OKB: Dy miliardë njerëz jetojnë në zona konflikti

Evropë

OKB: Dy miliardë njerëz jetojnë në zona konflikti

Më: 31 mars 2022 Në ora: 06:50
Antonio Guterres

Shefi i OKB-së tha të mërkurën se një e katërta e popullsisë së botës, dy miliardë njerëz, jetojnë sot në zona konflikti dhe bota po përballet me numrin më të madh të konflikteve të dhunshme që nga viti 1945, kur përfundoi Lufta e Dytë Botërore.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres përmendi konfliktet nga Jemeni, Siria, Mianmari dhe Sudani deri tek Haiti, zona e Sahelit në Afrikë, “dhe tani luftën në Ukrainë, një katastrofë që tronditi themelet e rendit ndërkombëtar, duke u përhapur përtej kufijve dhe duke shkaktuar rritje në çmimit të artikujve ushqimor, karburantit dhe plehrave që do të ketë pasoja katastrofike për vendet në zhvillim.”

Zoti Guterres i tha Komisionit të OKB-së për Ndërtimin e Paqes të mërkurën se vitin e kaluar 84 milionë njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të konfliktit, dhunës dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Sipas agjencive të OKB-së, kjo nuk përfshin luftën në Ukrainë, e cila ka shkaktuar largimin e 4 milionë njerëzve nga vendi dhe zhvendosjen e 6.5 milionë njerëzve të tjerë brenda vendit.

Zoti Guterres tha se OKB-ja vlerëson se këtë vit "të paktën 274 milionë do të kenë nevojë për ndihmë humanitare". Sipas zyrës së OKB-së për ndihmat humanitare, kjo përfaqëson një rritje prej 17% krahasuar me vitin 2021 dhe do të duhen 41 miliardë dollarë për të ndihmuar 183 milionë njerëzit e tjerë në nevojë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat