Sanksione “ferri” për Rusinë?! Kolapsi total i ekonomisë Ruse pritet të ndodhë në korrik

Evropë

Sanksione “ferri” për Rusinë?! Kolapsi total i ekonomisë Ruse pritet të ndodhë në korrik

Nga: Idriz Morina Më: 9 mars 2022 Në ora: 19:47
A nuk meriton sanskione "ferri" Rusia, për krime lufte

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ia ka ofruar Ukrainës dy miliardë dollarë, ka bërë të ditur me një cicërimë në twiter, presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, pas një bisede që ka pasur me drejtues të saj.

“E vlerësoj mbështetjen e BERZH-it dhe personalisht presidenten e BERZH-it Odile Renaud. Kjo ndihmë prej 2 miliardë eurosh është një kontribut i rëndësishëm për të luftuar agresionin rus. #stoprusia”, shkruan Zelenski.

Sekretari i Shtetit Antoni Blinken pak më parë ka njoftuar në twiter se “Urdhri Ekzekutiv” i aseteve digjitale përforcon mbështetjen për inovacionin financiar të përgjegjshëm. “Teknologjia që mbështet format e reja të pagesave dhe flukset e kapitalit në sistemin financiar ndërkombëtar mund të përfitojë konsumatorët dhe bizneset nëse vendosen në mënyrë korrekte.”, shkroi ai në twiter para pak minutash.

Por, sipas Financial Times, në frontin e deritanishëm të bashkuar të Perëndimit dhe me veprim të shpejtë të BE-së me sanksione ndaj Rusisë, po shfaqen të çarat e para.

Rusia i përgjigjet ndalimeve perëndimore të importit të mallrave të saj… duke ndaluar eksportin e mallrave të saj drejt Perëndimit, megjithëse askush nuk pret ndikim nga kjo!

Por, nëse Rusia vendos ta ndalojë eksportin e naftës dhe gazit, kjo do të shkaktojë një situatë paniku në BE.

“Frika më e madhe për tregun e naftës tani është ajo e përshkallëzimit. Zëvendëskryeministri i Rusisë Alexander Novak tha se vendi i tij kishte "çdo të drejtë të marrë një vendim hakmarrje" dhe të ndërpresë furnizimin me gaz natyror në Evropë”, shkruan Financial Times (FT).

Edhe të ashtuquajturat sanksione “ferri” për Rusinë, sipas një analize të këtij mediumi nuk po japin rezultatet e pritura. “Kërcënimi i sanksioneve ndaj Rusisë dështoi të jetë një pengesë, sepse Perëndimi nuk ishte mjaftueshëm i besueshëm. Politikanët perëndimorë folën shumë shpesh për "sanksione ferri", por nuk bënë asgjë. Putini arriti në përfundimin se asgjë nuk do të ndodhte”, shkruan FT.

Shanset e pashfrytëzuara nga Kosova

Sipas ekspertit shqiptar të tregjeve, Emanuel Bajra, Kosova do të mund të përfitojë nga një paketë stimulimi për ekonominë nga pasojat e sanksioneve ndaj Rusisë dhe të luftës në Ukrainë.

“BE-ja përgatitet për një stimulim (valë të re të shtypjes së parasë) multimiliardëshe për të ndihmuar ekonominë e kontinentit që ta përballojë shtrenjtimin, inflacionin, recesionet rajonale, luftën në Ukrainë. Gjasat janë që edhe Kosova të përfitojë diçka nga ky stimulim”, shkruan Bajra.

Por, ai thotë se Kosova është vonuar me themelimin e Fondit Sovran, përndryshe do të kishte fituar shumë nga shitja e stoqeve që kanë vlerë, dhe aktualisht janë të lira.

“Prej 500 stoqeve në S&P Amerikane, 291 asete janë të lira për tu blerë (qysh nuk e patëm Fondin Sovran të themeluar. Kosova do të kishte mundur me përfitu miliarda brenda 5 viteve të ardhshme”, vlerëson ai.

Ndërkohë, presidentja e vendit Vjosa Osmani, sot ka kërkuar ndihmë nga BE-ja, për shkak të krizës së theksuar të rritjes së çmimeve dhe panikut të shkaktuar në tregun tonë.

Ndërsa, edhe zyrtarja e Shtëpisë së Bardhë për Informim, Psaki, ka bërë të ditur se rrjeti i ushqimit të shpejtë McDonald's, ka vendosur t’i mbyllë të gjitha restorantet e veta në Rusi, në shenjë solidarizimi me vuajtjet e ukrainasve, si protestë për agresionin rus në Ukrainë. Ajo njoftimin e ka bërë, duke e sjellur në twiter, njoftimin e McDonald's-it.

"Në tridhjetë e më shumë vitet që McDonald's ka operuar në Rusi, ne jemi bërë një pjesë thelbësore e 850 komuniteteve.. vlerat tona nënkuptojnë se nuk mund të injorojmë vuajtjet e panevojshme njerëzore...McDonald's ka vendosur të mbyllë përkohësisht të gjitha restorantet tona në Rusi", ka deklaruar kjo kompani.

Ndërkohë, edhe “Coca cola” dhe kompani të tjera kanë deklaruar se do ta mbyllin veprimtarinë e tyre në Rusi.

Sipas Bajrës, Ukraina, gradualisht po tërheq një numër të investitorëve për bonot e veta të thesarit nëpërmjet kriptovalutave. $50 milion janë grumbulluar veç në tre ditët e kaluara - deri në fund të javës pritet që $100 milionë të grumbullohen nga donacionet dhe investimet e kriptovalutave.

Kina do t’ia blejë Rusisë të gjithë arsenalin e rezervave të arit në Bankën Qendrore Ruse. Vlera e këtij ari $130 miliardë do të paguhet nga Kina në dollar amerikan.

Kina po ashtu po i konsideron mundësitë e shtrirjes së influencës (kancerit monetarë) edhe në bordet e kompanive ruse të energjisë si edhe rritjen e aksionarëve të vet brenda këtyre kompanive.

Shenja pozitive të mërkurën, dhe parashikimet për tkurrje

Tregjet perëndimore të mërkurën u hapen me trendë pozitiv pas lajmeve të mira nga ekonomia Amerikane, performanca e bankave, ulja e papunësisë në Evropë, si edhe prerja e 2% e tregjeve ruse nga tregjet e kapitaleve perëndimore.

Bajra thekson se stagnacioni dhe recesioni janë të pashmangshëm këtë vit në Evropë dhe SHBA. “Kjo si pasojë e mundësisë së stërzgjatjes së luftës në Evropë, sanksionimit të Kinës si edhe transfereve të mëdha nga investitorët e kapitalit nga asetet me rrezikshmëri të lartë në entitetet sovrane sikurse bonot e thesarit amerikan”, vlerëson ai.

Sipas pasqyrës së dhënë ish-bankieri Bajra, rezulton se Hedge Funds veç të hënën kanë shkarkuar nga platformat e tyre investuese $200 miliardë si rezultat i strategjisë së ri-përshtatjes së tregjeve sepse sanksionet ndaj Rusisë janë veç fillimi, Perëndimi po preokupohet edhe me qasjen ndaj Kinës.

Ndërsa, sipas tij EuroStoxx (bursa evropiane e tregjeve) është -28.45% sivjet në krahasim me vitin e kaluar. Investimi në EuroStoxx të garanton kthim prej 1.82% shumë pak në krahasim me FTSE në Londër dhe S&P 500 në Neë York ku kthimi është 7-10%!

“Kolapsi total i ekonomisë Ruse pritet të ndodh në korrik të këtij viti. Sektori i gazit ka fshirë nga lista e përfitimeve $30 miliardë veç dje, ndërsa bankat kanë fshirë nga balancat e tyre $120 miliardë, sektori privat, kompanitë $85 miliardë përderisa Rubla më nuk figuron në tregjet e kapitalit dhe bursat e botës”, thotë Bajra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat