të vetëm në këtë betejë të përgjakshme.

Putin thyen heshtjen, i bën thirrje ushtarakëve ukrainas të kthehen kundër qeverisë së tyre

BBC raporton se presidenti rus Vladimir Putin i ka bërë thirrje ushtarakëve ukrainas që të kthehen kundër qeverisë së tyre.

Konferenca është ende në vijim, ndërkohë që kjo është deklarata e parë e Putin që pas dhënies së urdhrit për pushtimin e Ukrainës.

Gjermania: BE do të pranojë ata që i ikin dhunës në Ukrainë

Bashkimi Evropian do të pranojë të gjithë njerëzit që i ikin dhunës së shkaktuar nga pushtimi rus në Ukrainë, ka thënë ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.

“Neve na duhet të bëjmë gjithçka për të pranuar pa vonesa njerëzit që janë duke iu ikur bombave, tankeve”, u ka thënë ajo gazetarëve teksa ka arritur në Bruksel për një takim me homologët e saj evropianë.

“Ne kemi provuar gjithçka për të shmangur këtë ditë (të pushtimit) mirëpo presidenti rus ka zgjedhur luftën në vend të jetëve të njerëzve.

Për këtë arsye ne do të marrim të gjithë njerëzit që janë duke ikur tani”, ka thënë Baerbock, duke shtuar se ajo ka nisur të koordinohet për shpërndarjen e refugjatëve ukrainas me shtetet si Polonia dhe Kanadaja.

Dita e dytë agresionit rus në Ukrainë, çfarë dihet deri tash?

Ukraina po pret që tanket e Putinit do ta sulmojnë kryeqytetin e saj, Kievin, ndërsa qytetarëve u është kërkuar t’u rezistojnë forcave ruse.

Krismat janë dëgjuar në qendër të Kievit dhe raportohet për luftë të ashpër në veri të kryeqytetit. Sipas raportimeve, forcat ruse kanë marrë në kontroll aerodromin ‘Hostomel’ afër Kievit, ndërsa kryetari i kryeqytetit ka thënë se Kievi ka hyrë në “fazë mbrojtëse”.

Ministria e Mbrojtjes u ka kërkuar qytetarëve të saj që të rezistojnë kur forcat ruse të hyjnë në Kiev dhe të informojnë autoritetet vendase për lëvizjet e trupave. Një nga kërkesat ka qenë që të bëjnë koktej mollotovi, për ta neutralizuar armikun.

Shpërthimet tronditën Kievin në orët e para të ditës së dytë së pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Autoritetet ukrainase kanë raportuar se e kanë rrëzuar një avion ushtarak rus mbi kryeqytet.

Forcat ruse kanë marrë edhe qytetin Sumy, në veri-lindje të Ukrainës, sipas një banori, i cili ka thënë se i ka parë autoblindat ruse në rrugët e qytetit.

Image
Pamje nga Ukraina

Digjet ndërtesa e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës

Rusia është duke vazhduar sulmet ndaj Ukrainës, derisa televizioni “NEXTA”, ka publikuar pamje, ku shihet ndërtesa e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës në Chernigov derisa digjet.

Sot bëhen dy ditë që kur Vladimir Putin ka vendosur që të ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë me qëllim të pushtimit.

E gjithë bota Perëndimore ka dënuar agresionin rus dhe ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe Putinit me qëllim të parandalimit.

***

Shihet tymi duke u ngritur pranë qendrës së Kievit.

James White i BBC-së i ka marrë këto imazhe nga qendra e Kievit.

Tymi i zi u pa që ngrihej në anën lindore të lumit Dnieper në kryeqytetin e Ukrainës.

Më poshtë fotot:

Image
Tymi i zi ngrihet pranë qendrës së Kievit
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat