Rusia do të përdorë armë bërthamore? Zelensky: Bëni gati vend strehime, bota duhet të shqetësohet

Evropë

Rusia do të përdorë armë bërthamore? Zelensky: Bëni gati vend strehime, bota duhet të shqetësohet

Më: 17 prill 2022 Në ora: 21:55
Volodymyr Zelenskyy

Bota duhet të përgatitet për mundësinë se Rusia mund të përdorë armë bërthamore, paralajmëroi sërish presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ai tha se bota duhet të marrë masa për të siguruar rezerva të ilaçeve kundër rrezatimit si dhe të ndërtojë strehime për tu mbrojtur nga sulmet ajrore.

“Ne nuk duhet të presim momentin kur Rusia të vendosë të përdorë armët bërthamore. Ne duhet të përgatitemi për këtë gjë, duke bërë gati vend strehimet, duke siguruar ilaçet kundër rrezatimeve të rrezikshme nga përdorimi i këtyre armëve. Por ju gjithashtu duhet të flisni me pushtuesit, të nënshkruani dokumente dhe të bëni presion mbi ekonominë e tyre. Ata mund të përdorin çdo armë, jam i sigurt, dhe ju nuk mund t’u besoni atyre”, tha Zelensky

Intervista e Zelenskyt u transmetua nga 6 website ukrainase të lajmeve dhe u transmetua gjithashtu nga presidenca ukrainase në Telegram.

Të premten, Zelensky kishte paralajmëruar se bota duhet të shqetësohet për kërcënimin e Putinit, duke i bërë jehonë komenteve të drejtorit të CIA-s, William Burns.

Burns tha të enjten se pengesat e Rusisë në fushën e betejës ngritën rrezikun që Presidenti Vladimir Putin të mund të vendoste të përdorte një armë bërthamore taktike.

Kremlini tha se kishte vendosur forcat bërthamore ruse në gatishmëri të lartë menjëherë pas fillimit të sulmit më 24 shkurt, por Shtetet e Bashkuara thonë se nuk kanë parë asnjë shenjë të lëvizjeve të pazakonta bërthamore.

Moska ka thënë se do të përdorë një armë bërthamore në Ukrainë në rast të një “kërcënimi ekzistencial” kundër Rusisë, u shpreh zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në një intervistë të fundit për CNN.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat