Ukraina akuzon rusët për bombardime në Bjellorusi

Evropë

Ukraina akuzon rusët për bombardime në Bjellorusi

Më: 11 mars 2022 Në ora: 16:52
Pamje nga lufta në Ukrainë

Zyrtarët ukrainas kanë akuzuar Rusinë për bombardimin e vendbanimeve bjelloruse nga hapësira ajrore e Kievit këtë të premte.

Shtabi i përgjithshëm i Ukrainës tha se rojet kufitare kishin marrë informacione se avionët rusë ishin ngritur nga një fushë ajrore në Bjellorusi, kishin kaluar në hapësirën ajrore të Ukrainës dhe më pas kishin qëlluar në fshatin jugor të Kopanit, shkruan BBC.

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksiy Reznikov, nëpërmjet një video-mesazhi të postuar në rrjetin social Facebook paralajmëroi qytetarët bjellorusë se forcat ruse po përgatitnin sulmin.

“Sipas synimeve të tyre kriminale, aviacioni rus po përgatitet të godasë një sërë vendbanimesh në territorin e Republikës së Bjellorusisë, të vendosura afër kufirit Ukrainë-Bjellorusi. Konkretisht, ata planifikojnë të godasin Kopanin,” tha Reznikov.

“Qëllimi i provokimit është të detyrojë udhëheqjen aktuale të Bjellorusisë në luftë kundër Ukrainës. Moska po përpiqet t’ju lidhë me gjak. Unë garantoj se ushtria ukrainase nuk ka planifikuar, nuk planifikon dhe nuk do të planifikojë asnjë veprim agresiv kundër Bjellorusisë”, tha ai.

Kjo vjen pasi zëvendësministri i Brendshëm i Ukrainës, Yevheniy Yenin tha se qeveria bjelloruse “ka bërë gjithçka që është e mundur për të shmangur përfshirjen në këtë luftë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat