Refugjatët nga Ukraina rrëfejnë tmerrin e luftës në qytetet e tyre

Evropë

Refugjatët nga Ukraina rrëfejnë tmerrin e luftës në qytetet e tyre

Më: 13 mars 2022 Në ora: 19:10
Refugjatë ukrainas duke kaluar në Poloni.

Refugjatë nga Ukraina vijojnë të kalojnë kufirin për në Poloni, ndërsa forcat ruse nuk i kanë ndalur bombardimet duke përfshirë dhe zonat ku jetojnë civilë. Shumë refugjatë tregojnë për shkatërrimet që kanë lënë pas, ndërsa një pjesë e të afërmve të tyre janë duke mbrojtur vendin nga agresioni rus.

Refugjatë nga Ukraina vijojnë të kalojnë kufirin për në Poloni. Njerëzit që kanë mbërritur me tren në qytetin polak Przemsyl tregojnë për shkatërrimin që kanë lënë pas, pasojë e bombardime ruse.

“Nuk ka më ndërtesa në disa qytete. Qyteti im është pothuajse i shkatërruar. Nuk mund të rrimë më atje me fëmijët, nuk mund të dalim më jashtë për të blerë ushqime. Është shumë e frikshme. Shumë njerëz kanë mbetur pa një vend për të jetuar. Disa ndërtesa janë bombarduar dhe janë shkatërruar plotësisht”, thotë Tatiana Lukash, refugjate nga Kharkivi.

Moska thotë se po kryen një “operacion special” në Ukrainë, për të çarmatosur fqinjin e saj dhe për të larguar udhëheqësit e këtij vendti të cilët i quan "neo-nazistë”. Por banorë të Ukrainës mendojnë ndryshe.

“Ne nuk i thirrëm rusët për të na shpëtuar. Nuk ka nazistë fare në qytetet tona. Kemi pasur një jetë të bukur. Të gjithë janë gati të luftojnë tani qoftë edhe pa armë”, thotë Tatiana Lukash, refugjate nga Kharkivi.

“Ne erdhëm nga rajoni i Donetskut. Shpëtuam fëmijët tanë dhe veten sepse nuk e dinim se çfarë do të ndodhte në Ukrainë. Burrat dhe të dashurit tanë qëndruan në shtëpi”, thotë Ekaterina Khodzalova, refugjate nga rajoni i Donetskut.

“Unë nuk kam frikë të jem vetëm. Kam frikë për familjen time. Ata janë në Kharkiv. Babai im është shofer kamioni dhe ka qenë në Kiev për punë dhe tani po qëndron atje për ta mbrojtur. Vështirë se mund të kontaktoj me të. Kjo situatë më frikëson më shumë se çdo gjë. Është shumë e dhimbshme që u largova dhe ata qëndruan atje”.

Autoritetet lokale në Kiev, thonë se shumë se gjysma e popullsisë së kryeqytetit tashmë është larguar. Lufta ka detyruar më shumë se 2.5 milionë njerëz të largohen nga Ukraina./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat