Podgorica mbyll hapësirën ajrore për aeroplanët rusë, i bashkohet Tiranës dhe Shkupit

Evropë

Podgorica mbyll hapësirën ajrore për aeroplanët rusë, i bashkohet Tiranës dhe Shkupit

Më: 5 mars 2022 Në ora: 06:54
Ilustrim

Mali i Zi ka marrë vendim të mbyllë hapësirën ajrore për të gjithë avionët rusë. Media malazeze njoftojnë se vendimi i ndërmarrë nga Agjencia e Aviacionit Civil dhe me propozim të Ministrisë së Investimeve Kapitale shkon në të njëjtën linjë me kërkesat e Bashkimit Evropian për t’i vendosur sanksione Moskës.

Me këtë vendim Mali i Zi i shtohet vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor që kanë mbyllur hapësirën ajrore për avionët rusë, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa hapësira ajrore e Kosovës kontrollohet nga NATO.

Aktualisht vetëm dy vende të Ballkanit, Bosnja e Serbia, nuk e kanë mbyllur hapësirën e tyre ajrore me Rusinë. Madje Serbia, ka njoftuar se do të rrisë numrin e fluturimeve nga Beogradi në Moskë.

Duke filluar nga java e ardhshme, kompania ajrore 'Air Serbia' njoftoi do të ofrojë 15 fluturime direkte për në Moskë në javë. Përpara vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, linja ajrore operonte vetëm tetë fluturime.

Në përgjigje të sanksioneve perëndimore, Rusia mbylli hapësirën e saj ajrore për 36 vende, duke përfshirë dhe 27 vendet anëtare të BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat