Le të digjet Rusia, ashtu si digjen dokumentet e saj / ‘Nuk do të kthehen në rroba dasme, po në qese najloni’

Evropë

Le të digjet Rusia, ashtu si digjen dokumentet e saj / ‘Nuk do të kthehen në rroba dasme, po në qese najloni’

Nga: Idriz Morina Më: 28 mars 2022 Në ora: 14:19

Lufta në Ukrainë po vazhdon me dramaticitete të panumërta. Thënia epike e presidentit amerikan Biden, duhet respektuar nga të gjithë, nga të gjitha qeveritë që mbrojnë humanizmin dhe qytetërimin tonë. “Për hir të Zotit, ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet,” tha Biden të shtunën në Poloni, duke iu referuar krimeve ruse në Ukrainë dhe pushtimit të urdhëruar nga diktatori Putin.

Kjo fjali, dhe mesazhet tjera të përcjella nga Biden, kanë filluar si duket të rrisin forcat mobilizuese të perëndimit për t’u mbrojtur nga Rusia, dhe për ta parandaluar avancimin e mëtutjeshëm të Rusisë.

Sistemi i avancuar raketor izraelito-amerikan, Iron Arrow 3

Sipas ekspertit Martin Henze, Gjermania ka vendosur ta ndihmojë Evropën Lindore, me raketat ndoshta më të mira izraelite, të prodhuara ndonjëherë. Vetë raketat besohet se janë porositur nga Gjermania, sistemi quhet Iron Arrow 3, të prodhuara nga Izraeli. Ato do të jenë në shërbim të mbrojtjes ajrore për gjashtë shtete, për Poloninë, Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Çekinë dhe Sllovakinë.

“Gjermania mbron Evropën Lindore, sistemi Iron Arrow 3 nga Izraeli është ndërtuar në Gjermani. Ndërtimi i Mega Shield, i cili përdor sistemet e radarëve të raketave Super Greene Pine, do të mbrojë gjithashtu 🇵🇱🇪🇪🇱🇹🇱🇻🇨🇿🇸🇰”, shkroi Henze në tviter.

Sipas raportimeve në media si Globes, Gjermania pritet ta blejë sistemin Iron Dome të Izraelit për mbrojtjen kundër raketave me rreze të shkurtër veprimi, si dhe sistemin e ri Arrow 3 për mbrojtje nga raketat me rreze të gjatë veprimi (balistike, me gjasë dhe të tjera). Por, prodhimi dhe zhvillimi i sistemit Arrow 3, prodhim izraelito-amerikan, thuhet se ende nuk ka përfunduar. Por, sipas vlerësimeve ushtarake izraelite, provat me ato sisteme kanë dëshmuar aftësi të suksesshme të tyre. Zyrtarisht thuhet se ende nuk është marrë asnjë vendim për këtë çështje në Gjermani.

Paraprakisht, me fillimin e pushtimit të Ukrainës, deputetët gjerman kanë kërkuar nga qeveria të blinte menjëherë sistemin Iron Dome.

Sipas vlerësimeve në Gjermani, sistemi do të kushtojë të paktën dy miliardë euro.

Image
Sistemi i avancuar raketor, për mbrojtje nga Rusia

Edhe ish komandanti i NATO-s, Vesli Klark, beson se tashmë janë krijuar kushtet për ta ndihmuar ushtarakisht Ukrainën.

Ndërsa, i ka dhënë jehonë qëndrimeve të presidentit amerikan Biden të shprehura në samitin e NATO-s dhe gjatë takimeve të tjera në Poloni, për luftën në Ukrainë, pushtimin e Rusisë shpreson që Rusia do të ndalet me përkrahjen e ukrainasve për ta ruajtur ‘lirinë’.

Njëri nga mbështetësit e tij është gjenerali në pension, Vesli Klark, ish-komandant i NATO-s, i cili i udhëhoqi bombardimet e Aleancës kundër caqeve ushtarake dhe strategjike serbe, që çoi në çlirimin e Kosovës, dhe njohjen e Pavarësisë, pastaj.

“Udhëtim i mrekullueshëm evropian i Presidentit tonë! Shpresojmë se mund t'u ofrojmë ukrainasve mjetet që u nevojiten për të ruajtur lirinë e tyre!”, shkroi Klark, para pak orësh në tviter.

Cila është rrjedha e luftës në Ukrainë?

Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës, prezanton dy raste të ndryshme, por që të dyja kanë të bëjnë me dështimin e forcave ruse për të përparuar në pushtimin ndaj Ukrainës.

Ushtarët rusë vazhdojnë të ‘kënaqen’ me vjedhje dhe plaçkitje. Këtë e dëshmon Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës, i cili ka publikuar bisedat e përgjuara telefonike ndërmjet ushtarëve rusë dhe familjarëve të tyre.

“Plaçkitja midis pushtuesve rusë është bërë e madhe. Ushtria e "mercenarëve" manifestohet në të gjithë "bukurinë" e saj. Këtë e dëshmojnë praktikisht të gjitha bisedat e pushtuesve, të cilat përgjohen nga SBU. Ata që qëndrojnë në rajonin e Kievit e konsiderojnë veten veçanërisht "me fat".

“A ke pirë ndonjëherë absinth (një pije alkoolike me përqendrim të lartë, me shije të kombinuar nga disa bimë)?”, e pyet ushtari të dashurën e tij. Dhe pyetjes së saj të befasuar, nëse nuk është në resort, ai i përgjigjet: "Dje grabitëm dyqanin: birrë dhe gjithfarë m... morëm" ...

Meqenëse racistët e kuptojnë se nuk mund ta marrin Kievin, ata i vendosin vetes më shumë detyra "me këmbë në tokë": "Le të pimë birrë". Ata kanë birrë… në përgjithësi oh * noe....

Një tjetër bisedë, ushtar i thotë të dashurës mos planifikoni ende asnjë datë martese, nuk dihet se sa do të zgjasë. “Mos rezervoni ende një datë në zyrën e gjendjes civile. Nuk është ende e qartë se çfarë është këtu dhe kur…”. Por, sipas SUB-së, ushtarët rusë e kanë një perspektivë edhe më të keqe: “mund të kthehen në shtëpi me qese plastike. Jo me rrobat më të mira të dasmës”.

Ndërsa, rasti i Aleksandër Luzenkos është interesant për faktin, se ai kishte nënshtetësi ruse, edhe pse ishte një ukrainas etnik, ai kishte shërbyer në emergjencën e Federatës ruse. Por, pas 9 vitesh punë në atë shërbim ishte kthyer me 2017 në Ukrainë.

“Prej vitit 2017 jeton në Ukrainë dhe sot e quan veten ish-shtetas të Rusisë. Ai thotë se nuk mund të kishte parë më keq, ndërsa rusët erdhën këtu dhe nisën të shkatërronin gjithçka, duke vrarë edhe civilë”, thuhet në njoftimin e këtij Shërbimi.

Ai thotë se është i gatshëm të flijohet për Ukrainën. “Jam gati të jap jetën për Ukrainën”, ka deklaruar Luzenkos, i cili këto qëndrime i shfaqi, vetëm pasi Shërbimi kreu kontrolle të hollësishme nga agjencitë ukrainase të inteligjencës.

“Pasaporta ruse dhe bileta ushtarake e Forcave të Armatosura të Federatës Ruse u bënë copë-copë dhe u dogjën si të panevojshme: "Le të digjet Rusia kështu si po digjen dokumentet e saj", thotë Luzenko në videon e shoqëruar me tekstin.

Sulme të pamëshirshme artilerike

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës deklaron për disa nga zhvillimet kryesore. Kështu qyteti Buça, është një nga dështimet ku operacioni "Blitzkrieg" i Rusisë mori goditjen e rëndë. Sipas saj pushtuesit rusë vazhdojnë të godasin me raketa dhe bombardime mbi civilët dhe infrastrukturën civile, si dhe të plaçkitin.

Forcat ukrainase në mbrojtje të qytetit të Kievit po i frenojnë forcat ruse, që po përpiqen ta çajnë mbrojtjen dhe të marrin vendbanimet.

Në rajone të tjera, është vënë re se forcat ruse po rigrupohen për të rritur aftësitë sulmuese për të realizuar qëllimin e arritjes së kufijve administrativ të rajoneve Donetsk dhe Luhan. Njëkohësisht rusët po vazhdojnë të kryejnë sulme me raketa dhe bomba në infrastrukturën ushtarake dhe civile.

“Armiku vazhdon të bllokojë qytetin e Chernihivit duke shkaktuar dëme nga zjarri në infrastrukturën civile. Mbron territorin e pushtuar më parë dhe po kryen pozicionimin e pajisjeve inxhinierike. Sipas të dhënave të disponueshme, armiku u tërhoq nga fshati Snovsk, duke shkatërruar urën mbi lumin Snov”, thuhet në njoftim.
Ndërsa në drejtim të Donetskut, rusët i kanë përqendruar përpjekjet e tyre për marrjen e kontrollit të vendbanimeve Popasna dhe Rubizhne, daljet në rrethet Vuhledar dhe Solodke, dhe në këtë mënyrë t’i bashkojnë me Mariupolin, qytetin ndoshta më të shkatërruar në Ukrainë nga bombardimet ruse.

Po ashtu në brendësi të Mariupolit, rusët kanë vazhduar të përparojnë drejt qendrës së qytetit dhe t’i qëllojnë pozicionet e trupave ukrainase.

Po ashtu rusët vazhdojnë të godasin me forca sulmuese, artilerike dhe të tjera, zonat e Stepnogorsk-it dhe Gulyaipol-it.

Rusët kanë vazhduar sulmet artilerike dhe me mortaja në vendbanimet Toretske, Svitlodarsk, Troitske dhe Pisky.

“Në drejtim të Terny, si rezultat i një përleshjeje me njësitë e Forcave të Armatosura të Ukrainës, ai pësoi humbje dhe u tërhoq në zonën e vendbanimit Makeyevka”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, forcat ruse kanë zgjedhur që të mos kryejnë sulme me këmbësori në drejtim të Kharkivit, por po vazhdon ta bllokojë qytetin dhe të gjuajë në infrastrukturën civile.

Image
Pamje nga jeta e rëndë nga lufta

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat