​Lirohet Borisov, kryeministri Petkov: Bullgaria nuk ka prokurori të pavarur

Evropë

​Lirohet Borisov, kryeministri Petkov: Bullgaria nuk ka prokurori të pavarur

Më: 19 mars 2022 Në ora: 16:38
Bojko Borisov

Kryeministri bullgar, Kiril Petkov, ka kritikuar lirimin e ish-kryeministrit Bojko Borisov nga paraburgimi, duke thënë se në Bullgari nuk ka një prokurori të pavarur.

"Ne përsëri përballemi me një sabotim të plotë të prokurorisë bullgare të kryesuar nga z.Ivan Geshev", citohet të ketë thënë Petkov nga agjencia bullgare e lajmeve BTA.

Petkov dhe ministri i Punëve të Brendshme Bojko Rashkov mbrëmë mbajtën një konferencë të jashtëzakonshme për media, në të cilën komentuan ndalimin dhe lirimin e Borisovit.

“Po fshihen dokumente që mund të çojnë në akuza, të cilat ne mund t'i marrim lehtësisht. Informacionet po fshihen dhe injorohen gjithashtu për të parandaluar një hetim ligjor," tha kryeministri pasi Borisov u lirua nga paraburgimi.

Ish-kryeministri dhe lideri i partisë GERB, Bojko Borisov, u arrestua të enjten mbrëma së bashku me ish-ministrin e Financave Vladislav Goranov dhe këshilltaren e tij për media Sevdalina Arnaudova dhe u liruan një ditë më vonë.

Pas lirimit të tyre, prokurorët thanë se nuk kishin informacion të mjaftueshëm për t'i akuzuar. Petkov tha se prokuroria po pengonte punën e kujtdo që përpiqej të trajtonte korrupsionin në Bullgari.

“Ka një problem serioz për prokurorinë bullgare dhe ai është se Prokuroria Publike Evropiane EEPO është duke punuar në këtë rast. Ndërsa faktet zakonisht errësohen dhe publiku bullgar mbetet i paaftë për të parë se çfarë po ndodh, tani ekziston një strukturë paralele evropiane në të cilën ne besojmë më shumë," tha Petkov.

Ai theksoi se Bullgaria nuk do të jetë më një shtet i robëruar dhe do të bëjë gjithçka "për t'u bërë një shtetnormal evropian".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat