​Kuleba: NATO nuk është gati për rolin paqeruajtës

Evropë

​Kuleba: NATO nuk është gati për rolin paqeruajtës

Më: 30 mars 2022 Në ora: 19:01
Kuleba

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba deklaroi sot në Varshavë se NATO -ja nuk është e gatshme të kryejë një mision paqeruajtës në Ukrainë.

Ai këto komente i bëri pas takimeve me kryeministrin polak, Mateusz Morawiecki, kryetaren e parlamentit Elzbieta Witek dhe kryetarin e Senatit Tomasz Grodzki.

Në një konferencë për shtyp Kuleba u pyet nëse Ukraina "e refuzon kategorikisht" një propozim të bërë nga zëvendëskryeministri polak Jaroslaw Kaczynski në Kiev se NATO mund të kryejë detyra paqeruajtëse në Ukrainë.

"Ne nuk po refuzojmë kategorikisht asgjë. Megjithatë, nga ajo që kemi parë për NATO-n, Aleanca nuk është e gatshme të ndërmarrë këtë hap. Problemi nuk është te ne, problemi është në anën tjetër," tha ai.

Kuleba tha se ai nuk kishte diskutuar propozimin për ruajtjen e paqes me Morawieckin, por tha se çështja do të ngrihej në bisedime të tjera në Poloni.

Ai vazhdoi duke thënë se vlerësonte iniciativat e Polonisë dhe përpjekjet e qeverisë së saj "për të ndërtuar konsensus në BE dhe NATO rreth një sërë çështjesh dhe iniciativash të vështira që lidhen me Ukrainën".

Ai tha se kishte ardhur në Varshavë me një objektiv të trefishtë: "Së pari, të falënderoj Poloninë për gjithçka që ka bërë. Ne duam që ju, polakë, të dini se Ukraina është mirënjohëse për gjithçka që keni bërë deri më tani. Mesazhi i dytë si se për aq kohë sa zgjat lufta, duhet bërë më shumë”.

Ai tha se kjo përfshin mbrojtjen, ndihmën humanitare dhe ekonomike, si dhe sanksionet, të cilat ai tha se duhet të forcohen si dhe të shtohen të reja.

"Çështja e tretë që diskutova me partnerët tanë polakë është e ardhmja. Çfarë do të bëjmë së bashku, kur ta fitojmë këtë luftë, sepse nuk kemi dyshim se do të triumfojmë dhe siguria evropiane do të mbrohet në Ukrainë”, tha ai, transmeton PAP.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat